E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e shtypit të lirë, Topi: Politika të ndërgjegjësohet

TIRANE- Në ditën botërore të Lirisë së Medias, politikanët shqiptarë nuk ka nguruar të bëjnë deklarata në favor të gazetarëve dhe punës së tyre. Kryeministri Berisha ka deklaruar se ndihej krenar që kjo maxhorancë në mandatin e saj të dytë dhe gjatë mandatit të saj të parë nuk lejoi qoftë dhe një proces të vetëm gjyqësor drejt gazetarëve, ndërsa kreu i shteti Bamir Topi i bëri thirrje politikës të ndërgjegjësohet, për lirinë që media ka.

Topi: Media e lirë, politika të ndërgjegjësohet
Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Presidenti Topi ka përshëndetur të gjithë gazetarët shqiptarë, duke deklaruar se ata “më shumë se kushdo tjetër kanë ndikuar në zhvillimet demokratike dhe në mënyrën tonë të përditshme të komunikimit”

Duke e vënë theksin tek lira e medias Topi theksoi se shkalla e lirisë së medias tregon pjekurinë e demokracisë. “Një shoqëri e informuar që hesht e dëmton lirinë mediatike dhe lirinë në tërësi po aq sa një shoqëri e mbyllur që e pengon informacionin” – u shpreh Kreu i shtetit.

Duke i bërë thirrje politikës të ndërgjegjësohen që media duhet të jetë e lirë, Topi shtoi se përvoja e ka dëshmuar e provuar katërcipërisht edhe në Shqipëri postulatin që media është pushteti i katërt.

“Aktorët politikë duhet të ndërgjegjësohen për rëndësinë e pavarësisë së gazetarëve dhe të mediave për faktin se një shoqëri e emancipuar dhe demokratike ndërtohet vetëm duke i dhënë përparësi pavarësisë së sistemit mediatik nga politika, një pavarësi maksimale të mundshme. Tashmë përvoja e ka dëshmuar e provuar katërcipërisht edhe në Shqipëri postulatin që media është pushteti i katërt. Sigurisht një pushtet jo i zgjedhur, por si i tillë nga marrëdhënia që ai ka me të vërtetën. E vërteta duhet të jetë kufizimi i vetëm i lirisë së medias dhe të gazetarëve si dhe pika e tyre e arritjes. Pushteti që përmendëm është atribut demokratik dhe si çdo pushtet tjetër, atij i kanosen rreziqe të natyrave të ndryshme, teprime apo mediokritete që mund t’ia shpërfytyrojnë natyrën” – theksoi Topi në fjalën e tij.

Berisha: Pr/ligj për konsolidimin e pavarësisë
Në Ditën Botërore të Lirisë së Medias kryeministri Berisha përshëndeti kontributin e gazetarëve në media të cilët me gjithë vështirësitë e njohura kanë përmbushur misionite tyre“. Kreu i qeverisë nënvizoi se ka qenë një vit me ngjarje madhore në historinë e kombit dhe mediat kanë qenë në „lartësinë e duhur“ në informimin e opinionit publik.

Berisha tha se ndihej krenar që kjo maxhorancë në mandatin e saj të dytë dhe gjatë mandatit të saj të parë nuk lejoi qoftë dhe një proces të vetëm gjyqësor drejt gazetarëve. „Në Shqipëri mori fund farsa zyrtare gjyqësore kundër medias“.

Berisha nënvizoi se mediat shqiptare „nuk mund të thuhet se kanë lirinë të plotë në aspektin e pronarëve të tyre dhe të grupit te interesti që ato përfaqësojnë“ dhe në këtë kuadër shprehu gadishmërinë e qeverisë për të marrë cdo nismë ligjore që do i shërbente konsolidimit të pavarëisë së medias.
(s.g/m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›