Berisha: Shqipëria, një Zvicër me det. Investuesit e huaj mund të marrin tokë në bregdet me 1 euro
Kryeministri Berisha, gjatë pjesëmarrjes në forumin e biznesit shqiptaro-çek, me homologun e tij nga Çekia, Petr Necas, ka thënë se Shqipëria është një Zvicër me det, që pret të ndërtohet.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se qeveria shqiptare do të ofrojë të gjitha lehtësirat e mundshme fiskale për këdo që ka interes për këtë vend, duke ofruar 8 vite përjashtim nga taksat për investitorët në turizmin malor, ndërsa do të jepet me 1 euro metri katror çdo tokë bregdetare, pjesë e pronës publike.
“Shqipëria është 1 nga 10 qeveritë më të vogla në botë, një nga qeveritë më të hapura nda biznesit. Ne nuk jemi lëkundur nga parimet e liberalizmit, ju besojmë atyre, do të ulim sërish taksat, liria fiskale është e rëndësishme për tregun. Investimet në fushën ujore janë në zhvillim e sipër. Gjeografia e këtij vendi e bën Shqipërinë një basen të vërtetë të energjisë ujore në rajon, po vendosim një kuadër rregullator ndër më të mirët, jemi shumë afër Italisë, një ndër tregjet më të pangopur për energji në Europë. Do të bëhet një hap drejt energjisë së rinovueshme në rajon. Shqipëria është një Zvicër me det, por Zvicër për tu ndërtuar, ndaj ju ftoj të investoni në turizmin në Shqipëri. 8 vite pa taksa për investuesit e turizmit malor, për ata në bregdet rrethana lehtësuese, nëse toka është publike do ta marrin me një euro. Shqipëria ka pellgje botërore kromi, nikeli dhe minerale të tjera, disponojmë fushën më të madhe të naftës. Shqipëria ka tregun e punës ndër më të leverdisshmit në Europë, një treg pune fleksibël me punëtorë të rinj dhe të kualifikuar. Qeveria shqiptare do bëjë gjithçka për një histori suksesi të investitorëve çekë dhe të gjithë investitorëve të tjerë”, ka thënë Berisha gjatë fjalës së tij.