Një ekspert shëndetësie në krye të Bankës Botërore
Kandidati i amerikanëve, Jim Yong Kim, është zgjedhur president i Bankës Botërore.
Eksperti i shëndetësisë është aktualisht president i Universitetit Dartmouth. Sipas BBC, ai u përball me sfida të forta për këtë post, që zakonisht ka shkuar tek amerikanët.
Koreano- amerikani do të pasojë në këtë post Robert Zoellick, duke qëndruar në detyrë pesë vite duke nisur nga 1 korriku.
52 vjeçari është një doktor i vlerësuar për rolin e tij në trajtimin e HIV/Aids dhe në reduktimin e ndikimit të tuberkulozit në vendet në zhvillim. Sekretari i Thesarit në SHBA, Timothy Geithner tha se e kaluara e tij do e ndihmojë shumë në punën e re.
Në garë ishte edhe ministri i Financave i Nigerisë, Ngozi Okonjo- Iweala dhe kolumbiani Jose Antonio Ocompi, ish- drejtues i Financave.
Që prej themelimit në vitin 1944, amerikanët kanë mbajtur gjithmonë drejtimin e BB. Organizata simotër, Fondi Monetar Ndërkombëtar, është drejtuar nga europianët, por ka pasur presion në rritje nga ekonomitë në zhvillim për ta hapur procesin e përzgjedhjes së drejtuesve.
Kim do të mbikëqyrë një staf prej 9 mijë ekonomistësh dhe ekspertësh zhvillimi. BB kishte vjet një portofol kredish prej 258 miliard dollarë.
Eksperti Mark Weisbrot thotë se nuk ka të krahasuar mes Kim dhe paraardhësve të tij. Të tjerët ishin të brendshëm të politikës dhe e shpenzonin jetën e tyre duke u bërë të pasur ose të fuqishëm politikisht. Kim, në të kundërt, e ka shpenzuar jetën e tij duke përmirësuar jetën e njerëzve të varfër.