E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shqipëria, sezon turistik si anëtare e NATO-s



“Na besoni votën për një Shqipëri ndryshe”

Kryeministri hap sezonin turistik në Sarandë

Shqipëria hap sezonin turistik si vend anëtar i NATO-s dhe e sigurt drejt integrimit në BE. Saranda çeli dje dyert për sezonin turistik 2009 dhe në festën e “Detit dhe turizmit”, mes vendasve dhe turistëve që kishin ardhur për të shijuar orët festive, ishte dhe Kryeministri Sali Berisha. Kreu i qeverisë si rrallë ndonjëherë kaloi një ditë të tërë në qytetin bregdetar, nga ku përshëndeti hapjen e sezonit turistik në vend dhe uroi qytetarët e Sarandës dhe mbarë Shqipërisë për pushime edhe më të suksesshme. Berisha u vuri në dukje sarandjotëve se qyteti i tyre i pret turistët si një qytet i një vendi anëtar të NATO-s, si qytet i një vendi që ka kandiduar për anëtar të BE-së, pasi qytetarët e saj e të mbarë Shqipërisë kanë shndërruar në realitet ëndrrën e madhe të integrimit në NATO dhe po ecin të sigurt drejt shndërrimit në realitet të ëndrrës së madhe për integrimin në BE. Nga shëtitorja e qytetit, Kryeministri Berisha foli për investimet e qeverisë në përmirësimin e imazhit të turizmit, që nuk nguroi t’i cilësojë si parësore, si dhe objektivat e reja të 4-vjeçarit të ri qeverisës. Nga Saranda, Berisha kërkoi votat e shqiptarëve për një mandat të ri të së djathtës, duke garantuar se do ta ndërtojmë Shqipërinë që meritojmë. Për këtë ai përmendi disa nga arritjet 4-vjeçare të qeverisë dhe u ndal tek intensifikimi i projekteve të tjera të mëdha. “Ne po shkojmë drejt një mandati të dytë, duke i kërkuar votën çdo shqiptari që ndjen se në këto 4 vjet jeta e tij personale, e familjes së tij, lagjes, qytetit, komunitetit të tij ka ndryshuar për mirë, e vendit të tij ka ndryshuar për mirë. Duke ju garantuar se në 4 vitet që vijnë, do të realizojmë së bashku ndryshime shumë më të mëdha dhe do të ndërtojmë në këtë mënyrë, një Sarandë dhe Shqipëri tjetër që e meritojmë”, - tha z. Berisha. Kryeministri vuri në dukje se lufta kundër varfërisë është një objektiv madhor. Ne, - shtoi ai, - kemi nxjerrë në tre vjet 200 mijë shqiptarë nga varfëria dhe në maj, nxjerrim edhe 180 mijë të tjerë. Por Berisha pranoi se ka sërish varfëri, ndërsa siguroi se qeveria e tij do të jetë e pamëshirshme kundër saj me të gjitha mënyrat. Para qytetarëve sarandjotë, Berisha u ndal tek rritja e pagave dhe pensioneve, që sipas tij, ulën ndjeshëm varfërinë. “Tani, pensionistët në fshatin shqiptar do të marrin dy herë më shumë pension sesa merrnin 4 vjet më parë. Kjo do të thotë se edhe 170 mijë qytetarë të vendit që jetonin nën 2 dollarë në ditë, pra, në varfëri, të dalin nga varfëria dhe u jap fjalën se qeveria ime do t’i barazojë pensionet e tyre me pensionet e qytetit. Ne premtuam se në 4 vite në qytet nuk do të ketë pensione nën 100 dollarë dhe kam kënaqësi të pohoj këtu se me rritjen e pensioneve në maj, nuk ka pensione nën 124 dollarë në qytetet e Shqipërisë”, - deklaroi z. Berisha. Përsa i përket rritjes së pagave, Kryeministri pohoi se janë dyfishuar për mësuesit dhe në pagën e majit, mësuesit e të gjithë vendit do të marrin dy herë më shumë, sesa merrnin në pagën e majit në vitin 2005. Po kështu, infermierët dhe mjekët. Sipas tij, në paga e pensione, qeveria ka tejkaluar 30 për qind vendet që kanë qenë shumë më të zhvilluara se ne, si Rumania, Bullgaria e vende të tjera. Kryeministri siguroi se rritja e pagave dhe pensioneve është e do mbetet qëllim madhor i politikës sime. Kryeministri u ndal dhe në reformën në shëndetësi me garancinë se qeveria është e përgatitur për një reformë të thellë në sistemin shëndetësor, e cila do t’ju garantojë qytetarëve shërbimet më të mirë. Berisha foli për projektet e qeverisë në Sarandë ku është investuar 4 herë më shumë, se para kësaj qeverie. “Këtë qershor ne përfundojmë rrugën e bregut, në të cilën turistët nga Llogoraja do të zbresin me lehtësi në Sarandë për të kaluar ditën, për të vizituar Butrintit. Gjithashtu, po ecën me shpejtësi rruga Kardhiq-Delvinë. Ju jap fjalën se shumë shpejt do të fillojë boshti i jugut që do ta sjellë Sarandën në një distancë shumë më të shkurtër me Tiranën. Saranda, Ksamili kanë të gjitha mundësitë të bëhen një nga qendrat më të fuqishme e të mëdha të turizmit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan e më gjerë”, - u shpreh Kryeministri. Z. Berisha gjatë vizitës së djeshme në Sarandë u përshëndet në shëtitoren e qytetit nga qindra banorë të pranishëm në ceremoninë festive të hapjes së sezonit turistik. Para tyre, Kryeministri vlerësoi se qyteti i Sarandës ofron kënaqësi shpirtërore, fetare dhe historike, mrekulli këto që qëndrojnë pranë njëra-tjetrës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›