E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi: Nuk kam komunikuar gjatë ditës së djeshme me Xhindin

Rama, Leskaj, Ruçi, Topalli dhe Xhindi, ishin pjesë e shtabit elektoral të Partisë Socialiste të Qarkut të Fierit

Ngjarja e rëndë kriminale, e ndodhur dje në mbrëmje në qytetin e Roskovecit në Rrethin e Fierit, ka shokuar të gjithë politikën shqiptare pa dallim. Të sapo informuar nga mediat, krerët më të lartë të politikës, kreu socialist, Edi Rama, kryetarja e grupit socialist, Valentina Leskaj, kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deputeti i Qarkut të Fierit, Fatos Beja dhe shumë deputetë e miq të tij politikanë, janë nisur drejt shtëpisë së deputetit të vrarë, Fatmir Xhindi.


Ruçi


Kreu i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, i cili është njëkohësisht dhe kreu i shtabit elektoral të Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit, ku dhe bënte pjesë edhe deputeti i vrarë, Fatmir Xhindi, nuk ka pranuar që të japë asnjë pistë të mundshme lidhur me shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Ai ka deklaruar për "Shekulli"-n se ka qenë dje në krye të fushatës në zonën e Libofshës, së bashku me deputeten tjetër të Fierit, Rajmonda Stefa, por nuk ka komunikuar gjatë ditës me deputetin e vrarë.

Madje, ai ka bërë të ditur se informacionin e parë lidhur me këtë ngjarje e ka marrë vetëm në orët e vona të mbrëmjes, i lajmëruar nga strukturat e partisë. "Në kuadër edhe të fushatës elektorale, kam qenë dje në zonën e deputetes Rajmonda Stefa në Libofshë dhe menjëherë pasi mbyllëm aktivitetet u ktheva në Tiranë dhe me lajmin jam njohur pasi jam kthyer dhe menjëherë u nisa përsëri për në Fier, për t'u gjendur pranë familjarëve të Fatmirit.

Gjatë ditës së djeshme nuk kam patur asnjë komunikim me të", - u shpreh Ruçi. Ndërkohë i pyetur në lidhje me shkaqet që mund të kenë çuar në këtë vrasje, Ruçi ka deklaruar se nuk ka patur dijeni për ndonjë konflikt të deputetit të Xhindi, ndërsa nuk ka pranuar që t'i japë para kohe kësaj ngjarje ngjyra politike, pa u njohur me parë me qëndrimin e institucioneve kompetente. "Unë jam duke shkuar për në Fier dhe nuk mund të kthej filxhan për të folur për një ngjarje, për të cilën nuk kam dijeni", - tha Ruçi.


Stefa


Ndërkohë që edhe deputetja tjetër socialiste e Qarkut të Fierit, Raimonda Stefa, ashtu si dhe Ruçi, ka deklaruar se Xhindi, gjatë ditës së djeshme nuk ka qenë në takimet elektorale në zonën e Libofshës dhe se nuk ka patur komunikim me të.

Ajo ka përjashtuar pistën e konfliktit politik, ashtu edhe atë për shkaqe pronësie. Sipas saj, sistemi i ri zgjedhor përjashton mundësinë e konflikteve individuale, pasi në garë nuk ke një kandidat rival.

"Flitet se mund të ketë ndodhur për shkaqe të një konflikti pasurie, por unë nuk di që ai të ketë patur një konflikt të tillë. Ndërsa shkaqet politike dua t'i përjashtoj, sepse ashtu siç e njohin të gjithë, ai ishte shumë njeri paqësor", - tha deputetja Stefa.


Keri


Deputeti tjetër socialist, dhe një miqtë e afërt të Xhindit, Pilo Keri, i cili menjëherë sapo ka marrë vesh lajmin është nisur drejt vendngjarjes, ashtu si dhe shumica e deputetëve të tjerë socialistë, ka mohuar pistën e mosmarrëveshjeve që mund të kishte deputeti i vrarë.

"Ai ishte një natyrë e qetë dhe e qeshur dhe s'mund të krijonte konflikt", - u shpreh deputeti Pilo Keri. Gjithashtu, ai ka mohuar që kjo vrasje të ketë ardhur edhe si pasojë e fushatës, duke argumentuar se fushata e këtyre zgjedhjeve nuk të vë rival të drejtpërdrejtë, prandaj dhe mundësia e konfliktimit është e paktë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›