Rama: Centrali bërthamor, fantazmë e një zhvillimi të çakorduar
Kreu socialist ka prezantuar dje në Durrës programin socialist për fushën e turizmit.
Dy kundërshtarët politikë, Kryeministri Sali Berisha dhe kryesocialisti Edi Rama, ia kanë kushtuar ditën e djeshme turizmit. Por, ndërsa Kryeministri Berisha ka folur nga Saranda për arritjet e qeverisë së tij në këtë fushë, kreu socialist, Edi Rama, ka prezantuar nga Durrësi projektin e PS-së për zhvillimin e këtij sektori, të cilin e ka konsideruar si bazë edhe të zhvillimit të vendit.
Duke bërë publik kapitullin e programit të PS-së për sektorin e Turizmit, Edi Rama tha se qeverisja socialiste, pas 28 qershorit, të gjitha investimet në infrastrukturë do t'i kryejë në funksion të zhvillimit të turizmit. Në fjalën e tij, Rama është shprehur se ky nuk është një program premtimesh për të fituar zgjedhjet, por një program angazhimesh për të qeverisur vendin pas 28 qershorit.
Në lidhje me fushën e turizmit, ai ka deklaruar se, sot, në të gjithë vendin, numërohen rreth 22 mijë shtretër për turistë, një numër shumë i vogël ky për një vend që kërkon ta ketë turizmin si prioritet të zhvillimit të tij. Gjithashtu, ai ka evidentuar edhe mangësinë që ekziston në vend, për sa i përket sistemit të vlerësimit dhe licencimit të shërbimeve turistike.
"Aktualisht nuk ka sistem licencimi dhe vlerësimi për shërbimet turistike, por ne do ta bëjmë një gjë të tillë pas fitores sonë më 28 qershor", - u shpreh më tej kreu i opozitës, Edi Rama. Ai është ndalur edhe tek çështja tepër e debatuar e zhvillimit të teknologjisë energjetike në bregdet, të cilën ai nuk ka nguruar ta cilësojë edhe si një pasion të egër të kësaj qeverie për industrializimin që po shkatërron turizmin.
Rama tha se PS-ja është e hapur për zhvillimet e reja, por duke i kryer ato kundrejt një politike të re në këtë drejtim, duke theksuar se Shqipëria nuk mund të jete vendi ku spostohen teknologjitë e vjetra të vendeve të BE-së. E duke qëndruar në këtë çështje, ai ka kritikuar idenë për ndërtimin e centralit bërthamor në Shkodër.
"Centrali bërthamor në Shkodër, TEC-i me qymyr në Vlorë dhe mullinj me erë diku tjetër, janë fantazma të një zhvillimi të çakorduar. Kjo bëhet vetëm për interesat e ngushta të një klani pushtetarësh, që keqqeverisin vendin dhe që me politikat e tyre kanë shkatërruar turizmin", - tha Rama.
Para qytetarëve të pranishëm, Edi Rama ka deklaruar se brenda vitit 2010 do të jetë gati masterplani kombëtar për zhvillimin e turizmit, ndërkohë që ka shtuar se brenda mandatit të parë qeverisës, do të sigurohet ujë dhe energji elektrike pa ndërprerje për 24 orë për gjithë zonën bregdetare të vendit.