E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, PD firmos 7 marrëveshje parazgjedhore



Berisha pritet të nënshkruajë marrëveshje të reja

Zgjerimi i koalicionit, edhe me parti të qendrës

Brenda një muaji, Partia Demokratike ka arritur të nënshkruajë 7 marrëveshje parazgjedhore me parti të djathta dhe qendrës së djathtë. Marrëveshjet e bashkëpunimit njohin firmën e liderit demokrat, Sali Berisha, i cili në ditët në vijim pritet të nënshkruajë marrëveshje të reja për zgjerimin e koalicionit qeverisës. Z. Berisha ka firmosur me kryetarët e 7 partive të vogla që i përkasin spektrit të djathtë dhe atij të qendrës. Deri tani ka firmosur zyrtarisht marrëveshje të veçanta me kryetarët e shtatë partive të djathta, parlamentare ose jo, për koordinimin e hapave të bashkëpunimit në fushatë dhe në qeverisje, kjo në rast fitoreje të një mandati të dytë. Konkretisht PD-ja, marrëveshjen e parë e zyrtarizuar në datën 21 mars me Partinë Republikane të Fatmir Mediut. Dhjetë ditë më pas Berisha firmosi në datën 1 prill me kryetarin e Partisë Agrare Ambientaliste, Lufter Xhuveli. Në datën 15 prill, bashkëpunimi u rikonfirmua me Partinë Bashkimi Liberal Demokrat të Arian Starovës. Po këtë ditë, kreu i PD-së dhe Kryeministri Sali Berisha bëri pjesë të koalicionit qeverisës një parti të qendrës së djathtë, siç është ajo e Aleancës Demokratike të Neritan Cekës. Kurse në datën 1 maj, z. Berisha firmosi tre marrëveshje njëherësh, dhe konkretisht me legalistët e Eqerem Spahisë dhe Ballin Kombëtar të Alimadhit. Por risi e këtyre marrëveshjeve ishte firmosja me partinë që mbron interesat e komunitetit çam, Partia për Drejtësi dhe Integrim e kryesuar nga z. Muhamedini. Por së shpejti priten marrëveshje të reja mes PD-së dhe partive të reja, ku jashtë koalicionit kanë mbetur edhe ballistët e Artur Roshit, ndërkohë që flitet edhe për një marrëveshje me përfaqësuesit e komunitetit rom në vend. Ende nuk dihet cili do të jetë qëndrimi i PD-së ndaj koalicionit më të ri “Poli i Lirisë”, ndërkohë që nënkryetarja demokrate, Jozefina Topalli, në një dalje televizive pak kohë më parë nuk mohoi mundësinë e bashkëpunimit edhe me këtë koalicion, e cila pranoi se i përket spektrit të djathtë. Gjithsesi PD-ja me partitë që ka zgjedhur për të bërë aleancë parazgjedhore tenton që përmes zgjedhjeve të 28 qershorit të fitojë një mandat të ri qeverisës. Por asaj i duhet të ndajë tortën e pushtetit në rast të marrjes së mandatit të ri 4-vjeçar, pasi çdo marrëveshje është shoqëruar me kërkesat përkatëse të secilit subjekt politik, që ka firmosur në paktin e bashkëpunimit. Marrëveshja e parë e nënshkruar nga z. Berisha ishte ajo me reformatorin Genc Pollo, pakt i cili ka të bëjë me shkrirjen e të dy partive demokratike. Ky proces ka nisur në bazë dhe do të vijë drejt qendrës, pasi vetë kryetari i PDR-së, Pollo, tashmë është zyrtarisht pjesë e grupit të kryesisë së PD-së që po ndjek nga afër zgjedhjet e brendshme në bazën e PD-së dhe që tani po shkojnë drejt përmbylljes. Lideri i mazhorancës, Sali Berisha, ka premtuar se do të krijojë koalicionin më të madh që ka njohur ndonjëherë e djathta në zgjedhjet e reja parlamentare të 28 qershorit. Kjo aleancë e re mendohet të jetë fituesja e këtyre zgjedhjeve, pasi baza e fushatës elektorale do të jenë sukseset 4-vjeçare të qeverisë “Berisha” dhe objektivat e reja për mandatin e ri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›