Berisha: Shqipëria synon hyrjen në Eurozonë
Pavarësisht krizës që ka përfshirë Evropën, Shqipëria nuk ndalet në rrugën e saj për përfshirjen në Eurozonë.
Kryeministri Sali Berisha, në intervistën e dhënë për CNN, gjatë vizitës së tij në SHBA, ka deklaruar se pavarësisht krizës që ka Evropa, Shqipëria synon përfshirjen në grupin e Euros.
Ai ka theksuar se një ndër objektivat e qeverisë që ai drejton është vazhdimi i punës dhe përmbushja e të gjitha kushteve, të cilat do ta bëjnë së shpejti Shqipërinë një vend anëtar të Eurozonës dhe të Bashkimit Evropian.
“Unë qëndroj në pritje dhe Bashkimi Evropian është dhe do të mbetet projekti kryesor për vendin time. Dhe ne do të bëjmë më të mirën për të arritur, atë që na është kërkuar për standardet dhe normat, për t`i përmbushur ato, dhe konsideroj atë një proces të merituar”, u shpreh kryeministri.
Ndërsa ka shprehur besimin e thellë se vendet evropiane kanë fuqinë për ta tejkaluar krizën.
Sipas tij, kriza që ka përfshirë Evropën, do të kalohet shumë shpejt pasi Evropa e bashkuar tashmë ka një trashëgimi të sajën e cila është euro.
“Dhe Shqipëria nuk ka arsye, për të ngadalësuar përpjekjet për shkak të kësaj krize. Unë besoj se euro pavarësisht krizës së momentit, do të rezistojë dhe do të cilësohet si një nga trashëgimitë më të mëdha të Evropës në të gjithë kohërat”, vijoi më tej Berisha.