E Diel, 1 Nëntor 2026

CIA vëzhgon gjendje shëndetësore të udhëheqësve të huaj

Nga Express më 27 shtator 2011 në ora 13:09

Qoftë në sisteme demokratike apo diktatoriale, shëndeti i udhëheqësit të vendit është ndoshta sekreti i ruajtur me më tepër kujdes.

Prandaj kur ata mblidhen për një aktivitet të rëndësishëm, si ai i takimit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, agjencitë e zbulimit kontrollojnë me kujdes për sinjale të gjendjes shëndetësore të presidentëve apo kryeministrave pjesëmarrës.

Një kollë e papritur apo një rritje temperature e një presidenti, kryeministri, diktatori apo mbreti mund të shkaktojë lëvizje marramendëse në tregjet financiare, mund të nxisë fillimin e një revolucioni, mund të krijojë një krizë trashëgimie ose mund të lëkundë rezultatet e zgjedhjeve.

Rose McDermott e Universitetit Brown, e cila ka kryer mjaft studime dhe ka shkruar gjerësisht për teknikat e zbulimit mjekësor, thotë se një vend mund të gëzojë epërsi politike dhe diplomatike, nëse zbulon të vërtetën mbi gjendjen fizike të një udhëheqësi të huaj me probleme shëndetësore.

Në brendësi të agjencisë amerikane të zbulimit (CIA), ekziston një njësi që merret me zbulimin e kushteve të vërteta shëndetësore të udhëheqësve botërorë.

Njësia e Vlerësimit Mjekësor dhe Psikologjik, ose MPAC, punëson ose konsulton mjekë, sociologë, shkencëtar të politikës dhe antropologë të kulturës, për të këqyrur gjendjen fizike të njerëzve në pushtet.

Dr. Jerrold Post thotë se liderët fshehin të vërtetën mbi gjendjen e tyre shëndetësore, për të mos u dukur të dobët.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›