E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tajfuni “Nesat” godet Filipinet

Nga Express më 27 shtator 2011 në ora 13:05

Një tajfun i fuqishëm ka goditur Filipinet, duke shkaktuar përmbytje, ndërprerje të energjisë dhe aktiviteteve të punës në kryeqytetin Manila.

Tajfuni “Nesat” ka çuar gjithashtu në mbylljen e bursës së Filipineve dhe të ambasadës amerikane në kryeqytet. Të paktën dy persona kanë vdekur dhe katër të tjerë raportohen të zhdukur.

Teksa stuhia afrohej, autoritetet urdhëruan evakuimin e mbi 100 mijë personave në provincën qendrore Albaj.

Tajfuni pritet të vazhdojë kalimin e tij në vend, para se të kalojë përmes detit të Kinës së Jugut, për në jug të Kinës ditën e enjte.

“Nesat” ka shkaktuar gjithashtu rrëshqitje toke në provincat lindore Isabela dhe Aurora, në brigjet e Oqeanit Paqësor.

Stuhia, me erëra që shkojnë deri në 170 kilometra në orë, aktualisht po kalon në ishullin e Luzonit, në të cilin jeton më shumë se gjysma e popullsisë së Filipineve.

Shumë rrugë janë mbuluar nga uji dhe fluturimet janë anuluar. Edhe mediat lokale po u bëjnë thirrje banorëve që të shmangin udhëtimet.

Në Manila, zyrat e qeverisë, shkollat dhe universitetet janë të mbyllura, pasi autoritetet dhanë alarmin për qytetarët.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›