Çka është shteti?
Nëse aplikoni online për hyrje pa vizë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Departamenti Amerikan i Sigurisë iu ofron 251 zgjedhje në kategorinë - "shteti ku jetoni". Zgjedhja e gjerë, por e çuditshme, përfshin Ishullin Bouvet, një kodër e akullt dhe e pabanueshme në Atlantikun e Jugut që i takon Norvegjisë; Jemenin Jugor (që nuk është shtet prej vitit 1990), dhe “Zonën Neutrale” – një hapësirë të vogël shkretinore në formë të diamantit, që gjendet midis Arabisë Saudite dhe Irakut, e cila u zhduk pas Luftës së Gjirit, në 1991. Ky është problemi me listat e tilla. Aty gjenden vendet që nuk janë shtete të vërteta, ndërsa vendet që më shumë u përngjajnë shteteve (të paktën, në sytë e tyre) mund të mungojnë. Lista e Amerikës, për shembull, përjashton Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut, shtetet e vetëshpallura që u shkëputën nga Gjeorgjia me mbështetjen e Rusisë. Vetëm tri shtete të tjera - Nikaragua, Venezuela dhe Ishulli Nauru – i njohin këto shtetthe të shkëputura si të pavarura. Ndërkohë, askush në botën e jashtme duket se ende nuk është gati për t’ia dhënë Sudanit Jugor një emërtim të vetin, edhe pse ajo ditë mund të mos jetë larg.
Listat e sektorit privat janë po aq të çuditshme si ato që hartohen nga qeveritë. Hotmail ofron 242 "vende/territore" nga të cilat mund ta regjistroni një llogari të e-mailit. Pinguinët që dinë ta përdorin internetin mund të jenë të kënaqur që Ishulli Bouvet është në listë. Por, qeniet njerëzore në Kosovë (që është njohur nga 65 shtete) dhe në Saharanë Perëndimore (më shumë se 80), do ta kërkojnë më kot atdheun e tyre. çdo përpjekje për ta gjetur një përkufizim të qartë të shtetit shumë shpejt ballafaqohet me shumë përjashtime dhe anomali. Njohja diplomatike nuk është udhëzues shumë i qartë për jetën reale. Në vitet e para të luftës së ftohtë, shumica e shteteve e kishin njohur regjimin kinez në Tajvan ("Kina e Lirë"), derisa komunistët kontinentalë ("Kina e Kuqe") ishin të izoluar. Tash, absurdi është përmbysur. Numri i vendeve që kanë lidhje zyrtare diplomatike me Tajvanin është zvogëluar në vetëm 23 - kryesisht ishuj të vegjël dhe të varfër. Megjithatë, Tajvani nuk është një shtet i thjeshtë, por është i rëndësishëm. Me një emër që i shkon për qejfi Kinës - “Tajpei Kinez", ai është anëtar i Bankës Zhvillimore të Azisë dhe Organizatës Botërore të Tregtisë, si dhe vëzhgues në disa panele të OECD’së. Ka edhe rreth 100 "zyra të tregtisë" nëpër botë.
Nëse njohja diplomatike nuk është gjëja kryesore që e definon një shtet, atëherë çfarë është? A është aftësia për të dhënë pasaportë, e cila i hyn në punë mbajtësit, ose thjesht, kontrolli konkret i shtrirjes territoriale? Përsëri, pamja është e mjegulluar. Legjitimiteti, kontrolli fizik dhe kapaciteti për të lëshuar dokumente që pranohen nga të tjerët, nuk përputhen gjithmonë. Për shembull, shumë shtete që nuk e njohin Kosovën i pranojë njerëzit që udhëtojnë me pasaportat e saja. Për dekada me radhë, diplomatët e mërguar të Lituanisë kanë lëshuar pasaporta të përdorshme, edhe pse vendi i tyre ishte nën sundimin sovjetik. Rendi Sovran Ushtarak i Maltës, një grup bamirës me rrënjë nga kryqëzatësit, jo vetëm që lëshon pasaporta, por edhe pulla postare (dhe ka marrëdhënie diplomatike me mbi 100 shtete). Territori i tij përbëhet prej vetëm dy ndërtesave të bukura në Romë. Qyteti i Vatikanit, një enklavë me vetëm 44 hektarë në mes të Kryeqytetit të Italisë, është vetëm pak më i madh, por veten e sheh krejtësisht si shtet të pavarur. Megjithatë, diplomatët e Vatikanit i shërbejnë papatit – Selisë së Shenjtë – e jo shtetit ku gjenden. Selia e Shenjtë, e jo shtetthi, është vëzhguese në Kombet e Bashkuara.
Prania ose mungesa e përfaqësimit në OKB, nuk është një element që mund t’iu dalë në ndihmë atyre që kërkojnë qartësi. Izraeli iu bashkua këtij institucioni botëror në 1949, por 19 nga 192 anëtarët e OKB’së nuk e pranojnë ekzistencën e shtetit hebraik. Shumë prej tyre e shmangin përmendjen e emrit të tij, duke preferuar formula të tilla si "Entiteti sionist". Një e treta e anëtarëve të OKB’së e njohin Kosovën, por atë nuk e njeh vetë OKB-ja. Në realitet, anëtarësimi në OKB nuk është as nevojë as kusht i mjaftueshëm për funksionimin e shtetësisë. Të qenit jashtë OKB’së do të thotë se Kosova është ende në pritje të domainit të saj të internetit, prefiksit telefonik dhe shansit për të luajtur futboll ndërkombëtar. Por, Tajvani, i njohur nga më pak shtete se Kosova, arrin t’i ketë që të tria. Administrata në Qipron Veriore, e mbështetur nga Turqia, shpalli pavarësinë në 1983, por ajo është njohur vetëm nga Turqia dhe mbetet në një gjendje të izolimit të pjesshëm ekonomik. Ka bërë përpjekje për të filluar lidhje direkte ajrore me Britaninë, por në 2009 një gjykatë vendosi që kjo bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare, e cila sovranitetin mbi hapësirën ajrore të ishullit ia njeh Qeverisë së njohur ndërkombëtarisht (e cila ka kontroll mbi pjesën greqishtfolëse të ishullit). Mendimtari gjerman Max Weber e ka definuar shtetësinë si "monopol të përdorimit legjitim të dhunës". Kjo mund të jetë një qasje praktike, por nuk i jep fund konfuzionit. Somalia kaotike në mënyrë spektakulare dështon ta plotësojë këtë kriter, por prapëseprapë konsiderohet shtet sovran. Megjithatë, pjesa e saj e vogël veriore, Somaliland, e ka plotësuar këtë standard me një impresivitet në rritje, që nga shpallja e pavarësisë, në 1991. Ajo ka monedhën e saj, targat e automjeteve, madje edhe pasaportën biometrike. Por, vetëm kompania private DHL e lidhë atë me botën e jashtme. Shërbimi ndërkombëtar postar e kërkon anëtarësimin në Unionin Universal Postar, i cili për vendet që nuk janë anëtare të OKB’së lyp miratimin e të paktën dy të tretave të anëtarëve. Unioni Afrikan refuzon ta njohë pavarësinë e Somalilandit për shkak se atij nuk i pëlqen ndonjë ndryshim i kufijve të Afrikës. Të jashtmit ngurrojnë dhe presin derisa shtetet afrikane të ndryshojnë mendje. Njëra prej arsyeve për konfuzion është thjesht - dembelia. Fshirja e shteteve që janë zhdukur, ose vendeve që gjithmonë kanë qenë të pabanuara, duhet të jetë e lehtë (Departamenti Amerikan i Sigurisë për listën e tij fajin e hedh në të dhënat e vjetruara historike dhe thotë se do ta ndryshojë atë së shpejti). Por, inercia e ashiqarshme, dhe ndjenja të cilën e kanë shumë shtete sovrane, se ndryshimet e kufijve dhe statusit krijojnë një precedent të keq, i bën ndryshimet më pak të mundshme. Dilema nëse një copë toke e populluar kualifikohet si shtet, në fund të fundit, është një çështje subjektive për politikanët; ajo kurrë nuk do të zgjidhet nga avokatët në mënyrë të tillë që të jetë e pranueshme për të gjithë. Fakti se ka disa shkallë të njohjes, duke filluar nga lidhjet e plota diplomatike e deri te mohimi praktik i ekzistencës së një shteti – u jep Qeverive një set të kalibruar të mjeteve, të cilat mund të përdoren për shpërblimin e sjelljes së mirë, ose ndëshkimin e asaj të keqe. çfarëdo që të thotë teoria diplomatike, jeta vazhdon. Tajvani është duke e festuar një rezolutë miqësore nga Parlamenti Europian, dhe po dërgon ndihma në Haiti. Kosova i merr me qira kodet telefonike nga Monako dhe Sllovenia. Një kampionat i futbollit për përfaqësueset e vendeve të panjohura do të fillojë muajin e ardhshëm në Maltë. Një delegacion i politikanëve të lartë nga Somalilandi, më 3 prill ishte për vizitë miqësore në Shtëpinë e Bardhë. Me sa duket, ata i kanë qartësuar gjërat me kontrollin e emigracionit.