E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shqiptarët nuk i kanë borxh lekët e pagave dhe pensioneve

Kryeministri replikon nga Piluri i Himarës me përfaqësuesit e opozitës

Kryeministri Berisha inauguroi në Pilur të Himarës edhe një tjetër aks rrugor, i cili lidh fshatrat e jugut të vendit me bregdetin. Kështu dje, Berisha i shoqëruar nga ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, preu shiritin e përfundimit të lotit të parë, prej 4 kilometrash, të rrugës që lidh fshatin Pilur me bregdetin, një investim i buxhetit të shtetit ky prej 45 milionë lekësh. Gjatë fjalës së tij përpara banorëve të Pilurit, kreu i qeverisë theksoi se gjatë pesë viteve të fundit, qeveria që ai drejton ka investuar në territorin e Bashkisë së Himarës 5 miliardë lekë, duke ndërtuar 40 kilometra rrugë të fshatrave dhe 22 kilometra rrugën Palasë-Borsh. Por, në mënyrë të veçantë, kreu i qeverisë premtoi se ai do të rindërtonte edhe fshatin që e konsideroi si “kopshti shkëmbor i bregut të Jonit”. “Menjëherë sapo të përfundojë projekti, Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të ndërtojë të gjithë trajektoren e rrugës së fshatit tuaj deri në bregdet. Qendra e Pilurit, njëlloj si qendra e fshatrave të tjerë të bregut, Dhërmiut, Vunoi, Jalit e të tjerave, do të rindërtohet dhe do të jetë një nga qendrat më të bukura”, premtoi Kryeministri Berisha. Po kështu, ai theksoi se kisha e Shën Kollit do të rindërtohet tërësisht. Infrastrukturën e zhvilluar të zonës së jugut dhe pjesës tjetër të Shqipërisë, kreu i qeverisë e lidhi edhe me shtimin e numrit të turistëve këtë vit në vend. “Këtë vit, numri i qytetarëve me shtetësi jo shqiptare që vizitojnë Shqipërinë është rritur me 26 për qind dhe këto të dhëna janë deri në fund të muajit korrik. Brenda një harku të shkurtër kohor, vetëm 5-vjeçar, nga viti 2004, kur Shqipërinë e vizituan vetëm 300 mijë vizitorë, vitin e kaluar pritëm 3 milionë”, deklaroi Berisha. Por, sipas tij, në rast se turizmi u dhjetëfishua, investimet e qeverisë në zonat turistike u 30-fishuan. Kryeministri theksoi se qeveria nuk kishte investuar vetëm në infrastrukturë, por edhe në pensione dhe në rritjen e pagave. “I gjithë fondi i pensioneve ishte 50 miliardë lekë, deri në vitin 2005, por sot, fondi i pensioneve është 109 miliardë lekë. Fondi i ndihmës ekonomike nga 14 miliardë, sot është 33 miliardë lekë. Paga mesatare e administratës ishte 230 mijë lekë, sot ajo është 46 mijë lekë”, theksoi Berisha. Por kreu i qeverisë theksoi se ndonëse kjo rritje e pagave dhe pensioneve ka ardhur si rezultat i punës së vetë shqiptarëve, opozita nuk ngurronte të bënte akuza të ashpra për ekonominë e vendit. “Ju i dëgjoni si bërtasin e si përpiqen të mbjellin trillim e mashtrim përditë, si derdhin lot krokodili për borxhin. Jo, ju dhe asnjë shqiptar nuk i keni borxh askujt. Ta mbani ballin lart, sepse ne asnjë herë nuk kemi marrë borxh asnjë qindarkë për rrogat dhe pensionet tuaja”, theksoi Berisha. Sipas tij, qeveria që ai drejton ka gjetur një borxh prej 72 për qind të prodhimit vendas dhe sot, ai është vetëm 59 për qind.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›