E Diel, 1 Nëntor 2026

Fshatrat turistikë, ish-pronarët, akuza shtetit për korrupsion

Përfaqësuesi i “Pronësi me Drejtësi”, Agim Toro, thekson se privatizimi po përfitohet nga njerëz të lidhur me pushtetin

Korrupsion klasik shtetëror e kanë konsideruar shoqatat e ish-pronarëve vendimin e fundit të Agjencisë së Legalizimit për nisjen e proceduarave në kuadër të privatizimit të trojeve në rreth 30 fshatrat turistikë në të gjithë vendin. Në një prononcim për “Shqip”, sekretari i përgjithshëm i shoqatës së ish-pronarëve “Pronësi me Drejtësi” thekson se qeveria në mënyrë të padrejtë ka nisur procesin e privatizimit të trojeve në bregdet, në një kohë kur pjesa dërrmuese e tyre u përkasin ish-pronarëve. “Fillimi i procedurave nga ana e ALUIZNI-t për privatizimin e fshatrave turistikë në bregdet është një proces korrupsioni klasik shtetëror i bërë në interes të njerëzve të lidhur me pushtetin. Pjesa dërrmuese e sipërfaqes së tokës, që tashmë po privatizohet, u përket ish-pronarëve dhe tashmë po shkon në drejtim tjetër”, thekson Toro. Sipas përfaqësuesit të një nga shoqatave më aktive në vend, ky vendim i agjencisë është në kundërshtim me premtimet e herëpashershme të qeverisë për të bërë edhe kompensimin fizik të ish-pronarëve. “Premtimet e qeverisë për të bërë kthimin fizik të pronës sonë rezultuan bosh. Jo vetëm që në vend nuk ka nisur ende procesi i kompensimit fizik, por edhe kompensimi financiar ka mangësi dhe po has në probleme të shumta”, shpjegon sekretari i përgjithshëm i “Pronësi me Drejtësi”. Nga ana tjetër, sipas Toros, për të filluar zbatimin e këtij ligji në kundërshtim me interesat e ish-pronarëve, më parë qeverisë i është dashur të shfuqizojë disa nga nenet e ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, i cili fillimisht nuk lejonte të tilla kalime të pronësisë. Sipas Agim Toros, pronarët kanë treguar deri konsensus në lidhje me vendimet e qeverisë për legalizimin e disa zonave informale, por ky vendim, sipas tij, është tërësisht një aferë korrupsioni, sepse u jep të drejtën e pronësisë në bregdet njerëzve të pasur. “Ne kemi mirëkuptuar deri në një farë pike procesin e legalizimit të tokës në disa zona informale, nisur kjo edhe nga problemet ekonomike dhe sociale që paraqesin familjet që kanë marrë legalizim. Por vendimi i fundit i ALUIZNI-t për të filluar procesin e privatizimit të truallit është tërësisht aferë korruptive, sepse të pasurve ju jep edhe mundësinë që të blejnë shtëpitë e tyre të pushimit”, argumenton Toro për vendimin e fundit të Agjencisë së Legalizimit. Pronarët janë përballur kohët e fundit me probleme të mëdha edhe për sa i përket procesit të kompensimit financiar për pronat e tyre. Ende sipas Toros, nuk ka filluar edhe ndarja e parave për ish-pronarët, të cilët presin kompensim financiar për vitin 2010. Nga ana tjetër, procesi i shumëpremtuar fizik ende nuk ka nisur. Prej kohësh qeveria ka premtuar për ish-pronarët edhe kompensim fizik për pronat e tyre në bregdet, vendim që ende nuk ka nisur. Nga ana tjetër, qeveria shqiptare ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndalur edhe procesin e dhënies së të drejtës së pronarëve shqiptarë nga ana e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Në një letërkëmbim të zbuluar nga “Shqip”, qeveria shqiptare i kërkonte Strasburgut të mos merrte në shqyrtim dhe po kështu të mos jepte vendime për pronarët shqiptarë, pasi ajo nuk mund të paguante dëmshpërblimin financiar për pronën e tyre.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›