Nga 10 gushti, do të mbledhë kërkesat për privatizim
Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale njoftoi dy ditë më parë edhe hapjen e afatit të dorëzimit të kërkesave për privatizimet në fshatrat turistikë. Kështu, ALUIZNI deklaroi se në datën 10 gusht do të nisë dorëzimi i kërkesave për të gjithë subjektet që kërkojnë privatizimin e ndërtimeve të tyre në bregdet dhe do të zgjasë deri në datën 10 tetor. “ALUIZNI njofton personat e interesuar, se prej datës 10 gusht 2010 nis procedura e plotësimit të kërkesës për kalimin e të drejtës së pronësisë mbi truallin e njësive të ndërtuara në zonat e stimuluara me përparësi turizmin në përputhje me ligjin 10186, datë 5/11/2009. Kërkesat paraqiten pranë drejtorisë qendrore të ALUIZNI-t brenda 60 ditëve nga nisja e procedurës”, ishte njoftimi që bëri përfaqësuesja ligjore e Agjencisë së Legalizimit. Sipas saj, të drejtën për të paraqitur kërkesë e kanë subjektet e interesuar, personat fizikë apo juridikë, të cilët gëzojnë njësinë e ndërtuar dhe që kanë kryer një veprim juridik të drejtpërdrejtë ose të rrjedhur me personin e stimuluar për kalimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtuar të ngritur brenda zonës së stimuluar. Nga ky proces pritet të përfitojnë me dhjetëra familje, të cilat kanë ndërtuar në një hapësirë tokë prej 23.5 hektarësh në bregdet.
#