Jugu, pushime dhe inaugurime për Berishën
Muaji gusht zgjidhet nga Kryeministri Berisha për të kryer pak ditë pushime verore, por si gjithmonë kreu i qeverisë i përzien ato me punën. Kështu, prej pak ditësh pushimet e kreut të qeverisë në vilën qeveritare në Dhërmi do të alternohen me inaugurime të veprave publike në jug të vendit. “Këto ditë jam me pushime, por kënaqësia ime e madhe është se kësaj here pushimet e mia kombinohen çdo ditë me inaugurime rrugësh e investimesh të reja”, deklaroi kreu i qeverisë nga Piluri i Himarës. Gjatë këtyre ditëve të nxehta të gushtit, kreu i qeverisë mësohet se nuk ka ngurruar të notojë edhe në Jon, sport për të cilin Berisha ka theksuar se i sjell kënaqësi. Por mësohet se pushimet e Kryeministrit nuk do të jenë të gjata. Në ditët e para të javës së ardhshme ai pritet të jetë në kryeqytet për të vijuar edhe axhendën normale të punës së tij.
#