Berisha: Shqiptarët respektojnë besimet tjera fetare

Kryeministri Sali Berisha në një pritje me rastin e festave të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, me përfaqësuesit e komuniteteve fetare dhe përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, deklaroi se shqiptarët janë komb i vogël por shkëlqejnë shumë.
Në fjalën e tij përshëndetëse Kryeministri shprehu mirënjohje për veprën e besimtarëve shqiptarë si ata ortodoksë, katolikë, myslimanë dhe për gjithë ata që i luten Zotit dhe i besojnë atij.
“Këto Krishtlindje i festojmë në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, i kremtojmë gjithashtu pas një rilindje të vërtetet të besimeve fetare, të cilat u rrënuan nga një ideologji çnjerëzorë. I kremtojmë të lirë dhe unë jam i bindur se ka shumë arsye që të besojmë që Krishtlindjet e tjera do të na gjejnë më mirë, më të bashkuar, më të begatë, më të sigurt dhe më përpara në projektin tonë të madh të bashkimit njëri me tjetrin, të bashkimit me Europën, të ndërtimit të Shqipërisë Europiane”, deklaroi Berisha citon noa.al.
Në vijim ai shtoi se shqiptarët janë një komb i vogël, që shkëlqejnë shumë, ndërsa kanë një mesazh për të gjitha kombet e tjera, respektin absolut për besimin e njëri-tjetrit.
“Le të përpiqemi së bashku ta shndërrojmë 2013, në një vit harmonie, paqeje, mirëkuptimi me njëri-tjetrin, me fqinjët, me vende të tjera”, u shpreh ndër të tjera Kryeministri./Indeksonline/