Radhë të gjata në Merdarë

Zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit nuk po arrin t’i shmangë pritjet e gjata të mërgimtarëve kosovarë në pikëkalimin kufitar të Merdarës.
Bashkatdhetarët që vijnë nga mërgimi për t’i kaluar festat e fundvitit në Kosovë, po ballafaqohen me kolona dhe pritje të gjata gjatë hyrjes në Kosovë.
Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës Baki Kelani, situata në Merdarë është e qetë.
“Në dalje të Republikës së Kosovës nuk ka pritje të gjata. Ndërsa nga Serbia për në të hyrje të Kosovës koha e pritjes është 2-3 orë për shkak të numrit të madh të qytetarëve që janë duke ardhur për festat e fundvitit. Pala serbe është duke punuar pa ndërprerë” ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani për Indeksonline.
Kolona e automjeteve të cilat janë duke pritur për të hyrë në Kosovë është rreth 3 kilometra.
Kjo nuk është hera e parë që bashkatdhetarët po ballafaqohen me kolona të gjata gjatë hyrjes në Kosovë. Edhe gjatë pushimeve të verës kolonat kanë qenë disa kilometra të gjata, sidomos në pjesën e kufirit të Serbisë./Indeksonline/