LDK: Urojmë që viti 2013 të jetë vit i Mitrovicës

Kryetari i Degës së LDK-së në Mitrovicë, Sadri Ferati, në konferencën përmbyllëse të këtij viti u fokusua në aspektet që shënuan vitin 2012 në Mitrovicë, me fokus të veçantë në aspektet politike dhe ekonomike. Ferati edhe në këtë konferencë u bëri thirrje akterëve politikë vendimmarrës dhe atyre të sigurisë që t’i bashkërendojnë veprimet në mënyrë që situata në Mitrovicë të përmirësohet.
“Ky ishte një vit i vështirë për Mitrovicën, në aspektin e sigurisë dhe atë të zhvillimeve politike. Prandaj, ne prapë i bëjmë thirrje akterëve kompetentë të sigurisë dhe rendit që t’i bashkërendojnë veprimet dhe të sundojë rendi dhe ligji në veri. Dialogu politik duhet të shfrytëzohet për progres në këtë aspekt, dhe pjesa jugore të mos bëhet viktimë e situatës në veri. Ne si LDK, kërkojmë që të krijohet një klimë e mirëkuptimit reciprok dhe përmes patrullimeve të përbashkëta të Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe të KFOR-it, në rast nevoje, të krijohet ambient ku sundon ligji dhe rendi”, tha ai.
Për sa i përket aspekteve ekonomike, Ferati u fokusua në gjendjen e ndërmarrjes “Trepça”, të cilës po i mungon e drejta për të marrë vendime zhvillimore. “Trepça duhet ta ketë autonomi të veprimit për shfrytëzimin e kapaciteteve minerale e jo të mbetet peng i kohës që po konsumohet derisa autoritetet të vendosin se çfarë është Trepça”.
Sa i përket qeverisjes lokale, LDK në Mitrovicë mendon se pushteti lokal duhet të ketë kujdes në orientimin e shpenzimeve të parasë publike, raporton Koha.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për barrikadat në urën kryesore të lumit Ibër dhe si ndikon kjo në gjendjen e përgjithshme, Ferati theksoi se kjo është simbolikë politike.
“Në Mitrovicë janë edhe tri ura të tjera në të cilat njerëzit qarkullojnë lirshëm. Por barrikada është vendosur në urën kryesore, aty ku janë të përqendruara mediumet dhe këtë pamje të barrikadës mbi këtë urë e marrin të gjitha mediet botërore. Kjo ka të bëjë me simbolikën politike për paqartësinë dhe pafuqinë. Me këto barrikada po i bëhet shantazh progresit politik dhe po sfidohet normalizimi i situatës”, tha kreu i LDK-së së Mitrovicës. Në veri, sipas Feratit, duhet të krijohen struktura legale, të përcaktohet një fond zhvillimor, dhe në këtë mënyrë të normalizohet jeta në veri, sikurse kudo tjetër.
“Mitrovicasit i kanë humbur shpresat për punësim të denjë, duke u bërë pre e konkurseve fiktive dhe punësimeve politike, me nepotizëm dhe pa kriter”, tha Ferati, duke folur për qeverisjen lokale në Mitrovicë.
Në fund, kryetar i Degës së LDK-së në Mitrovicë dhe deputet në Parlamentin e Kosovës, uroi mitrovicasit që viti 2013 ta gjejë këtë qytet me më shumë zhvillim, punë dhe prosperitet. /Indeksonline/