E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heqja e privilegjeve të deputetëve kërkon 84 vota

 

Ndryshimet ligjore për heqjen e privilegjeve të deputetëve të Kuvendit apo të zyrtarëve në administratën e lartë, mund të mbesin vetëm një ide e parealizueshme në praktikë. Arsyeja është se ndryshimet ligjore, apo ndërhyrja në statusin e deputetit kërkon një shumicë të cilësuar votash, konsensusin e 84 deputetëve për t’u kaluar në Kuvendin e Shqipërisë. Deklarata e kryeministrit Sali Berisha për uljen e shpenzimeve të arkës së shtetit për trajtimin e deputetëve dhe të zyrtarëve duket se do të kalojë patjetër me konsensusin e Partisë Socialiste. Ish-deputeti socialist Besnik Dervishi, në një prononcim për “Panorama” thekson se ndryshimet në statusin e deputetit duhet të kalojnë me një shumicë të cilësuar, me 3/5 të votave. Edhe pse vetë Dervishi shprehet se kjo është një çështje që është e debatueshme për shkak se është interpretuese, por “Statusi i deputetit” përfshihet në një ligj që duhet të votohet sipas nenit 81 të Kushtetutës. “Të drejtën për të propozuar ligje e ka Këshilli i Ministrave, çdo deputet, si dhe 20 mijë zgjedhës. Miratohen me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit: a) ligjet për organizimin dhe funksionimin e institucioneve, të parashikuara nga Kushtetuta; b)ligji për shtetësinë; c) ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore; ç) ligji për referendumet; d) kodet; dh) ligji për gjendjen e jashtëzakonshme; e) ligji për statusin e funksionarëve publikë; ë) ligji për amnistinë; f) ligji për ndarjen administrative të Republikës”, thuhet në nenin 81. Pikërisht pika e) e këtij neni prek ligjin “Për statusin e deputetit”, duke i përfshirë në ligjin për statusin e funksionarëve publikë në shtetin shqiptar. Socialistët duhet të shprehen qartë nëse janë për uljen e shpenzimeve publike duke hequr dorë nga privilegjet e tyre. Ndërsa Kuvendit të ri i duhet të shqyrtojë në radhë të parë nëse ka një projektligj të sjellë nga ana e qeverisë, ose duhet të ndërmarrë vetë ndryshimet për statusin e deputetit, ashtu siç ka ndërmarrë në sesionin e kaluar parlamentar. Në mbledhjen e datës 19 gusht, kryeministri Berisha theksoi se qeveria do të ndërmarrë një vendim për të ulur ndjeshëm shpenzimet e zyrtarëve. “Çdo automjet zyrtar u kushton taksapaguesve shqiptarë rreth 19 mijë dollarë në vit dhe ka variacione që duhet të jenë objekt kontrolli në të gjitha institucionet. Por taksapaguesit tanë nuk mundet që të paguajnë për transportin e një zyrtari 19 mijë dollarë, që përfshin shoferin, karburantin, mirëmbajtjen e automjetit. Kjo do të marrë fund”, deklaroi Berisha. Sipas kreut të Qeverisë, shpenzimet për të gjitha institucionet të marra së bashku, me të gjitha entet shkojnë rreth 2 miliardë lekë. Heqja e makinave mendohet të zëvendësohet me bonuse, me dhënie të një fondi të caktuar të deputetëve për të lëvizur me makina, apo me mjete të tjera transporti. Për realizimin e këtyre ndryshimeve ligjore, si pjesë e reformës, kryeministri Sali Berisha duhet të shtrijë dorën patjetër drejt partisë më të madhe opozitare, PS-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›