E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Basha nënkryetar i PD? Ai nuk do të merret me politikë, por me Bashkinë e Tiranës

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli deklaroi dje në “5 pyetje nga Babaramo” se

Presidenti Bamir Topi nuk do të jetë më president pas 2112-ës dhe ajo nuk do të votojë për të. Topalli gjithashtu tha se pas fitores së Bashkisë së Tiranës, Basha

nuk duhet të merret me politikë, por duhet t’i përkushtohet punëve në krye të bashkisë.

Zoti Basha ka deklaruar gjatë fushatës zgjedhore se është kundër prishjes së Piramidës...

Unë nuk e kam dëgjuar këtë. Por unë kam një vendim të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të firmosur....

Kjo do të thotë se nuk e keni ndjekur fushatën e kandidatit më kryesor të PD-së?

Unë nuk them se nuk e kam ndjekur, por e kam ndjekur për çështjet themelore dhe për filozofinë e tij, që kishte të bënte me ndryshimin e Tiranës. Unë e besoj filozofinë për të ndryshuar Tiranën. Ata që e kundërshtojnë këtë s’e kanë për shkak të arkitekturës, por e kanë të lidhur me të kaluarën dhe lidhjen shpirtërore të mauzoleumit të Enverit.

Basha ka lidhje shpirtërore me mauzoleumin e Enverit, se ai është kundër prishjes?

Të lutem mos spekulloni.

Ai është kundër prishjes...

Jo se kam dëgjuar këtë. Unë e kam me ata që i thonë vetes arkitekt, por vetëm arkitekt nuk janë. Këta e kanë me lidhjen me të shkuarën.

Çfarë ndodh nëse bashkia thotë jo?

Ligji që ka kaluar parlamenti, me iniciativën e deputetëve që ka përcaktuar rregullat dhe procedurën, evidenton se lejen e jep KRRTRSH-ja. Pra, ashtu siç ishte në vendimin e vitit 2005, kur socialistët dhe demokratët ishin bashkë për këtë projekt.

Presidenti i ardhshëm do jetë konsensual, apo do mjaftojnë votat që ka vetë PD?

E filluam bisedën me Kushtetutën dhe unë jam besimtare e madhe e Kushtetutës dhe shtetit ligjor. Ndaj çdo gjë duhet të funksionojë sipas Kushtetutës dhe ne këtë e kemi dëshmuar në çdo rast.

A duhet të zgjidhet kryetari i shtetit me konsensus?

Sipas Kushtetutës, nuk ka pazare. Nuk lejojmë pazare.

Pra mund ta zgjidhni vetëm me votat e PD-së?

Kushtetuta dhe shteti i së drejtës janë më shumë se libra të shenjtë. Atë që thotë Kushtetuta dhe unë i besoj te vota dhe do vendosë vota.

Ju synoni të jeni kryetare e shtetit në vitin 2012?

Unë jam kryetare e Kuvendit dhe jam në axhendën time, në detyrën time, në përgjegjësinë time, që është shumë e rëndësishme dhe që unë ndihem shumë e privilegjuar. Është shumë herët të flasësh për këto gjëra.

Në politikë hyhet për karrierë....

Jo, për të gjithë është e njëjtë. Është tjetër gjë të bësh gjëra me zemër dhe me besim dhe tjetër gjë të bësh politikë.

Pavarësisht motivit, por për të vërtetat dhe për të ndryshuar gjërat, mendoni se mund të kandidoni në 2012?

Jemi një vit përpara dhe unë se mendoj fare. Ajo që mendoj unë është që ....

Sarkozi e ka thënë tre vjet para që do kandidonte, ndaj nuk është ndonjë qamet i madh të na e thoni....

Unë e di që ju e keni shumë qejf Sarkozinë, edhe unë e ndjek aktivitetin e tij dhe ajo që ne kemi të rëndësishme në këto momente, si kryetare e Kuvendit, është që në parlament të vijnë për të kryer detyrën e tyre kushtetuese.

A do të jetë sërish z.Topi president?

Me bëni pyetje tjetër ju lutem... Nuk besoj se do të jetë z. Topi. Sigurisht që unë nuk do ta votoj z.Topi. Kjo është e sigurt, por besoj se e kam sqaruar disa herë dhe është e tepërt ta diskutoj.

Për çfarë mblidhet Këshilli Kombëtar të shtunën?

Këshilli Kombëtar mblidhet të shtunën pas mbylljes së procesit dhe besoj se ndër pikat do të jetë falenderimi i të gjithë deputetëve, kryetarëve, strukturave të partisë që kanë qenë të angazhuara në fushatën elektorale dhe kanë dhënë kontributin e tyre... Por besoj se do të zgjidhet edhe kryesia e Partisë Demokratike...

Do kandidoni për postin e nënkryetares?

Nuk do të ketë të shtunën gjëra të tilla. Do të votohet vetëm kryesia...

Ka disa zëra, se pas fitores për Bashkinë e Tiranës, duke mundur shefin e opozitës, z.Basha është kristalizuar si numri dy i PD-së. Ju ndani të njëjtin opinion?

Unë jam shumë e kënaqur që Bashkia e Tiranës tani ka shansin për t’i dhënë qytetarëve të Tiranës një filozofi tjetër dhe ka qenë gjithë PD-ja, që ka punuar për të bërë të mundur një gjë të tillë. Sepse Tirana e meriton. Momentalisht z.Basha ka privilegjin sot që të drejtojë Tiranën, ka detyrë shumë të vështirë, ka një përgjegjësi shumë të madhe dhe unë jam e sigurt se ashtu siç ka premtuar, ai nuk do të merret me politikë, por do të dëgjojë zërin e qytetarit dhe do t’i përkushtohet çdo qytetari. Unë jam e sigurt se ai do i qëndrojë. Unë mendoj se Tirana ka një shans të madh për të qenë një Tiranë tjetër në të gjitha aspektet.

Pra ju do të sugjeronit që të merret vetëm me Bashkinë e Tiranës dhe jo me PD-në?

Unë nuk i sugjeroj asgjë askujt. Unë po them që Tirana është një përgjegjësi shumë e madhe dhe fitorja e Tiranës është një kontribut i të gjithëve...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›