E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: S’i dhurojmë dot Ramës pushtet në tavolinë, të hapur për reformat dhe ligjet me tre të pestat

04-10-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha i jep përgjigje formale kryetarit të PS-së, duke rinovuar ftesën për ngritjen e komisioneve parlamentare që do të ndihmojnë në plotësimin e 52 rekomandimeve e BE-së dhe të ODIHR-it, por pa zbritur në pazare që i japin Edvinit pushtet të pamerituar në tavolinë

Kryeministri Sali Berisha fton dhe njëherë Partinë Socialiste, të japë kontributin e saj në miratimin e reformave, si interesi më i madh për qytetarët dhe vendin. Gjatë mbledhjes së përjavshme të grupit parlamentar demokrat, Berisha iu referua propozimit të Ramës me 10 pika, si parakushte të opozitës për dhënien e votës ndaj miratimit të ligjeve me shumicë të cilësuar në Kuvend. Kreu i mazhorancës tha se është gati të bashkëpunojë në interes të vendit, duke nisur nga reforma zgjedhore, por jo për të ndarë pushtetin në tavolinë.
“Duke ardhur këtu mësova se kryetari i Partisë Socialiste në mbledhjen e grupit, është drejtuar me thirrjen, të më ktheni përgjigje. Unë dua të theksoj prapë këtu, se përgjigja ime është shumë serioze. I nderuar zotëri, jemi plotësisht të vendosur të bashkëpunojmë në interesin më të mirë të vendit për reformën zgjedhore. Në koncept të qëndrimit tonë të vendosur, të hapur, ne kemi paraqitur dhe sërish e ritheksoj se ne jemi të gatshëm, në kushte pariteti, të ulemi në një komision parlamentar të reformës zgjedhore. Komision, i cili duhet të ketë axhendë të tij, adresimin e 52 rekomandimeve, të dy ekipeve të OSBE/ODHIR-it, ekipit që vëzhgoi zgjedhjet e përgjithshme dhe ekipit që vëzhgoi zgjedhjet lokale. Duhet të kemi një gjë të qartë se, nëse para zgjedhjeve lokale, për një seri çështjesh duhet të funksiononte hamendja, tani nuk ka mbetur gjë për të hamendësuar, tani këto dy ekipe kanë vendosur gishtin në të tëra problemet,  kanë listuar të gjitha çështjet që duhet të adresohen në amendime ligjore ose më vendime të tjera të institucioneve të tjera, për të cilat ne jemi 100 përqind të hapur”, tha kryeministri.
Ai përsëriti se mazhoranca është gati të diskutojë dhe për rregulloren e Parlamentit.
“E theksoj se jemi të hapur dhe kam propozuar që delegacioni ynë në Parlamentin Evropian, i cili është në përbërje 50 me 50, të autorizojë një apo dy deputetë nga pozita dhe opozita, të marrin rregulloren e Parlamentit Europian, e cila në definicion sjell kuintesencën e koncepteve më të avancuara të demokracisë parlamentare të vendeve evropiane, e ka transkriptuar në rregulla, në rregullore, në ligjet e Parlamentit Evropian. Të ballafaqojë rregulloren tonë të Parlamentit në çdo nen me këtë rregullore dhe ne jemi të gatshëm të ndryshojmë. Nuk mundet asgjë të na imponojë neve hapa prapa. Jo. Ne nuk jemi të pagabueshëm, absolutisht. Prandaj dhe ne pranojmë të krahasojmë me standardet, por nuk pranoj të kthehem tek koha ime. Më keni dëgjuar  të them se do të kthehem tek vitet e mia, te koha kur isha President me fuqi ekzekutive, as edhe njëherë. Madje e kam theksuar se as nuk do të jem dhe as e kam ndërmend të jem President dhe as e kam ndërmend të ndryshoj ligjet kushtetuese. Mendoj se oferta që bëjmë ne për opozitën, për dy çështjet themelore dhe i jap plotësisht të drejtë. Opozita ka 100 për qind të drejtë, të kërkojë dhe të insistojë në reformën zgjedhore, opozita ka të drejtë të kërkojë rregullat më demokratike të vendosura në jetën parlamentare”, theksoi Berisha.
Ai garantoi se s’do ketë asnjë negocim me opozitën, për ndarje të pushtetit në tavolinë, duke theksuar se qëndrimet e Ramës janë po të njëjtat e propaganduara prej dy vitesh me radhë.
“Dua të theksoj një gjë, ata, të cilët lexojnë ABC-në e demokracisë, do të gjejnë se Kushtetuta dhe kushtetutshmëria është risia më madhore e demokracisë moderne. Të drejtat e njeriut kanë historikun e tyre shumë të rëndësishëm, por është faktuar, se një kusht themelor, ndër më themelorët edhe për liritë dhe të drejtat themelore dhe për çdo gjë tjetër, është respektimi i Kushtetutës dhe kushtetutshmëria. Çdo përpjekje për të devijuar prej saj përbën një devijim thelbësor të demokracisë. Nuk ka kontratë më të madhe për një komb të qytetëruar, sesa Kushtetuta. Nuk ka marrëveshje më të madhe dhe më të rëndësishme, sesa kushtetuta. Në qoftë se bëhen propozime për të na nxjerrë jashtë këtij kuadri, këto bëhen me qëllimin e vetëm për të bllokuar, për të justifikuar politikën e bllokimit, sepse siç e shihni, uroj që të mos jenë farsë  propozimet e tij. Qëndrimi i grupit parlamentar socialist në këtë sesion është identik me qëndrimin e tyre me sesionin e një viti më parë, edhe atëherë ishin në parlament, edhe atëherë shtypnin butonat për praninë, por ligjet nuk i votonin. Zotëria premtoi në unison se do të votojë dhe pastaj, për të mos votuar, lëshoi një seri ultimatumesh. Këto ne nuk mund t’i pranojmë, jashtë rregullit kushtetues. Ne i themi, zotëri nuk kemi votat për Avokatin e Popullit dhe ai thotë jo, dua edhe Guvernatorin, dua edhe KLD-në. Jo zotëri, t’i nuk mund të bëhesh kurrë shumicë, sa të jesh pakicë. Shumicë të bëjnë shqiptarët ty, nuk të bën Sali Berisha. Sali Berisha dhe kjo mazhorancë të respekton, por shumicë, janë të tjera ata që përcaktojnë shumicat dhe pakicat në zgjedhje. Theksoj edhe njëherë se deri më tani, në mënyrë absolute, është  ‘copy-paste’ i qëndrimeve të mëparshme. Është para Kongresit dhe meqenëse pasi humbi zgjedhjet pati një kritikë të përgjithshme për qëndrimet e tij dhe shpjegon humbjen me qëndrimet e tij, dhe kjo mua nuk më intereson se lexoj veten time dhe jo kundërshtarin. Tani, ai do përsëri  të kthehet aty, por me artifice, propozon reformën zgjedhore, propozon dhe letër Ina Ramës. A mund të ketë arsye njerëzore që pranon një gjë të tillë. Reformimi mekanizmit themelor  të demokracisë që është vota. Le të shkruajë në letër, kush e pengon atë të shkruajë në letër. Për Komisionin e Venecias njëherë shprehet se i intereson, njëherë se nuk i intereson. Dua të theksoj se në  reformën zgjedhore, kushti që e ka shprehur edhe ai, që të jenë të pranishëm dhe Komisioni i Venecias dhe OSBE/ ODHIR është plotësisht edhe kushti  ynë, i tyri, i të gjithëve dhe ne jemi për ta”, tha më tej kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›