Misioni i Edi Ramës, “Kthimi i PS në identitet”
Pas vitit 2009 po qartësohet agjenda politike e Edvinit. Izolimi i PS-së, theksimi i linjës antiamerikane e antiperëndimore të së majtës, si dhe bllokimi i aspiratave për integrimin e vendit në BE e kanë origjinën tek identiteti bolshevik i Partisë Komuniste, e cila synonte barazimin në mjerim i shqiptarëve dhe “mbijetesën me forcat tona”. Ky “kthim në identitet” është shndërruar këtë vjeshtë në agjendën politike parakongresuale të Edi Ramës
Në më se dy vitet e fundit qëllimi i Edi Ramës nga pozitat e kreut të PS-së, ka qenë bllokimi i aspiratave integruese të Shqipërisë. Këtë, ai është përpjekur ta bëjë me metoda të cilat qartësisht kanë rezultuar dështuese. Është e tepërt të përmendet këtu tentativa e bllokimit të integrimit në NATO, me protestat që bënte për një aksident të rëndomtë të Kosta Trebickës, gjatë kthimit të këtij të fundit nga gjuetia. Po aq e tepërt është edhe të përmendet “lufta” e tij, për uljen e çmimit të kartave të identitetit nga 1200 lekë (të reja) në 200 lekë (të reja), luftë që për hir të së vërtetës, ishte më “e ashpër”, se “lufta” e sotme e tij, për uljen e çmimit të qumështit. Kjo “luftë” mbahet mend që “u ndez” në prag të liberalizmit të vizave, proces për bllokimin e të cilit, Edi Rama thirri në “front” edhe Valentina Leskajn, për të kërcënuar Europën me “pushtimin” e saj nga një milionë shqiptarë të papunë.
Këto tentativa janë më pikantet, sepse në formë “intermexosh”, dërgata deputetësh socialistë, janë lodhur duke u ankuar nëpër dyert e institucioneve evropiane për mosliberalizimin e vizave... Por në fund të fundit, sot, shqiptarët gëzojnë të drejtën të lëvizin pa viza në Europë, me gjithë investimin edhe personal të Edi Ramës, për të kundërtën.
Në vijim të politikës së tij më se dy vjeçare, Edi Rama sërish tashmë i është kthyer bllokimit të marrjes së statusit kandidat për në BE të vendit tonë. Këtu duket se “po i buzëqesh paksa fati”, sepse të vetmen gjë që ka në dorë, votën konsensuale, nuk pranon ta japë për reformat integruese. Se sa për anëtarësimin në NATO, apo liberalizimin e vizave, Edi Rama nuk pati gjë në dorë për ti penguar si procese, veçse të vetëpërjashtohej nga bërja pjesë e këtyre eventeve historike.
Këtë tentativë për bllokimin e aspiratave për integrimin e vendit në NATO apo edhe në BE, Edi Rama e ka shoqëruar ngushtësisht me një theksim të linjës antiamerikane e antiperëndimore. Këtë e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë, për një arsye sa të thjeshtë aq edhe banale. Sepse..., sepse..., ai sheh te “rreziku euro-amerikan”, mbështetësit, apo shprehjen e simpatisë së këtyre, për qeverinë. Kjo, sipas “syzeve”, me të cilat i sheh Edi Rama, qëndrimet ndërkombëtare ndaj qeverisë shqiptare. Sipas, logjikës së sjelljes së Edi Ramës, integrimi i Shqipërisë në NATO e në BE, janë bonuse, që “shpërndajnë amerikanët dhe europianët për qeverinë dhe nuk lodhet të mendojë e të besojë, se këto bonuse të merituara janë për gjithë shqiptarët.
Për Edi Ramën në krye të PS-së, në tentativën e tij të sforcuar për “ta kthyer në identik” këtë parti, duket ka zënë vend identiteti bolshevik i Partisë së Punës, sipas së cilës, pjesë e rëndësishme e doktrinës së saj ishte barazimi në mjerim i shqiptarëve dhe “mbijetesa me forcat tona”. Duke i parë arritjet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, vetëm bardhë e zi, ai mendon dhe beson, se për shkak të çmimit të qumështit, i cili sipas tij është i shtrenjtë, shqiptarët nuk kanë pse të bëhen anëtarë ët NATO-s, apo të aspirojnë të jenë pjesë edhe e familjes së madhe të BE-së.
Në funksion të kësaj, bllokimin sa të mundet të integrimit në BE, Edi Rama ka bërë prej kohësh pjesë axhendës së tij politike, politikat bllokuese, të cilat korrespondojnë me axhendën e re politike parakongresuale të tij, gjatë së cilës ai duhet “të sqarojë” disa probleme me humbjen e radhës së zgjedhjeve të radhës. Për këtë ai ka zgjedhur që “me qitje të largët”, të godasë nga të mundet, duke ju rikthyer fronteve “të vjetra të luftës”, brenda apo edhe jashtë Shqipërisë.