E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konsumi i tepruar e këput litarin!

04-10-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Letër e hapur shokut Rama,
“Meqë po na mësoni me letra të hapura, po ju drejtohem drejtpërdrejt. Ti s’e dhe dorëheqjen si kryetar i PS-së, meqenëse nuk e quajte veten humbës në 2009-n. T’i vodhën votat! Pse s’ia dhe këtë leksion edhe shokut F. Nano, që të mos jepte as ai dorëheqjen? Apo se ato të 2005-s nuk paskëshin qenë të manipuluara, kurse ato të 2009-s, na qenkëshin të manipuluara! Edhe mua, sipas teje, m’i vodhën votat. Atëherë përse mua ma mohon kandidaturën për deputet? Apo unë duhet të pranoj se nuk m’i vodhën votat?! Atëherë as ty nuk t’i vodhën! Kështu që penalizimet duhet të fillojnë nga ti!”

Mund të jepen argumente të panumërta që E. Rama e ka si taktikë që t’i zvarritë  problemet e përbashkëta ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. Dhe, pastaj, kostot e dëmit duhet t’i paguajnë të tjerët!
Vetëm për bojkotimin e punimeve parlamentare për 2 vjet, të kritikuar édhe nga faktori ndërkombëtar, édhe nga socialistë kritikë ndaj tij, brenda radhëve, nuk ka se nga ia mban për të bërë fajtore mazhorancën. Megjithatë hilja është gjithmonë në gjuhën e tij: Nuk thotë “gabova”, por thotë “gabuam”. Nuk ka asnjë  naiv brenda radhëve, palé më gjerë, që të mendojë se i eturi për bojkotim parlamentar, - bllokim që ishte i padobishëm, qoftë për partinë që përfaqëson, madje as për veten e tij, -  që të mendojë se ky gabim (aspak i vogël, aspak për të kaluar pa pagues harxhesh politike), duhet përmendur në shumës dhe jo në njëjës. Demek, se shmangia nga parlamenti nuk kishte autorësinë e tij vetjake, por ishte kolektive (!).
Mbahet mend se deputetët e papaguar socialistë rrezikonin të kalonin çdo limit kohor, me pasoja të mbetjes pa rroga. Me urdhër të Edvinit, sigurisht. Gjendja u tensionua dhe u bë e nderë  aq tepër brenda radhëve, sa nuk ishin të paktë ata parlamentarë socialistë që e kërcënuan se do të hynin në parlament, pa miratimin e tij.
Gjendjen përcëlluese e shtensionuan personalitetet euroatlantike, të cilët u prononcuan hapur, në këtë rast, se Rama nuk mund të shkonte më tej me bllokimin e punimeve të parlamentit.
Deputetët u qetësuan, ndonëse sabërlliu që s’ka ç’bën, e paraqiti hyrjen në parlament si zemërgjerësi të tijën, apo një lëshim që i bëri mazhorancës! Por, a ishte i sinqertë?
***
Veçse duket se mund të ndërrohet qimja, por jo huqi. Edhe tani, që jemi para një interesi mbarëpopullor, për të plotësuar kërkesat mirëdashëse të komunitetit europian për 12 prioritetet që na japin mundësinë të fitojmë statusin për kandidaturën e aderimit në BE, Edvini bën një lojë të dyfishtë: Nga njëra anë tregohet i zellshëm për hyrjen në BE, nga ana tjetër vazhdon me atë, nga e cila duket se e ka të pamundur që të heqë dorë. Kuptohet se e kemi fjalën për kushtëzimet: Nëse na kërkohet që të krijojmë harmoninë dhe mirëkuptimin që të bëjmë një marrëveshje parlamentare, E. Rama bën shkresurina dhjetë pikash, si kusht që të biem dakord! Këmbëngul, për shembull që vendimet në parlament të bëhen me votë të mbyllur. Por dr. Berisha vërtet është shprehur që do të pranojë kodin zgjedhor, përpilimin e rregullores së parlamentit,  votimet me votë të cilësuar etj., por, ama, që të jenë të përputhshme me ligjet përkatëse të BE-së, ku mëtojmë të hyjmë. Nëse votimet në SHBA dhe në BE bëhen me votë të hapur, Edvini i kërkon me votë të fshehtë, në vendin tonë! Ku e ka hallin? Të stimulojë blerjen e votave e të shndërrohet parlamenti në pazar të shitjes së  ndërgjegjes? Në kodin zgjedhor, duhen qartësuar, sigurisht, ambiguitetet. Por kurrsesi nuk mundet t’i marrë lumi votat në kutinë e gabuar! Mohohet barazimi i votës, i përcaktuar në Kushtetutë. Nga ana tjetër, në komunitetin ku synojmë të hyjmë, nuk e ka përparësinë  kutia mbi vullnetin!  Kushtëzimet arrijnë gjer te ndryshimet në kushtetutë, ndërsa u vu njëherë dorë në amendamente kushtetuese, me kërkesë të Ramës. Por nuk mund të ndryshohet kushtetuta, sa herë që ai të ndryshojë mendim, se kështu ia do interesi i tij vetjak! Tanimë ka kaluar koha që parlamenti t’ia paraqesë e dosjen e plotësuar BE-së. Por ne folëm për zvarritjet  mujshare të Ramës. Edhe për kandidaturën për mandatin e kryetarit të bashkisë, çoroditi dynjanë me “e vë, s’e vë”! Gjersa, gati në mbarim të kohës, vuri të vetën! Dhe e humbi, se nuk u shenjtërua kutia (!), por vullneti i lirë! Që të vijmë edhe njëherë te përgjegjësia për mungesën e kohës së nevojshme, të paraqitjes së dokumentacionit BE-së, ai dhe papagajtë e tij kanë të njëjtin refren: Fajin e ka mazhoranca! Sipas shabllonit qesharak të fushatës zgjedhore, “Fajin e ka Berisha”! (Kush të autorizoi ty që të proklamosh fajësitë, pa qenë as gjyqtar, as prokuror, as titullar i organeve zgjedhore!).
***
Një problem tjetër është se ky individ, në vend që të pakësojë kundërthëniet, po i shton ato gjer në absurd. “Nuk kanë të drejtë të kandidojnë për deputet, ata që kanë humbur zgjedhjet!”. Duhet nënkuptuar se humbësi më i madh, humbësi  spektakolar, nuk penalizon edhe vetveten, sikur ai nuk i paska humbur zgjedhjet e 2011-s! Nëse zgjedhjet e 8 majit kanë qenë të manipuluara, atëherë përse ai humbësi tjetër i PS-së qenka fajtor? Ky mllef i papërmbajtur kundër humbësve zgjedhorë, i presupozon zgjedhjet e lira. A nuk e kupton këtë lidhje logjike Edvini? Ai ka notuar vazhdimisht në dallgë shumëballlëshe vetëm me gozhdën e Nastradinit, “Na i vodhën votat!”.  Me vota të pavjedhura, ai duhej të ishte i pari që të jepte dorëheqjen! Pastaj duhej të dorëhiqej Besnik Bare dhe të tjerët! Na del se votat janë të manipuluara ose jo, sipas interesit individual të këtij inkoherenti “par excellence”. Në 2005-n nuk u manipuluan, që të merrte pushtetin partiak. Në të gjitha pasardhëset u manipuluan, që të mos e lërëpushtetin bashkiak  Ky zhvatës pushtetesh nuk e njeh proverbin “në shtëpinë e të varurit nuk përmendet litari!”.
Ai e përmend litarin kudoherë e vazhdimisht. Edhe litari prej çeliku mund të këputet. Palé ai prej liri, nga konsumi i tepruar!   

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›