Berisha Si e menjanova Gloverin nga zgjedhjet

Kryeministri Berisha tregoi dje të gjithë të vërteten për sa u përket marrëdhënieve të tij me ishdrejtuesen e misionit të vëzhguesve, të ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2009. Në një konferencë për shtyp të mbajtur në Kryeministri me rastin e mbylljes së vitit 2010, Berisha rrëfeu se zgjedhja e Gloverit në krye të misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet ishte e paracaktuar dhe e sinkronizuar me veprimet e Partisë Socialiste të drejtuar nga Edi Rama. Sipas Berishës, ai nuk e kishte pritur aspak mirë ardhjen e saj në Tiranë dhe madje e kishte shprehur këtë shqetësim në rrethet diplomatike. Madje, Kryeministri deklaroi se ai nuk kishte zhvilluar asnjë takim me të, gjatë kohës që qëndroi në Shqipëri dhe ishte ankuar tek ambasadorja britanike në Tiranë, në lidhje me deklaratat që sipas tij, Glover, bënte në kundërshtim me realitetin. “Thirra ambasadoren angleze dhe i thashë që nuk do të lejoja që askush të bënte megafonin e prishur me zgjedhjet e lira të shqiptarëve”, tregoi Berisha, duke theksuar se këto veprime ishin ndërmarrë për arsyen se ishte mbrojtur vota e qytetarëve shqiptarë. Kryeministri Berisha foli për arritjet e Shqipërisë në një vit, duke e vënë theksin te lëvizja e lirë që fituan gjatë këtij viti shqiptarët. “Viti 2010, falë reformave të thella, shënoi arritjen e dytë më të madhe në rrafshin e lirive dhe të drejtave njerëzore, të dinjitetit të tyre. Pas arritjes që erdhi me rënien e perdes së hekurt, shqiptarët përfituan lëvizjen e lirë. Shqipëria është tashmë një zonjë në Europë. Shqiptarët për herë të parë, do të lëvizin në Europë si zonja e zotërinj të vërtetë. Kjo është arritja më e madhe e kësaj qeverie. Më e merituar, që ka qenë ndër më të vështirat se për çdo komb tjetër”, vlerësoi Berisha në fjalën e mbajtur përpara gazetarëve me rastin e festave të fundvitit. Madje, Berisha nuk harroi të theksojë se pati shumë përpjekje të opozitës për të bllokuar vizat dhe se të gjitha nismat e marra nga kryetari i opozitës, Edi Rama, gjatë një viti kishin si synim të tyre të mos lejonin që liberalizimi të ndodhte. “E gjithë beteja absurde, e ngjashme me zhvillimet në veprat e Franc Kafkës, kishte një qëllim, të bllokoheshin vizat. Për të bllokuar vizat, nuk u njohën zgjedhjet, u ndërmor greva qesharake, u bojkotua Kuvendi. Donin t’i fusnin vizat e shqiptarëve në kufi. Kreu i opozitës ndërmori fushatën më të zezë kundër interesave të shqiptarëve, hap kutitë, e çliro vizat ishte motoja e tyre”, theksoi Berisha. Sipas tij, gjatë vitit 2010 qeveria ka pasur sukses edhe për sa i përket respektimit të lirive dhe të drejtave të shqiptarëve, madje edhe të opozitës në kushtet kur vendi të ndërmarrë grevën e saj të urisë. Po kështu, sipas Berishës, brenda këtij viti u ridimensionua liria e shtypit dhe gjatë 2010-s nuk pati as një padi të vetme, civile apo penale ndaj medias. Nga ana tjetër, Berisha deklaroi se viti që po lëmë pas u shqua edhe për luftën e pakompromis që qeveria zhvilloi ndaj korrupsionit. “Ky ishte viti me rezultate të mëdha në luftën kundër kancerit korrupsion. Lufta kundër tij njohu shpejtësi të reja”, theksoi Berisha, duke u shprehur se në Shqipëri ka një histori të suksesit të vërtetë në luftë kundër këtij fenomeni.