E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqtari nen hetim favorizoi te pandehurin

Korrupsioni Prokuroria e Përgjithshme, kërkesë KLD-së për heqjen e imunitetit për Alvano Muratajn

Drejtësia vihet në shërbim të të pandehurve. Një gjyqtar i Korçës ka “mbrojtur” në dëshminë e tij një të akuzuar për korrupsion pasiv, megjithëse gjatë dëshmisë paraprake në prokurori do të deklaronte se nuk kishte lidhje me këtë të pandehur. Rasti është diskutuar gjatë në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm dhe në fund është vendosur që ndaj gjyqtarit Alvano Murataj të hetohet për akuzën e dëshmisë së rreme. Burime zyrtare nga akuza qendrore thanë se “Prokuroria e Pogradecit ka filluar procedimin penal ndaj shtetasit Alvano Murataj, gjyqtar pranë Gjykatës të Rrethit Gjyqësor të Korçës, për dëshmi të rreme. Me këtë rast, Prokuroria e Përgjithshme ka përcjellë pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë kërkesën e Prokurorisë së Pogradecit, për autorizim për procedim, heqje imuniteti, për vijimin e hetimit në ngarkim të shtetasit Alvano Murataj”.

Të njëjtat burime deklarojnë se procedimi penal ndaj Muratajt bëhet pasi gjatë një procedimi penal për veprën penale të korrupsionit, ai është thërritur me statusin e dëshmitarit, ku ka dhënë shpjegime në fazën e hetimeve paraprake, të cilat janë vlerësuar si të drejta dhe në përputhje me të gjitha provat e tjera. “Në seancën gjyqësore për këtë çështje, kur është thirrur të pyetet si dëshmitar, shtetasi Alvano Murataj, ka ndryshuar thëniet duke dhënë dëshmi të rreme në favor të të pandehurit”, vijon komunikimi me mediat i akuzës qendrore. Sipas saj, gjyqtari është thirrur dëshmitar në procesin ndaj ish-kancelarit të Gjykatës së Korçës dhe shefit të personelit të burgut të Drenovës të akuzuar për korrupsion pasiv. Këta persona kanë kërkuar një shumë prej 500,000 lekësh të reja për të bërë të mundur nxjerrjen sa më të shpejt të një vendimi ekzekutimi për një çështje pronësie. Arben Hoxha, shefi i personelit të burgut dhe Shkëlqim Kajmaku, ish-kancelari, akuzohen për veprën penale të “korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike e kryer në bashkëpunim”. Sipas prokurorisë, Hoxha është kapur me shumën e porsamarrë nga shtetasi Kristaq K. Mësohet se qytetari ka kërkuar ndihmën e drejtuesve të lartë të Policisë së Korçës, por dhe SHISH-it pas kërkesës që i kishte ardhur nga dy zyrtarët për të paguar shumën e lartpërmendur. Për këtë çështje është marrë dëshmia e gjyqtarit që ka dhënë vendimin, i cili ka deklaruar në prokurori se nuk ka dijeni për këta persona, ndërsa në gjykatë ka ndërruar thëniet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›