E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuza Imuniteti pengon hetimin per Rulin

Koncesioni Prokuroria: Do të verifikojmë faktin kriminal të denoncuar publikisht

Denoncimi publik për koncesionet e kromit, por edhe kallëzimi i Partisë Socialiste për këtë fakt kriminal po verifikohen nga njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, e cila pas verifikimit të dokumenteve paraprake mund të fillojë një hetim, por pa emra personash nën hetim. Imuniteti i deputetit duket se e shpëton Genc Rulin nga çdo lloj hetimi, madje ai nuk mund të thirret në prokurori për të dhënë shpjegime për këto fakte të paraqitura nga opozita.

“Denoncimet publike dhe kallëzimi i PS-së po verifikohen nga njësia Task-Forcë. Paraprakisht, verifikimet po kryhen në bazë të pretendimit për vepër penale për koncesionet e kromit dhe jo emra personash të paditur në prokurori. Ministri dhe deputeti Genc Ruli nuk mund të hetohen nga prokuroria. Ndaj këtij personi nuk mund të kryhet asnjë hetim dhe hetuesit nuk mund të ‘investigojnë’ për të, pasi provat e marra në këtë fazë mund të rrëzohen nga gjykata”, thanë burimet nga akuza qendrore duke shtuar se ndaj ministrave apo deputetëve nuk mund të dërgohet as fletëthirrje për dëshmi.

“Ministrat dhe deputetët mund të ftohen për dëshmi në organin e akuzës”, saktësojnë të njëjta burime, duke shtuar se janë të hapur nga çdo lloj bashkëpunimi me të gjitha krahët e politikës.

Megjithatë, hetimi duket se po merr formë ligjore dhe tashmë pritet hapja e procedimit penal. Problem për grupin hetimor janë dëshmitë e kallëzuesit dhe të paditurit. Ministri Genc Ruli ende nuk ka dhënë shpjegime për privatizimin e ish-ekspozitës “Shqipëria sot” para Prokurorisë së Tiranës, e cila ka nisur një hetim pas deklaratave të deputetit Eduart Shalsi. Ky i fundit ka pranuar kohë më parë për të dhënë shpjegime, ndërsa ende ministri Ruli nuk është paraqitur. Akuza “ngushëllohet” se nuk kanë tagrin t’i dërgojnë një fletëthirrje, aq më tepër për ta vënë nën përgjegjësi ligjore, për shkak të imunitetit.

Ajo çka mund të verifikojnë hetuesit është mënyra e dhënies së koncesioneve të kromit nga Ministria e Ekonomisë, pasi ka dyshime të konfirmuara për abuzime. Megjithatë mësohet se po verifikohen procedurat nëse ka qenë në përputhje me ligjin kur ish-ministri i Energjetikës, Genci Ruli, ndryshoi marrëveshjen koncesionare dhe shtyu pagesën e gjobës për shoqërinë që ka marrë me koncesion minierën e kromit në Bulqizë. Sipas burimeve nga Task-Forca, kjo procedurë verifikimi ndiqet për të parë nëse vendimi i Rulit përbën vepër penale dhe ka mundësi për çeljen e hetimeve për këtë çështje. Ruli, aktualisht ministër i Bujqësisë, dyshohet se në korrik të vitit 2009, vetëm dy ditë pas kërkesës së kompanisë koncesionare, ka firmosur ndryshimin e marrëveshjes koncesionare pa e kaluar atë më parë për miratim në Kuvend, çka lehtësoi kompaninë nga gjoba prej 1.6 milionë eurosh dhe detyrimet e investimeve të parealizuara. Opozita ka kërkuar nisjen e hetimeve nga prokuroria, duke dyshuar aferë të dyshimtë nga ministri Ruli, e cila i ka kushtuar buxhetit të shtetit një dëm prej miliona eurosh. Konkluzionet e KLSH-së nxjerrin në dukje se Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në periudhën 2007-2009 (në shtator 2009, Ruli la detyrën), ka kryer një sërë shkeljesh të ligjit “Për koncesionet”, ndërsa janë vërejtur shumë kontrata që nuk janë respektuar si nga ministria ashtu dhe nga kompanitë e huaja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›