E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Sido që të jetë rezultati, do ta përshëndes

 Ai premtoi se qeveria është e angazhuar që procesi të përmbyllet me sukses dhe që çdo votë e qytetarëve shqiptarë të marrë vlerën që meriton.

“Dua të theksoj këtu se një fazë shumë delikate është duke u kompletuar për të finalizuar numërimin. Në Tiranë, është një dopio, është qyteti disa herë më i madhe dhe përveç kësaj ka dy votime për këshilltarët dhe për kryetarë. Ky proces duhet të sigurohet me transparencë të plotë dhe pa dyshim duhen shqyrtuar ankesat”, theksoi kryeministri para pak momentesh.

Ai shtoi se kishte besim tek institucionet siç është Komisioni Qendror i Zgjedhje dhe Kolegji Zgjedhor për të shqyrtuar të gjitha problematikat. “Është vendosmëria ime që ky proces të përfundojë brenda standardeve që kanë zgjedhjet e lira”, vijoi ai.

I pyetur për mos njohjen e rezultatit për Tiranën, Berisha u përgjigj se mazhoranca është e detyruar të zbatojë me përpikëri ligjin. “Të bëjnë gjithçka që procesi të zhvillohet në përputhje me shtetin ligjor. Ajo që unë nuk mund të marr përsipër kurrë: raportin e politikanëve me votën e shqiptarëve. Ajo është një palcë e kulturës së çdo politikani. Në qoftë se je në politikë, je për të shfrytëzuar të gjithë potencialin, por je i detyruar për të pranuar verdiktin e popullit tënd. Unë mbeten i vendosur që të përshëndes sapo KQZ-ja të japë rezultatet. Ne i kemi rezultatet nga të dhënat tona, por nuk i lejojmë vetes që të parakalojmë institucionet zyrtare. Unë pres që të finalizohet rezultati dhe të përshëndes të zgjedhurit”, shtoi kreu i qeverisë.

I pyetur rreth deklaratës së Ramës, se zgjedhjet në terren ishin të këqija, Berisha u përgjigj: “Deklarata e Z. Rama ishte në një moment hutie. Nuk mund të thuash që zgjedhjet në ekran ishin kështu dhe në realitet ishin ndryshe. Përmend këtu daljen e z. Rama me kryetaren e re të bashkisë së Burrelit. Z. Rama i djeshëm përgënjeshtroi z. Rama të pardjeshëm”. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-05-10 13:40
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›