Protestë e diskredituar
Boshatiset sheshi, me gjithë thirrjet antishtetërore të xhaketave të vjetra komuniste. Protesta mbetet vetëm në kokën e Edi Ramës dhe të çunakëve të tjerë që s’i ka votuar njeri. Aksioni politik është diskredituar dhe ka zgjuar irritimin e mediave në Kosovë e Maqedoni si dhe të lexuesve në të gjithë botën, të cilët e klasifikojnë atë si një protestë antikombëtare. Edvini futet në çadër si diktatori i Libisë Ghedafi dhe lëshon klithje antiperëndimore për përshkallëzim, por numri i protestuesve është aq i vogël, sa as ndonjë ndihmë e mundshme sllave s’do të mund ta nxjerrë nga situata
Dje ka qenë një ditë e zezë për ambiciet e Edi Ramës. Numri i protestuesve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është zvogëluar në mënyrë të frikshme, duke mbërritur deri tek kufiri kritik i pjesëmarrësve në hajgaret e zakonshme të OJQ-ve. Fotografitë flasin vetëm për disa njolla njerëzore, për të cilët 20 çadra janë tepër, sepse s’kanë ç’u duhen aq shumë. Refreni i emisioneve të mëngjesit nëpër televizione e më pas edhe i pasfjalimeve bajate ka qenë diskreditimi. S’janë dashur tre ditë, por vetëm një ditë e gjysmë për të nxjerrë krejt imazhin e diskredituar të një aksioni politik që është në kundërshtim me aspiratat kombëtare të shqiptarëve, por edhe në kundërshtim me vetë interesat e së majtës. Protestuesit kanë avulluar dhe protesta masive ka mbetur vetëm në kokën e Edi Ramës dhe të industrialistëve të shpifjes që ai ka pranë. Dje kemi asistuar në përpjekjen e parë të frikshme për t’u paraqitur shqiptarëve imazhin e trukuar të një proteste që s’është, nëpërmjet ekraneve të blera, krejt njëlloj si Enver Hoxha u përpoq të fabrikonte një luftë që s’e kishte bërë në fakt, përmes krijimeve të trukuara të Kinostudios. Mediat on-line, të vetmet që duket se janë pak më të çliruara nga tutela edviniste, gjithë ditën janë bombarduar nga mesazhet e shqiptarëve nga të katër anët e vendit, nga Kosova, Maqedonia apo edhe diaspora, të cilët e klasifikonin aksionin e PS-së me emrin e vet të vërtetë; një aksion i diskredituar dhe një përpjekje antikombëtare. Për të ndalur bumerangun nuk ka mjaftuar as skema me pagesë që Edi Rama përdor në raste krizash, siç është shpërdorimi i një kushëriri të vet në një agjenci ndërkombëtare lajmesh, i cili brenda ditës, u detyrua ta publikojë dy herë lajmin për protestën, njëherë me vlerësimin se në shesh ishin “mijëra vetë” e herën e dytë se në shesh ishin “dhjetëra mijëra vetë”, frazë e trukuar e cila më pas do të rimerrej nga industrialistët e shpifjes si e vërteta biblike në gazetat e së nesërmes.
Është krejt e qartë se protesta s’ka jo numrin masiv që do të duhej që të shndërrohej në një forcë të mirëfilltë transformuese të skenës politike shqiptare, por as numrin modest që ajo të ketë një reagim zyrtar nga mazhoranca, pra që të konsiderohet prej saj. Imagjinoni se në këtë situatë surreale, vetëm Edi Rama dhe të tjerët në çadër (Ngjela, Gjinushi, Ndoka e ndonjë opozitë tjetër karavidhe) - njëlloj si Ghedafi në shkretëtirë që lëshon mallkime antiperëndimore – kanë guximin të flasin për përshkallëzimin e protestës, pa thënë se ç’kuptohet me përshkallëzim e se me ç’njerëz do ta kryejnë atë; me rekrutë civilë që s’janë më, apo me rekrutë ushtarakë që kushedi se nga ç’hapësirë sllave mund të vijnë.
Kronika e haxhiqamilizmit - Ditziu, Dokle, Tahiri dhe Shalsi, inkurajuan dje
rrugaçërinë me thirrje antishtetërore/Pasi i lanë mbrëmë në të ftohtin e prag-dimirt disa protestues mercenarë, të sistemuar në disa çadra pink, sot në mëngjes u rikthyen në bulevard, servilët e Edi Ramës, për tu bërë thirrje për qëndresë dhe radikalizim të protestës. Me radhë, deputetët e klikës së Edvinit, Namik Dokle, Sajmir Tahiri, Ditzi Bushati dhe Eduart Shalsi i deklaruan protestuesve të rraskapitur nga i ftohti dhe nga pagjumësia se nuk duhet të dorëzohen, pasi urdhri i kryetarit është që të tubohet fuqishëm dhe të sfidohen torturat diabolike të trupit.
Kësisoj, deputeti i PS-së, Ditzi Bushati, duke shpërfillur gjendjen e rëndë shëndetësore të disa të moshuarve, ndaj të cilëve është shfrytëzuar gjendja e rënduar sociale, për t’i paguar që të qëndrojnë në të ftohtë, tha se përshëndetja e Berishës nga kryeministria ishte provokimi i radhës.
“Por ai mori përgjigje dje me protestën që bëri xhiron e botës”, u shpreh Ditziu, duke harruar faktin se agjencitë e huaja raportuan për vetëm 3000 protestues dhe si për çudi nuk kritikuan mazhorancën por ideatorin e këtij pështjelli të panevojshëm politik, opozitën. Ai aludoi se mazhoranca ka arsye të forta për të mos pranuar kërkesën për hapjen e kutive sepse e di çfarë fshihet pas tyre.
Sipas Ditziut situata që është krijuar nuk ka lidhje vetëm me deputetët e opozitës por me gjithë shqiptarët.
Ndërkohë deputeti socialist Namik Dokle, duke justifikuar torturën dhe rraskapitjen e atyre pak protestuesve në bulevard, tha se protesta e PS-së ka për qëllim të mbrojë të vërtetën për votën.
“Kërkesa jonë është për transparencë dhe këtë nuk e mohon dot askush”, tha ai, duke shmangur llogari dhënien e disa socialistëve pjesëmarrës në protestë se edhe sa do zgjasë rraskapitja e tyre.
Edhe deputeti tjetër, Eduard Shalsi, nuk u interesua shumë për situatën shëndetësore të mercenarëve që tashmë kanë kaluar 2 net në të ftohtin e prag-dimrit, por tha se ishte i habitur nga përshëndetja demokratike e kryeministrit Berisha dje, duke e cilësuar këtë si një provokim.
“Po flisja kur Berisha na provokoi me përshëndetjen e tij, por nuk mbeta i habitur me këtë gjest të tij”, tha ai.
Megjithatë, mbrëmë u kalua nata e dytë në të ftohtë. Dyshimet për keqësimin e gjendjes shëndetësore të protestuesve janë gjithnjë e më evidente, por edhe sot do të përsëritet i njëjti refren.
Ata do të vizitohen nga Edvini, Ditziu, Sajmiri, Erjoni, Gramozi dhe Namiku, të cilët do të përpiqen tu japin kurajë që të vazhdojë qëndresën nga shtetit, por kjo e fundit është në pikëpyetje, sot pritet që protestuesit të shpërndahen dhe të mbyllet kapitulli i protestave të dështuara.
Përmbajtja e buletineve që shpërndau Edvini ditën e dytë, për bujtësit e orëve të vona të natës
Sërish ka vazhduar dje shpërndarja nëpërmjet SMS-ve e buletineve dhe qarkoreve që udhëheqësit e lartë të PS-së, i adresonin protestuesve të grumbulluar para Kryeministrisë.
Buletin Nr. 3 i KQ te PSSH:
KQ i PSSH njofton të gjithë votëhumburit në mbarë globin se nën tingujt e këngëve partizane, protesta po merr hov të fuqishëm. Sektori i agjitacion-propagandës pranë KQ të PSSH, i përbërë nga shokët Anila Basha, Sokol dhe Belinda Balluku, si dhe shoku Shalsi, në zbatim të mësimeve të udhëheqësit të dashur të partisë dhe të popullit, shokut Edvin Rama, kanë pushtuar heroikisht regjitë e transmetimit të mediave, duke e shndërruar në një fanar ndriçues për të gjithë humbësit e të pashpresët e globit.
Buletin Nr. 4 i KQ te PSSH:
Në sajë të punës së palodhur të shokëve të G 99-s, filloi funksionimin e saj “Radio Protesta”. Në njoftimin e saj të parë u transmetua me sukses përshëndetja e shoqeve dhe shokëve të kolektivit punonjës të Ndërmarrjes së Gjelbërimit Berat, për shokët e Policisë Bashkiake Tiranë. Lart Frymën Revolucionare!
Buletin Nr. 5 i KQ te PSSH:
KQ i PSSH përgënjeshtron lajmet e pavërteta dhe të fabrikuara në zyrat e Berishës dhe aleateve të tij evropiane e amerikanë, se sot ndaj të gdhirë, gjatë zbrazjes së oturakëve të mbushur gjate natës, gabimisht në vendin e caktuar për nevojat personale, shokët e ngarkuar për mbajtjen e higjienës, kanë derdhur edhe shokun Erion Braçe. Njoftojmë votëhumburit në të gjithë botën se shoku Braçe gëzon shëndet të plote dhe është me i vendosur se kurrë të vazhdojë protestën deri në fitoren finale. Beteja vazhdon. Votëhumbur të të gjitha vendeve bashkohuni!
Qarkore e KQ PSSH:
Nën kushtet e rrethimit të egër “berishiano-evropiano-osce”-ist, shokët dhe shoqet po ruajnë frymën revolucionare. Solidaritet i paparë është vërejtur nga punonjësit e paguar të bashkive Tiranë, Berat dhe Vlorë, të cilët merituan titullin “Sulmues”. Solidaritet ka shfaqur edhe biznesi i madh. Kështu “G 99” ofroi 99 oturakë pas incidentit të mbrëmshëm, ku pas vjedhjes se oturakut të shokut Braçe nga policia e Berishës, shokët Pëllumbi, Brokaj dhe Dokle patën vështirësi fiziologjike e për pasojë u ndot tenda numër 7. “Populli në këmbë - partia në ballë” po dezinfektojnë tendën. Lart Frymën Revolucionare! Rroftë PSSH
Qarkore e KQ PSSH - Tepër Sekret”
Kjo letër të punohet vetëm me Byrotë e Partisë!
Gjendja morale-politike në çadra është e mirë, përveç ndonjë rasti sporadik që ka ndodhur në të gjitha çadrat. Oturakët e përdorur deri tani janë dëmtuar rëndë si rezultat i përdorimit pa kriter byth më byth nga shoku Namik, Edi, Ngjela, Rokaj dhe Brokaj. Në një oturak i cili ka qenë jashtë përmasave të përcaktuara (ose nuk ka qenë në normalitet të shokëve të udhëheqjes), shoku Erion Braçe ka rënë brenda, por tani raportohet se e ka kaluar rrezikun për jetën. Lart Frymën Revolucionare!