E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: S’ka hetim pa fakte 8 Maji, përgjigje për Ramën

Kryeministri insiston tek qëndrimi i palëkundur ndaj opozitës ndërsa ironizon duke thënë se do të jetë kryeministër edhe në vitin 2018

Kryeministri Sali Berisha ju rikthye dje konferencave të shtypit duke përsëritur pozicionin e tij të palëkundur për çështjen e hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Në komunikimin me median, shefi i mazhorancës ironizoi duke thënë se do të jetë përballë gazetarëve edhe në datën 3 janar 2018, për të bërë bilancin e potencialeve ekonomike të vendit tonë. “Kjo qeveri në respekt të palëkundur të opozitës ka ofruar aq sa janë jo një, por të shumtë miqtë e mi në Europë, që në mënyrë të përsëritur më kanë deklaruar se këto nuk ofrohen kurrë”, u shpreh Berisha. Ai komentoi edhe pjesën e protestave të opozitës dhe grevës së urisë, duke konstatuar se në atë kohë i ka dërguar fjalë Ramës duke i thënë se “duke ndenjur tek dera e kryeministrisë, kryeministër nuk bëhesh kurrë. Nuk është kjo rruga që të bën kryeministër. Kryeministri, normal që do t’u zgjidhë problemet të gjithë atyre që vijnë tek dera e kryeministrisë, por ata që vijnë tek dera nuk vijnë për t’u bërë kryeministër, por vijnë për të zgjidhur halle. Kjo është e vërteta”. Berisha akuzoi kreun e socialistëve se bëri gjithçka për të bllokuar vizat ndërsa ju rikthye seancave të fundit të Kuvendit, duke thënë se Rama nuk pranoi fjalën fakt, në nismën për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar. “Është shumë i pandershëm sepse aty në kërkesën e tij, ai thotë kemi fakte. Por, ti nuk ke fakte të përbaltësh votën e shqiptarëve, pasi nuk mund ta bësh dot kurrë këtë. Unë kam respekt maksimal për opozitën, por në mënyrë absolute nuk do të ketë forcë, e theksova dhe në parlament, se në se mafia shqiptare do të përpiqet të nëpërkëmbë votën e shqiptarëve, do të dështojë, sepse vullneti ynë është i hekurt që shqiptarët të votojnë të lirë”, këmbënguli Berisha. Ky vend ka njohur çdo gjë, vijoi ai, dhe kur unë u akuzova për krime kundër njerëzimit, 8 muaj para Slllobodan Millosheviçit, të paktën paraqitën një provë, një shishe Coca-Cola, me limonatë, kurse ky nuk ka asnjë fakt, asnjë dokument, asnjë dëshmi dhe kur bashkëpunëtorë të tij i thonë se kjo është e turpshme. Berisha insistoi në faktin se qeveria ka treguar se ka vendosur dhe do të vendosë standardet më të larta ndaj opozitës, por qeveria nuk do të mund të pranojë kurrë shkelmimin e parimeve me themelore të një shoqërie të lirë. “Në Shqipëri ka neobllokmenë si ky që duan të shkelmojnë votën. Ekstratokësorë? Jo ai është tokësor dhe drejton forcën politike kryesore. Pra, nuk bëhet ndryshe. Qeveria ka qëndrimin e vet shumë të qartë, do t’u ofrojë bashkëpunimin e vet maksimal në kuadrin e parimeve themelore, të lirisë, të kushtetutës, të rendit. Qeveria mund të bëjë çdo gjë, por nuk ja heq dot nga koka, bunkerin zotërisë së tij”, u shpreh Berisha. I pyetur për protestat dhe për vazhdimin e qëndrimit të kushtëzuar të opozitës ndaj parlamentit, shefi i mazhorancës tha se “u takon shqiptarëve ta vendosin dhe do ta vendosin. 8 maj është një datë, në të cilin shqiptarët do të dinë mençurish të përcaktojnë të ardhmen e tyre, do të dinë të çlirohen në mënyrë përfundimtare nga psikologjia e bllokut”. Unë ju siguroj, vijoi ai, se këtë vit qeveria do të bëjë gjithçka ka në dorë për të përmbushur detyrimet e saj, por një gjë qeveria nuk mund të bëjë kurrë, të udhëheqë opozitën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›