Xhaçka: Nuk tërhiqemi nga transparenca e 28 qershorit
“Sali Berisha thotë që kutia i takon vitit të shkuar, por në fakt kutia e mbyllur është baza e pushtetit të tij të vjedhur”
Partia Socialiste ju kundërpërgjigj deklaratave të kryeministrit Berisha përmes deputetes Olta Xhaçka. Sipas saj, kryeministri dha një shfaqje shembullore të nivelit ku ka rënë puna e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë. “Lexoi detyrat e drejtorive të një agjencie shtetërore sepse ka harruar detyrat e tij. Sepse ka harruar 1 milion të papunët që i ka lënë pa shpresë. Ka harruar 540 mijë pensionistët që i la pa një qindarkë për Vitin e Ri. Ka harruar universitetet e spitalet pa asnjë kusht e standard shërbimi”, theksoi Xhaçka.
Sepse ka dështuar me ekonominë, vijoi ai, duke lënë në baltë Shqipërinë e shqiptarët. Ndaj në vlerësimin e deputetes socialiste, sot lipset që Shqipëria të ngrihet në këmbë për ta larguar këtë qeveri të dështuar që vodhi zgjedhjet, për të vjedhur Shqipërinë! “Sali Berisha thotë që kutia i takon vitit të shkuar, por në fakt kutia e mbyllur është baza e pushtetit të tij të vjedhur. Ky vjedhës votash ta harrojë se opozita do të heqë dorë nga transparenca e kutive të 28 qershorit. Djegia e fletëve nuk e mbulon dot krimin elektoral, që herët a vonë ne do ta bëjmë transparencën duke nxjerrë para syve të popullit manipulimin e materialeve zgjedhore”, këmbënguli Xhaçka. Sa për Edi Ramën, shtoi ajo, Berisha bën mirë të kërkojë falje për përrallën e gënjeshtrës së 20 përqindëshit që ua këndoi shqiptarëve 3 muaj paturpësisht, me gjithë fuqinë e altoparlantëve të pushtetit të vjedhur.