E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: S‘kemi nevojë për opozitën, qeverisim me 50+1

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje se mazhoranca është e gatshme të qeverisë vetëm me 74 votat që i ka në Parlament. Duke folur në emisionin "Opinion", Kryeministri tha se mungesa e opozitës nuk i shkakton asnjë problem Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, ndaj nuk ka probleme institucionale. "Ka zero vakum. Opozita mund të jetë në Parlament dhe ka refuzuar të votojë ligjet me 3/5 siç bëri me Gjykatën Administrative apo me policinë gjyqësore. Nëse opozita vjen në Parlament dhe vendos të mos votojë asnjë ligj me 3/5, ajo është zgjedhje që nuk ia imponon dot. Ne nuk kemi vakum ligjor. Parlamenti me 74 deputetë, 73 deputetë, me 72 deputetë funksionon me 4, 3 dhe 12 vjet. Kushtetutat e të gjitha vendeve dhe çdo vendi demokratik përcaktojnë. Mazhorancë mund të funksionojë dhe me 50+1". Kjo deklaratë ka ardhur pas insistimit të fortë të Kryeministrit se nuk do të bënte asnjë kompromis me opozitën. "Unë kam deklaruar se do të shkel për hir të zotit Rama ligjin organik për komisionet hetimore, por kjo është marrëdhënie brenda legjislativit. Nuk mund ta marrësh kurrë pushtetin gjyqësor. Nuk ka mënyrë për t‘u rinumëruar votat në mënyrë kategorike. Ka një konsensus absolut që gjykata është e vetmja instancë përfundimtare. Nëse dikush ndërton konceptin e tij mbi një kauzë mafioze natyrisht që s‘ka asnjë zgjidhje", deklaroi Berisha. Duke i mbyllur komplet derën një marrëveshje me të majtën, kreu i qeverisë shqiptare ka deklaruar se opozita mund të protestojë sa të dojë dhe nuk do të ketë asnjë ndryshim pozicioni. "Të protestojë sa të dojë. 40 orë kam vazhduar punën unë si çdo ditë tjetër. Dola dhe i përshëndeta. Ishte mjaft korrekte, sepse protestuesit s‘janë armiq. Unë nuk përshëndes armiqtë, por protestuesit, ata nuk janë armiq. Absolutisht ai edhe tre vjet le të rrijë aty të protestojë. Qeveria s‘ka të drejtë të cenojë të drejtën e opozitës të protestojë". Ndërkaq, Berisha ka kundërshtuar akuzat e bëra nga kreu i opozitës, Edi Rama, se ka internuar familjen e një mjeku, por ka kundërsulmuar ashpër duke akuzuar të atin e Ramës. Ndërkaq, Kryeministri ka kundërshtuar akuzat ndaj djalit dhe vajzës së tij, duke deklaruar se ata nuk kanë përfituar nga çështjet publike. Ndërkaq, pyetjes se ç‘mendon nëse ata dëshirojnë të hyjnë në politikë, Kryeministri Berisha deklaroi se "fëmijët e kanë derën e hapur të hyjnë kur të duan në politikë. Ata duhet të ecin vetë dhe jo nga i ati. Vajza ime të futet që nesër nëse e dëshiron, por në përputhje me rregullat e PD-së. Është e vështirë të bësh karrierë kur ke të bësh me emrin. Unë nuk i inkurajoj, por nuk i pengoj".

Y.Pata

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›