E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuta, përbërja e KLD-së dhe nevoja për ndryshim

Në mbledhjen e përgjithshme të trupës gjyqësore, që është thirrur nga një grup nismëtar përbërë nga përfaqësues të të dyja shoqatave të gjyqtarëve dhe kryetarja e Gjykatës së Lartë, për t‘u mbajtur në datën 05.12.2009, krahas çështjeve të tjera në diskutim, pritet t‘i jepet përgjigje edhe pyetjes:
"A duhet të plotësohen vendet vakant në KLD nga mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve apo duhet të pritet ligji i ri për Konferencën Gjyqësore?"
Opinionet për këtë çështje kanë qenë të ndryshme, të ndara kryesisht në dy kahe të kundërta dhe secila palë ka sjellë argumentet duke u mbështetur në parimet e shtetit ligjor dhe parashikimin e Kushtetutës.
Mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve, pavarësisht debateve të zhvilluara dhe mendimeve kundër që janë shfaqur, mendoj do të konkludojë se përgjigjja për këtë çështje duhet të jetë pozitive sepse:
Së pari: Sipas nenit 147/1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, qëndrimi në detyrë i anëtarëve të zgjedhur të KLD-së, është vetëm 5 vjet. Zgjatja e këtij mandati nuk parashikohet në Kushtetutë, prandaj vijimi i detyrës nga ana e dy prej anëtarëve të zgjedhur nga radhët e gjyqësorit në përbërjen e KLD-së, është i paligjshëm. Edhe ligji organik "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë" në nenin 6 përcakton se mandati i anëtarëve të zgjedhur të KLD- , është vetëm 5 vjet dhe se ai fillon nga data e zgjedhjes.
Vazhdimin e funksionit tej mandatit kushtetues, disa përpiqen ta justifikojnë me një paragraf të nenit 7 të ligjit "Për organizimin e funksionimin e KLD-së", sipas të cilit "...anëtarët e KLD-së qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e anëtarit të ri të tij".
Por ky pretendim nuk qëndron. Të paktën, për çdo jurist që ka njohuritë më elementare të së drejtës kushtetuese, është e qartë se mënyra siç është zbatuar deri tani dhe po tentohet të interpretohet më tej, neni 7/2 i ligjit të sipërcituar, nuk është i pranueshëm. Ai vjen në kundërshtim me qëllimin e ligjvënësit, i cili për këtë problem, shprehet qartë në parashikimin e nenit 6 të të njëjtit ligj.
Por më e rëndësishmja është se me këtë interpretim synohet të shkelet parimi kushtetues mbi prevalencën e normës kushtetuese mbi dispozitat e ligjeve të veçanta, duke i dhënë dispozitës së mësipërme fuqinë që s‘mund ta ketë.
Kushtetuta nuk lejon qëndrimin në detyrë të anëtarëve të KLD-së, tej mandatit 5-vjeçar, të cilin ajo vetë përcakton, nuk lejon vazhdimin e funksionit deri në zëvendësim.
Vullneti i kushtetutbërësit i shprehur në nenin 147/1 të kësaj Kushtetute, tregon se, veç detyrimit për të pasur në përbërje të KLD-së "9 gjyqtarë të të gjitha niveleve…", ka përcaktuar edhe mandatin kohor të këtyre anëtarëve.
Kushtetuta mjaftohet vetëm me përcaktimin se:
"Anëtarët e zgjedhur qëndrojnë në detyrë për pesë vjet pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme".
Ndërsa, në dallim nga mandati i anëtarëve të zgjedhur të KLD-së, për mandatet e disa organeve të tjera kushtetuese, rezulton qartazi se Kushtetuta, në përputhje me rëndësinë dhe rolin që luajnë këto organe në funksionimin e shtetit, kur ka dashur të realizojë zgjatjen e mandateve, e ka sanksionuar këtë në norma kushtetuese.
Kështu, në nenin 125/5 të Kushtetutës përcaktohet se:
"Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij".
Në të njëjtën mënyrë, në nenin 106 ka parashikuar Kushtetuta edhe vijimin e mandateve për Kryeministrin dhe ministrave, të cilët "…janë të detyruar të qëndrojnë në detyrë deri në formimin e Këshillit të Ministrave pasardhës".
Ndryshe nga këto dhe në mënyrë të ngjashme me mandatin e anëtarëve të zgjedhur të KLD-së, Kushtetuta parashikon edhe mandatin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.
Në nenin 136 të Kushtetutës përcaktohet mënyra e emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe në pikën "3" sanksionon "qëndrimin në detyrë të tyre për 9 vjet pa të drejtë riemërimi". Ndërsa në nenin 139 të Kushtetutës parashikohen rastet e mbarimit të mandatit të anëtarit të Gjykatës së Lartë, duke përcaktuar se "Mbarimi i mandatit të gjyqtarit deklarohet me vendim të Gjykatës së Lartë".
Pra, ashtu si për anëtarët e zgjedhur në përbërje të KLD-së (nga trupa gjyqësore apo nga Parlamenti) edhe për anëtarët e Gjykatës së Lartë, kushtetutbërësit kanë vendosur në të njëjtën mënyrë: Kushtetuta nuk lejon zgjatjen e mandatit të tyre tej afatit, deri në zëvendësim nga anëtari i ri.
Madje edhe në praktikën e Gjykatës së Lartë rezulton se me përmbushjen e afatit kushtetues, (pavarësisht ngarkesës së jashtëzakonshme në punë që ka ky organ), deklarohet menjëherë mbarimi i mandatit dhe anëtari i Gjykatës së Lartë pushon funksionin, pa pritur emërimin e anëtarit të ri.
Por, ndërsa anëtarët e zgjedhur të KLD-së, lidhur me vijimësinë e mandatit sipas Kushtetutës, kanë të njëjtin status si edhe anëtarët e Gjykatës së Lartë, me interpretimin e zgjeruar të nenit 7/2 "Për organizimin e funksionimin e KLD-së" synohet që atyre t‘u jepet një status më i privilegjuar, i ngjashëm me atë që gëzojnë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese apo ata të ndonjë organi tjetër kushtetues.
Në këtë kontekst, si dhe duke mbajtur në konsideratë përfundimin e Gjykatës Kushtetuese në vendimin e saj Nr. 29 datë 09.11.2005 se " atë që nuk ka dashur ta bëjë Kushtetuta nuk mund ta bëjë ligji", rezulton se parashikimi i nenit 7/2, të ligjit "Për organizimin dhe funksionimin e KLD-së" ka vlerë dhe duhet interpretuar, vetëm për rastet kur zgjedhja e anëtarit të ri bëhet përpara përfundimit të mandatit kushtetues të anëtarit në detyrë dhe se procedura për zëvendësim duhet të fillojë përpara mbarimit të mandatit kushtetues.
Edhe nëse do të bëjmë një interpretim të zgjeruar të ligjit "Për organizimin dhe funksionimin e KLD-së", për të legjitimuar zgjatjen e afatit të ushtrimit të detyrës së anëtarit të zgjedhur të saj, do të konstatonim se përsëri në vështrim të nenit 8 të këtij ligji, periudha maksimale brenda së cilës duhet të zgjidhet anëtari i ri është vetëm "45 ditë nga krijimi i vendit vakant", d.m.th. 45 ditë nga data që plotësohet afati pesëvjeçar i zgjedhjes së tij.
Megjithëse një interpretim i tillë është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe me dispozitat e mësipërme të saj, përsëri dy anëtarët që u ka mbaruar mandati, duhet të pushonin funksionin e tyre si anëtarë të KLD-së, muaj më parë.
Interpretimi se kjo dispozitë e ligjit mund të lejojë ushtrimin e detyrës së anëtarit të zgjedhur për një afat të pacaktuar, pas mbarimit të mandatit të dhënë në Kushtetutë, siç po ndodh realisht me dy anëtarët e KLD-së, është interpretim dhe qëndrim antikushtetues.
Së dyti: Në bazë të Kushtetutës, KLD-ja duhet të funksionojë duke pasur në përbërje 15 anëtarë, 9 prej të cilëve zgjidhen nga trupa gjyqësore e të gjitha niveleve, 3 zgjidhen nga Parlamenti dhe 3 janë anëtarë të saj, për shkak të funksionit (Presidenti, Ministri i Drejtësisë dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë).
Por, aktualisht, përbërja e KLD-së është vetëm me 13 anëtarë. Një situatë e tillë ka ndodhur prej muajsh, sepse dy prej anëtarëve të zgjedhur më parë nga radhët e trupës gjyqësore, janë larguar nga KLD-ja, për shkak të zgjedhjes apo emërimit në detyra të tjera.
Mungesa e këtyre anëtarëve në vendimmarrjen saj nuk ka qenë e nuk është e përkohshme, por është e përhershme.
Për rrjedhojë, mungesa e dy anëtarëve të zgjedhur nga gjyqësori dhe funksionimi i KLD-së me përbërje të cunguar, përbën cenim të integritetit të këtij organi kushtetues.
Për më tepër, një përbërje e tillë e KLD-së cenon edhe parimin kushtetues të shumicës së cilësuar të anëtarëve të zgjedhur nga trupa gjyqësore, gjatë vendimmarrjes, sepse nga radhët e gjyqësorit, tashmë janë në funksion vetëm 7 anëtarë dhe raporti me anëtarët jashtë gjyqësorit ngushtohet nga 3/5 që kërkon Kushtetuta në 6/7.
Madje, përfaqësimi i trupës gjyqësore në KLD, jo vetëm nuk është siç e kërkon Kushtetuta, me mazhorancë të cilësuar, por, "de jure", është në minorancë pasi dy anëtarët që u ka mbaruar mandati nuk duhet të jenë në përbërje të saj.
Së treti: Zgjedhja e anëtarëve të rinj nga mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve është në përputhje me Kushtetutën, si dhe me interpretimin që i ka bërë asaj Gjykata Kushtetuese duke e zbatuar në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Kështu, në paragrafët, 2 e 3 të nenit 4 të Kushtetutës, përcaktohet:
"… Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë.
Dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtpërsëdrejti, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe".
Nëpërmjet aplikimit të kësaj norme kushtetuese, mungesa e ligjit nuk ka penguar më parë organet kushtetuese, përfshi edhe KLD-në, të rinovohen e funksionojnë në përputhje me Kushtetutën.
Për më tepër, ndonëse Kushtetuta ka 11 vjet që ka hyrë në fuqi, ende ka organe kushtetuese që funksionojnë pa ligj, pra duke zbatuar drejtpërsëdrejti dispozitën e mësipërme.
Nënvizojmë gjithashtu se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e ka njohur edhe "mbledhjen e përgjithshme të gjyqtarëve" si institucion që mund të përmbushë detyrën kushtetuese të plotësimit të përbërjes së anëtarësisë të KLD-së.
Kështu në dispozitat kalimtare në nenin 179/3, Kushtetuta parashikon:
"Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë të zgjedhur nga radhët e prokurorëve, zëvendësohen me anëtarë të rinj të zgjedhur nga mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve".
Ky detyrim i Kushtetutës u plotësua nga trupa gjyqësore, jo vetëm në fillim, pra menjëherë pasi Kushtetuta u miratua, por edhe disa vjet më pas deri në vitin 2005.
Nuk u prit e nuk mund të pritej që Parlamenti të përgatiste e miratonte ligjin për funksionimin e Konferencës Gjyqësore dhe pastaj të zgjidheshin anëtarët e KLD-së. Madje, në këtë mënyrë janë zgjedhur edhe anëtarët që kanë përmbushur mandatin kushtetues dhe duhet të zëvendësohen menjëherë.
Në të drejtën e trupës gjyqësore për të përmbushur këtë detyrim kushtetues është edhe vetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 02.10.2008, sipas të cilit, një ndër shkaqet e shfuqizimit të ligjit nr. 9399 datë 12.05.2005 "Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare", ishte mospërfshirja e tërësisë së gjyqtarëve të të gjitha niveleve në zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Në pjesën arsyetuese të këtij vendimi, ndër të tjera thuhet se "Gjykata vlerëson se neni 147, pika 1, që ka sanksionuar kompetencën e Konferencës Gjyqësore Kombëtare për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga gjyqtarët e të gjitha niveleve mbetet një dispozitë e zbatueshme në mënyrë të drejtpërdrejtë".
Prandaj, edhe aktualisht, ndonëse nuk ka ligj për funksionimin e Konferencës Gjyqësore, jo vetëm nuk ka ndonjë dispozitë kushtetuese që të ndalojë mbledhjen e përgjithshme të gjyqtarëve e cila, veç të tjerave, duhet të plotësojë katër vendet vakante të KLD-së, por në të kundërt, vetë Kushtetuta e nxit, e inkurajon dhe e lejon në mënyrë të drejtpërdrejtë zëvendësimin e tyre menjëherë pas përmbushjes së afatit.
Së katërti: Një shkak tjetër, jo më pak i rëndësishëm që nxiti nevojën e plotësimit të menjëhershëm të vendeve vakante të KLD-së, siç, u evidentua edhe në mbledhjen e zgjeruar të Unionit të Gjyqtarëve në datën 07.11.2009 ishte edhe problematika e iniciativës së ndërmarrë nga KLD-ja, "për të realizuar një reformë të thellë në sistemin gjyqësor" në përputhje me dekretin e Presidentit të Republikës Nr. 6265 datë 16.09.2009 "Për caktimin e numrit të gjyqtarëve në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe të Apelit".
Në mbledhjen e fundit të vetë KLD-së, u vendos ndryshimi i metodologjisë dhe mënyrës së zbatimit të kësaj reforme të bërë publike më parë e që synonte transferimin e gjyqtarëve pa pëlqimin e tyre, si dhe kufizonte të drejtën e gjyqtarëve për konkurrim në gjykatat e rretheve Tiranë e Durrës, të cilësuar si gjykata karriere.
Tashmë zbatimi i dekretit të Presidentit pritet të realizohet në përputhje me kriteret kushtetuese që garanton të drejtën e gjyqtarëve për karrierë, si dhe palëvizshmërinë e tyre në detyrë.
Gjithsesi, kjo reformë është ndërmarrë dhe po synohet të realizohet në kushtet kur përbërja e KLD-së, siç u arsyetua më sipër, nuk përmbush kriteret e caktuara në Kushtetutë, sepse nuk siguron mazhorancë të cilësuar të anëtarëve të zgjedhur nga gjyqësori, siç ka qenë vullneti i kushtetubërësit.
Prandaj, rinovimi i KLD-së, është sot domosdoshmëri dhe njëherësh emergjencë.
Problemet kushtetuese për përbërjen aktuale të KLD-së, ndonëse janë lejuar në momentin e inicimit të reformës së pretenduar, duhet të korrigjohen tani, që është faza e përfundimit të saj.
Për këtë, më të interesuar se kushdo tjetër duhet të jenë edhe vetë anëtarët aktualë të KLD-së dhe drejtuesit e saj, ndonëse plotësimi i anëtarëve të zgjedhur të KLD-së, në përputhje me Kushtetutën, mund të sjellë edhe ndryshimin e përbërjes së saj.
Kuptohet tashmë se një ndryshim i tillë, i pritshëm i KLD-së, nuk është i përshtatshëm për gjithkënd, prandaj iniciativa është shoqëruar me reagime, kundër të cilat në thelb tentojnë të ruajnë raportet aktuale në KLD, që janë dukshëm në favor të të zgjedhurve nga politika (nga Parlamenti dhe për shkak të detyrës).
Çuditërisht, ndonëse është kjo gjendje aktuale që duhet të ndryshojë në favor të gjyqësorit, në disa prej reagimeve po aludohet se një gjë të tillë nxitet nga politika për qëllimet e saj, që të ndikojë në vendimet e KLD-së!?
Argumente të tilla askush nuk i beson. Tendenca për të futur këtë debat në qerthullin e politikës dhe ndikimeve të saj në gjyqësor, është e dështuar, sepse vjen në kundërshtim me realitetin.
Në të vërtetë, nëse mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve të të gjitha niveleve lejohet të realizojë detyrimin kushtetues, për përbërjen e KLD-së, do të përmbysë raportet në favor të gjyqësorit, në nivelin e kërkuar nga Kushtetuta, në mazhorancën prej 3/5 të përbërjes së saj.
Ndryshe nga sa pretendohet, votuesit për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KLD-së janë profesionistë të ligjit dhe mbi vullnetin e tyre e ka të vështirë, në mos të pamundur, të ndikojë apo diktojë vullnetin e tij, ndonjë pushtet tjetër, qoftë edhe mazhoranca parlamentare.
Pikërisht, pamundësia për të influencuar në vullnetin e gjyqtarëve të të gjitha niveleve, si dhe probabiliteti se zgjedhjet do të sjellin ndryshime të brishta e të pasigurta në përbërjen e KLD-së, është arsyeja e vërtetë që pengon rinovimin e saj.
Mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve të të gjitha niveleve, e thirrur nga grupi nismëtar, për në datën 05 dhjetor 2009, ka përgjegjësinë dhe tagrin kushtetues, të iniciojë rinovimin e përbërjes së KLD-së dhe funksionimin e saj në përputhje me Kushtetutën, duke vendosur çeljen e procedurës për zgjedhjen e katër anëtarëve të rinj të KLD-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›