E Diel, 1 Nëntor 2026

Ron Pol, njeriu që i dëshiron "vdekjen" FED-it

Të largohen trupat nga Afganistani. Të lihet Irani i qetë. Të legalizohet droga. Qeveria të mos fusë hundët në jetët personale të njerëzve. Të mos shpëtohen bankierët e krimbur në para të Wall Street, me paratë e taksapaguesve. Njeriu që ka kërkuar dhe ka luftuar për t‘i parë realitet gjërat në të cilat beson, nuk është një njeri çfarëdo, por një kongresmen 74-vjeçar nga Teksasi, shumë i njohur në Amerikë, me emrin Ron Pol. Është republikan dhe pavarësisht një përvoje shumë të gjatë në politikë, ka ende mendimet e një djaloshi idealist kolegji. Një vit më parë e hoqën nga radha e parë e garës presidenciale, dhe ai nuk humbi kohë por nisi një fushatë që doli të ishte shumë e frytshme, duke huazuar pak nga shpirti i Obamës. Aktualisht ai është politikani republikan më prezent në "YouTube". Madje në atë masë sa tashmë është shndërruar në një figurë të njohur edhe përtej kufirit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por në Amerikë, librat e tij janë shndërruar në "bestseller" dhe për t‘i promovuar ato dhe idetë e tyre ai nuk lodhet së organizuari takime nëpër qytezat universitare. Dikur, njeriu energjik ishte i bindur se me veprimtarinë e tij po i çelte rrugën një lëvizjeje që mund të triumfonte ndoshta shumë kohë pas përfundimit të karrierës së tij politike, por çuditërisht politikat që deri pak kohë më parë kanë tingëlluar si qesharake e të pamundura, ka të ngjarë që të shndërrohen në ligje. Për këtë arsye, establishmenti politik dhe financier në Shtetet e Bashkuara e ka frikë Pol dhe e konsideron atë si një nga personat më të rrezikshëm në Amerikë. Një nga përpjekjet të cilave ai u ka kushtuar shumë zell dhe energji, është plani për ta vendosur bankën qendrore amerikane, FED, nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e një auditi. Për këtë çështje, që sipas tij është e një rëndësie primare për mirëqenien e popullit amerikan, ai ka shkruar edhe librin e fundit të suksesshëm, "End the Fed" ("Jepini fund Fed-it"). Pas politikave liberale të Pol shtrihet një axhendë e tërë për çrrënjosjen e 100 viteve të fundit të një ortodoksie ekonomike dhe për ta rikthyer Amerikën në versionin e kapitalizmit të shekullit XX. Pak nga pak republikani po arrin përparime të dukshme. "Fëmijët e shkollave janë të interesuar në pozicionin antiluftë, në çështjen e lirive civile dhe në mundësinë që duan të kenë për të bërë ç‘të duan me jetët e tyre, por unë u them se, nëse shkatërrojnë jetët e tyre, atëherë mos të presin që nesër hallet e tyre t‘i zgjidhë qeveria". Për të gjërat që kanë më shumë vlerë janë idetë dhe për sa u përket politikanëve, ata janë të parëndësishëm. Në librat e mi unë thjesht kam materializuar atë që ekziston, atë për të cilën flitet dhe shkruhet tashmë në internet.
Pol është rritur në Pitsburg dhe në fëmijëri mrekullohej vazhdimisht nga një enë me monedha të ndryshme, të cilën prindërit e tij e mbanin në kuzhinë. Kjo ishte nxitja e parë për t‘u shndërruar në një mbledhës monedhash dhe pullash postare dhe sot e kësaj dite thotë se është i mrekulluar nga gjërat që i japin një vlerë parasë. Një pjesë të mirë të kursimeve të tij ai i ka shndërruar në ar. Për të, monedhat shkojnë e vijnë, por kur njerëzit donin që të iknin nga Vietnami gjatë luftës, vetëm ari bënte punë. "Shumë njerëz mendojnë se ari është i bukur dhe për këtë arsye ai është edhe monedhë, para. Nëse nuk do të ishte i rrallë dhe jetëgjatë, njerëzit do të përdornin tunxhin". Polson vendosi që t‘i hyjë politikës në vitin 1971, ditën që Nikson tha se dollari nuk mund të shkëmbehej më me floririn. Që nga ajo kohë, arkitektura e financave botërore nisi të formëzohej mbi bazën e besimit që kishte bota në qeverinë amerikane. Pol është i mendimit se tashmë ka ardhur koha që kjo arkitekturë të shembet. "Mos harroni që paundi britanik pati shumë probleme pas Luftës së Parë Botërore dhe e humbi supremacinë në botë. Banka e Anglisë e dogji atë monedhë dhe sot ne po bëjmë të njëjtën gjë me tonën. Britanikët i dhanë fund perandorisë së tyre për shkak të shpenzimeve marramendëse dhe mungesës së menaxhimit të mirë dhe sot ne gjithashtu po bëjmë të njëjtën gjë. Banka jonë qendrore supozohej që të na jepte një rritje ekonomike të qëndrueshme, ulje të papunësisë, ndryshimin e njëtrajtshëm të përqindjeve të interesit dhe stabilitet çmimesh. Aktualisht kjo bankë dështoi në të gjitha këto objektiva, dhe keqas fare", thotë Pol.
Rezerva Federale, banka qendrore amerikane, u themelua në vitin 1913, për të vendosur përqindjen e interesit, për të zbutur ciklin ekonomik dhe për të parandaluar frikën dhe panikun financiar. Sipas kongresmenit amerikan, në një ekonomi ku monedha nuk lidhet me vlerën e arit, banka qendrore mund të printojë kartëmonedha pa fund për të financuar shterjen e ekonomisë dhe të qeverisë federale. Me kalimin e kohës, një fakt i tillë do ta shkatërronte fuqinë blerëse të monedhës, por kjo do të ndodhte shumë ngadalë, përmes inflacionit të moderuar, në mënyrë që të mos i tërhiqej vëmendja askujt. Por një ditë kreditorët amerikanë do të përballeshin me një monedhë të pavlerë. Vizioni apokaliptik i Pol për një Amerikë post-perandorake, të falimentuar nga shpenzimet federale dhe ato të luftës, duket gjithnjë e më real me rënien e vazhdueshme të dollarit në tregun e monedhës. Qeveri të ndryshme të vendeve të fuqizuara tashmë ekonomikisht po përpiqen që të krijojnë një njësi monetare të re për të tregtuar naftën dhe mallra të tjerë, si dhe për të krijuar rezervat e duhura. Kongresmeni amerikan ka kohë që parashikon gjëra të tilla, por ndërsa dikur e quanin të çmendur, sot kanë nisur t‘ia venë seriozisht veshin. Në kuadrin e profecive ai është i bindur edhe për faktin se për sa u përket luftërave që ka hapur Amerika, ato do të marrin fund shpejt. "Nuk ka pasur kurrë luftëra pa inflacion. Në periudhën romake fabrikoheshin monedha metalike. Edhe në periudhat e mëvonshme revolucionare printoheshin kartëmonedha të ndryshme, sikundër ndodh edhe sot. Nëse do të na duhej të paguanim për çdo qindarkë të shpenzuar në Afganistan dhe Irak, nuk do të ekzistonim më", thotë Pol. Sipas tij, Amerika nuk duhet të vazhdojë më me strategjinë e sulmit dhe atë të shtimit të trupave në Afganistan. Trupat amerikane duhet që të tërhiqen nga vendi në të cilin hynë në vitin 2001. "Kjo luftë nuk ka të bëjë aspak me vetëmbrojtjen. Kërcënimi më i madh ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është pushtimi që u bëjmë vendeve të tjera dhe pasojat që sjell një pushtim i tillë. Jemi ne ata që stimulojmë lindjen e islamizmit radikal dhe kemi paguar madje edhe ndërtimin e shkollave të posaçme, sepse donim që islamizmi radikal të ishte i motivuar për të vrarë komunistët. Sot ata që ne dikur i financuam me paratë tona, janë kthyer në kundërshtarët tanë. Kjo është një luftë agresioni, një luftë pushtimi. Është e paligjshme po t‘i referohemi Kushtetutës sonë, është e pamoralshme, nuk ka asnjë lloj kuptimi dhe mbi të gjitha një luftë e tillë do të na çojë drejt falimentimit".
Ron ka qenë për dekada të tëra shumë aktiv në politikë, dhe çdo vit, pa ndërprerje, ai ka kërkuar me këmbëngulje miratimin e një ligji që sanksionon auditimin, kontrollin e Rezervës Federale. Deri më sot kjo kërkesë nuk i është marrë parasysh, por vetëm këtë vit, për shkak të rritjes së zemërimit të njerëzve në lidhje me paketat e stërmëdha të shpëtimit që kjo bankë u akordoi miliarderëve të Wall Street nga paratë e taksapaguesve, ai gjeti mbështetës të tjerë të kësaj çështjeje nga radhët e politikanëve. "Fed" është akuzuar shumë shpesh, kryesisht për dështimin e plotë në parashikimin dhe identifikimin e krizës financiare që shpërtheu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2007, për furnizimin me para të "miqve preferencialë" të Wall Street, si dhe për hedhjen e triliona dollarëve të printuar rishtazi në tregjet e kredive pa asnjë mbikëqyrje nga ana e Kongresit. Kur kryetari i "Fed"-it, Ben Bernake, do të shkojë në Senat për t‘u përballur me hedhjen në votë të miratimit të mandatit të tij të dytë në detyrë, ai pret që të përballet me një kundërshti të ashpër, më të ashprën me të cilën është përballur deri më tani çdo paraardhës i tij.
Ndërkaq, plani i Pol për një auditim të Bankës Qendrore të Amerikës duket se do të bëhet pjesë e një reforme të gjerë të legjislacionit financiar në vend. Ai ka pasur shumë kundërshtarë për këtë ndërmarrje, madje ata kanë përpiluar edhe një peticion kundër ndërmarrjes së një mase të tillë, duke paralajmëruar se tregjet e kreditimit do ta dënojnë Amerikën për çdo lloj vendimi të mundshëm që synon dobësimin e ndikimit të "Fed" në ekonominë amerikane dhe vetë shefi i madh Bernanke, me mënyrat e tij të buta e të qeta të komunikimit, shkroi gjatë fundjavës së kaluar se masa e kërkuar nga Pol dhe të tjerë nuk është aspak realiste dhe në përputhje me konsensusin global për rolin që duhet të luajnë në ekonomitë e vendeve bankat e tyre qendrore. Pavarësisht Bernanke-s, Pol është i vendosur që të vazhdojë të bëjë presion me lëvizjen e tij për të shfuqizuar njëherë e mirë bankat qendrore. "Transparenca është një çështje e mirë. Po të nisnim të punonim me transparencë, do të gjenim se sa ka abuzuar ‘Fed‘ me sistemin monetar dhe më pas do të vendosnim që të shkonim në fazën tjetër". Ai vazhdon që të jetë i idesë se detyrimet e përfaqësuesve të popullit në Uashington duhet të jenë mbrojtja e
lirisë së amerikanëve e jo ndërmarrja e luftërave humbëse dhe shkaktimi i falimentimeve dhe trazirave ekonomike në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›