E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori dhe Avokati i Popullit kritikojnë procesin e pajisjes me karta

13/03/2009  Ambasadori dhe Avokati i Popullit shprehin kritika për procesin e pajisjes me karta

Bosch: Vëzhguesit e OSBE-së 6 javë para zgjedhjeve

OSBE-ja do të sjellë vëzhguesit e saj për zgjedhjet në Shqipëri 6 javë përpara 28 qershorit. Kjo është bërë e njohur dje nga Kryetari i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Robert Bosch. Së bashku me Avokatin e Popullit Ermir Dobjani ambasadori Bosch ka inspektuar procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit në 11 njësitë bashkiake të Tiranës, ku u ka bërë thirrje qytetarëve pa pasaporta që të aplikojnë për t’u pajisur me këtë dokument identifikimi. Për kreun e OSBE-së në Tiranë afatet e realizimit të këtij procesi rrezikojnë standardet e zgjedhjeve. “Nëse problemet e vërejtura nuk zgjidhen në kohë, atëherë zgjedhjet rrezikohen, por koha që mbetet është e mjaftueshme, nëse ka vullnet”, - tha Bosch. Ai bëri thirrje për më shumë transparencë në procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, ndërsa theksoi se gjatë një takimi që kishte zhvilluar me ministrin e Brendshëm Bujar Nishani kishte marrë garanci se situata do të rregullohet. “Duhet të kishte më shumë transparencë për sistemin. Kështu, megjithëse është arsye e drejtë, nuk u raportua kurrë se në pjesën tjetër të Shqipërisë nuk u hapën zyrat e aplikimit për shkak të motit të keq. Detaje të tilla nuk duhen neglizhuar”, - tha ambasadori Bosch. Në anën tjetër, Avokati i Popullit e cilësoi procesin e pajisjes me karta identiteti të qytetarëve në një fazë kritike. Dobjani deklaroi se deri tani afati prej 15 ditësh për të marrë një kartë identiteti nuk është zbatuar asnjëherë, ndërsa evidentoi si mangësi pasaktësitë në gjeneralitete, dublikimet e emrave apo shtetasit e vdekur që figurojnë në listat e zgjedhësve. Kryesisht akuzat e Dobjanit janë përqendruar në kompaninë që prodhon kartat e identitetit, së cilës, sipas Avokatit të Popullit, i mungon transparenca. “Deri tani nuk është marrë asnjë masë për invalidët, të moshuarit si dhe për të sëmurët, sikundër duhet të ngrihet një zyrë komunikimi me qytetarët”, - u shpreh Dobjani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›