Berisha: Socialistë jemi ne, jo ju
Kryeministri Berisha ka folur për buxhetin e shtetit gjatë seancës së sotme në Kuvend. Në hapje të fjalës së tij, Berisha është ndalur tek vdekja e Steve Jobs.
Unë pata mundësinë të njihem me Apple 2 në vitet e errësirë për Shqipërinë. Ndjehem i lumtur që vlerësimin për Mollën e ndaj me qindra dhe mijëra të rinj shqiptarë. Shqipëria bën pjesë në Mollën e Steve Jobs. Unë dua ti shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij dhe kombit të madh amerikan.Jobs nuk jeton më, por legjenda e tij do të mbetet si një frymëzim. Kjo deklaratë nuk ka të bëjë me çështjen kryesore, por Steve Jobs i përkiste mbarë njerëzimit dhe unë nuk mund të lija rastin ti shprehja respektin më të thellë nga kjo foltore, ka thënë Berisha gjatë fjalës së tij.
Në diskutimin e tij për buxhetin, Berisha ka thënë se qeveria e tij ka rritur pagat, pensionet, në kohën kur bota është në krizë ekonomike. Ai është shprehur qeveria e tij i ka shpërndarë paratë për popullin e tij, ndryshe nga qeverisja e socialistëve, që sipas tij, shkonte për qeveritarët.
Unë dëgjoj zgjedhësit, të cilët më shprehen të kënaqur për investimet e qeverisë sime, ka thënë Berisha.
Sipas tij, socialistët janë kundër shtresës së varfër, pasi ata votojnë kundër rritjes së pagës dhe pensioneve. Sipas Berishës, kjo tregon se aid he mazhoranca janë më socialistë me programet, se sa vetë socialistët.
Shkoni në Kala të Dodës dhe do tu duket vetja si në Everest, ose në Gjinar dhe do të kënaqeni, për të pirë kafe, ka thënë Berisha, duke iu referuar investimeve që ai tha se qeveria ka bërë.
Ju rini vetëm tek Rogneri dhe nuk doni tja dini për qytetarët, ka thënë Berisha, duke deklaruar se nuk ecet me pesimizimin e socialistëve.