E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjana: Ujësjellësi po detyron qytetarët të paguajnë pa të drejtë

Politika që ndjek Ujësjellësi në zëvendësimin e matësve për konsumatorët jo vetëm familjarë ka ngjallur pakënaqësi në radhët e politikës, sidomos të përfaqësuesve të mazhorancës. Teksa kanë diskutuar dje në lidhje me një marrëveshje për ujësjellësin e Bilishtit, anëtarët e komisionit parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese kanë marrë shkas që të ngrenë një sërë problematikash që janë vënë re në marrëdhëniet e ujësjellësve me konsumatorët si klientë. Ka qenë pikërisht kreu i këtij komisioni, Jemin Gjana, ai që duke iu drejtuar përfaqësuesit të ekzekutivit që kishte ardhur për të prezantuar marrëveshjen në fjalë, ka ngritur si shqetësim pikërisht faktin që Ujësjellësi detyron konsumatorët që të paguajnë dhe matësit kur ai vetë vendos që t’i ndërrojë ato. Sipas Gjanës, kjo nuk është e drejtë, pasi klienti nuk duhet të ngarkohet me një barrë financiare që lind për shkak se vetë Ujësjellësi do të ndërrojë matësin e ujit që ai vetë e ka vendosur më parë. “Vijnë i ndërrojnë dhe të sjellin një faturë, ku të thonë se unë të pres ujin nëse ti nuk paguan këtë faturë, se kaq bënë matësi. Nëse ty të teket të ndërrosh matësin ndërroje o vëlla, pse duhet ta paguaj unë atë?! Kur matësi aktual është funksional i kolauduar, i vënë po nga Ujësjellësi. ǒështë kjo, d.m.th, ministria, ndoshta duhet të thërrasim dhe Entin Rregullator të Ujit për këtë çështje, se edhe ai ka përgjegjësi për këtë punë. Janë disa shqetësime që ne duhet t’i prekim dhe t’i themi se ajo që është korrekte është korrekte, por kur ka gjëra që nuk shkojnë.....”, - tha Gjana gjatë mbledhjes së djeshme të komisionit. Jo vetëm Gjana ka qenë kritik për Ujësjellësin, pasi deputeti tjetër demokrat, Selami Xhepa ka konstatuar edhe një fenomen tjetër negativ që ka lidhje me matësit dhe kolaudimin e tyre. Sipas tij, mënyra sesi veprohet tani bie ndesh me rregullat e tregut, pasi Ujësjellësi, në konflikt interesi bën dhe kolaudimin e matësve. “Ju preket temën e kolaudimit të këtyre matësve të ujit. Mund të zbatohet e njëjta praktikë si edhe për energjinë elektrike, që duhet të koncesionohet një subjekt i pavarur i jashtëm që të kontrollojë këta matës, sepse kështu si veprohet është në konflikt interesi, pasi subjekti që shet mallin kontrollon dhe matësin”, - tha Xhepa.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›