E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Socialistet penguan integrimin e vendit

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një tur në qarkun e Dibrës, ku mori pjesë në inaugurimin e 6 investimeve publike me vlerë totale 500 milionë lekë. Këtë vizitë, kryeministri e nisi me inaugurimin e rrugës Ura e Qytetit - Zerqan, një investim me vlerë 137 milion lekë, gjatësi 6.5 km dhe gjerësi 4.5 m, nga ndërtimi i të cilës përftojnë 6000 banorë, si dhe të gjitha fshatrat e Komunës Zerqan. Ky segment rrugor fillon nga rruga nacionale Peshkopi – Tirane dhe përfundon në qendër të komunës Zerqan dhe shërben për transportin e produkteve bujqësore dhe blegtorale drejt tregjeve të zonës edhe për transportin e materialeve inerte dhe lëndës drusore drejt qytetit të Bulqizës.
Gjatë takimit me banorët e zonës kryeministri i përgëzoi ata për rrugën të cilën, siç u shpreh ai, e meritonin plotësisht si dhe theksoi se me përfundimin e rrugës së Arbërit, kjo zonë do të gjallërohet dhe do të arrihet më lehtësisht. Ai i shprehu atyre mirënjohjen për kontributin që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin.

Loti i i-rë "Maqellare- Grezhdan" i rrugës Maqellarë – Peshkopi, ishte një tjetër investim i inauguruar nga kryeministri Berisha. Ky aks rrugor me vlerë 60 milionë lekë, gjatësi 4.3 km dhe gjerësi 9 m, do të shërbejë për lidhjen e banorëve të rrethit Dibër me rrugën e Arbërit dhe mund të konsiderohet pjesë integrale e kësaj vepre të rëndësishme.
Më pas kryeministri Berisha ka marrë pjesë edhe në ceremoninë e inaugurimit të segmentit Rrugë Nacionale - Kovashicë, një investim me vlerë 18.5 milion lekë. Fshati Kovashicë është fshati i 6-te i kësaj komune, që lidhet me rrugë të asfaltuar me rrugën nacionale. Në komunën Kastriot u inaugurua edhe përfundimi i punimeve për sistemimin e asfaltimit të rrugës së fshatit Kandërr, një investim me vlerë 26 milion leke dhe të rrugës së fshatit Sohodoll me vlerë 23 milion lekë.

“Po vij nga Zerqani, gjeja e parë që të shkon ndër mend në Zerqan, në Maqellarë, në Kastriot dhe kudo që ndodheni, është potenciali i madh turistik. Nga Tirana për të ardhur në Peshkopi njerëzit sot e mendojnë se kjo është mundim, por pas ndërtimit të rrugës së Arbërit, kjo do të jetë kënaqësi dhe çlodhje. Pas ndërtimit të rrugës së Arbërit, përfundimit të rrugës Kukës-Peshkopi, Peshkopi-Qafë Studen, Peshkopia shndërrohet në një qendër të fuqishme të zhvillimit rajonal në të gjithë Shqipërinë veri-lindore” është shprehur kryeministri Berisha.

Kreu I qeverisë tha se “ Infrastruktura jonë moderne, për të cilën ne jemi zotuar në takimet e mëparshme, hap Peshkopinë drejt Kosovës, drejt Tiranës, drejt Dibrës së Madhe, drejt Shkupit. Unë ju njoh mirë ju. Ndër shqiptarët, më punëtorë se ju nuk ka, ndaj dhe ju ftoj ju mbi bazën e asaj që ju keni ndërtuar me mund, me djersë, me sakrifica të mëdha, sepse tani ju jeni në një kohë tjetër, të mendojmë ato që nuk kemi menduar më parë, të mendojmë të shtojmë të ardhurat tona në çdo familje,në Kastriot, në Sllovë, në Kala të Dodës, në Zerqan dhe kudo që jetojmë”

“Potencialet tuaja janë të mëdha, qarku juaj ka potenciale të jashtëzakonshme turistike. Sapo të ndahem nga ju, do të kem një ndalesë të shkurtër në Peshkopi dhe do të shkoj drejt Kalasë së Dodës. Miqtë e mi më ftuan për një drekë, por ju thash se para drekës dhe pamjes së Korabit, unë po zgjedh këtë të dytën. Do të bëjmë gjithçka që malet e Dibrës ti njohin mbarë shqiptarët, ti njohë e mbarë Europa. Me potencialet e tyre të jashtëzakonshme turistike, do të bëjmë gjithçka që ujërat e Dibrës , ujërat e këtij qarku, të shndërrohen të gjitha në energji elektrike dhe të mos derdhen të fjetura në det. Do të bëjmë gjithçka, që toka pjellore e mrekullueshme e këtij vendit të bëjë që qarku juaj të shndërrohet në prodhuesin kryesorë të frutave në Shqipëri. Rruga që keni përshkruar , nuk ka qenë e lehtë, ka qenë një rrugë me mundime, por ka qenë një rrugë plotë dinjitet, ka qenë një rrugë e lirë, ka qenë një rrugë në të cilën ne kemi realizuar në 20 vjet më shumë se në të gjitha kohërat. Ka qenë një rrugë, në të cilën ne sot bëmë vendin anëtare të NATO-s, rrugë në të cilën ne dyfishuam pensionet në fshatrat, rrugë në të cilën ne kemi ndërtuar mbi 9 mijë kilometra rrugë në mbarë vendin. Rrugë në të cilën ne kemi hequr vizat dhe lëvizim të lirë në mbarë Europën. Rrugë në të cilën ne po ndërtojmë korridoret e mëdha që transformojnë Shqipërinë. Mbështetja juaj, puna juaj djersa juaj ka qenë vendimtare. Në këto rrugë kemi pasur pengesa të kuptueshme , vështirësi për atë që kemi trashëguar, por gjithnjë të dashur banorë të Kastriotit dhe Peshkopisë, nuk mund të harrojmë kurrë se atë që i kemi bërë në vetes nuk na e kanë bërë të tjerët. Se më shumë i kemi bërë ne keq vetes sesa na kanë bërë të tjerët, se atë që bëri diktatura nuk na e ka bërë asnjë pushtim. Kam qenë këtu në vitin 1986, nuk harroj kurrë dhe nuk kam për ti harruar ato muaj që kalova këtu me njerëz të mrekullueshme të Dibrës, njerëz të cilët diktatura i kishte vendosur në varfërinë me ekstreme, njerëzit më punëtorë ndër shqiptarët, ishin katandisur në mjerimin më të thellë dhe këtë nuk na e bënë pushtuesit e tjerë, këtë na e bënë shqiptarët dhe po të hyjmë në histori, sërish tani, na dalin dhe nuk votojnë, 3/5 dhe pengohet statusi. Po vëllezër, dy gjëra duhet tu them këtu. Lavdi Zotit për dy arsye, së pari sot jemi vend anëtarë i NATO-s dhe liritë tona i kemi të garantuara njëherë e përgjithmonë. Liria tek rregulli është ligji kombëtar dhe ndërkombëtarë i Aleancës së Atlantikut të Veriut , së dyti sot vërtet mund të pengojnë statusin, sepse nuk japin votën, por unë ju shtroj pyetjen të gjithë socialistëve të Peshkopisë, të Kukësit, të Tiranës të mbarë Shqipërisë , votuat ju për ta, që ata të mos votojnë në parlament statusin për fëmijët tuaj, për familjet tuaja për Shqipërinë në Bashkimin Evropian? Thash lavdi Zotit për dy arsye, arsyeja e dytë është se shumica e gjërave janë në dorën tuaj, të dashur qytetarë dhe qytetare, janë në dorën e shumicës që vendos në parlament, sepse ju e patë betejën e turpshme don kishoteske që bënë kundër rrugës së Kombit, ju e patë betejën që bënë kundër rrugës së Arbërit, ju e patë betejën që bënë kundër rrugës Tiranë-Elbasan, votën e tyre kundër pensioneve, kundër rritjes së rrogave, kundër shtrirjes së internetit në Shkolla”, është shprehur kryeministri Berisha.

Loti i 1-rë si rrugës Peshkopi – Kukës, përkatësisht aksi "Grykë e Gobenit – Përroi Kapsit" ishte vepra e fundit publike e inauguruar sot nga Kryeministri në këtë qark. Nga ky aks me vlerë 231 milion lekë, gjatësi rreth 10 km dhe gjerësi 7 m do të përfitojnë rreth 15 mijë banore. Ky aks rrugor është pjesë integrale e korridorit të verilindjes. Asfaltimi i rrugës ka shkurtuar edhe kohën e lëvizjes së banorëve, nga mbi një orë udhëtim që ishte më parë, tani qyteti i Peshkopisë arrihet në rreth 20 minuta. Në total rruga Peshkopi – Kukës, ka një gjatësi rreth 64 km. Kjo rrugë u shërben në mënyrë të drejtpërdrejtë komunave Kastriot dhe Fushë Çidhen. Në mënyrë indirekte ajo ju shërben fshatrave të komunave Zall Dardhe, Arras, Sllovë dhe Kala e Dodës. Zona që i shërben kjo rruge njihet për nivelin e lartë të prodhimeve bujqësore, blegtorale dhe frutore. është një zonë që ka shumë fermerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›