Berisha: Sot, Serbia njohu në të vërtet dhe ligjërisht pavarësinë e Kosovës

Sali Berisha
Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka vlerësuar marrëveshjen e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë. Berisha e ka konsideruar marrëveshjen e sotme akt të një rëndësie të veçantë, që bën të mundur përfaqësimin e Kosovës në procesin e integrimit rajonal dhe Evropian si shtet dhe vend i pavarur.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare, pranimi i marrëveshjes nga ana e Serbisë, de fakto dhe de juro njeh pavarësinë e Kosovës.
Kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme jo vetëm për normalizimin e marrëdhënieve bilaterale Kosovë Serbi, por edhe për bashkëpunimin, paqen dhe stabilitetin rajonal, shprehet Berisha. Vërtet marrëveshja parashikon përdorimin e një fusnote si një kompromis ndërmjet palëve, por pranimi i saj nga pala serbe është pranimi de facto dhe de jure i Kosovës si shtet dhe vend i pavarur.
Berisha e mbyll reagimin duke u shprehur se Kosovën e ka njohur mbi 90% e vendeve të lira të botës dhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, Rezoluta 1244 e OKB-së është thjesht një relike në arkivin e një kohe që nuk kthehet kurrë më, një letër e vdekur që nuk i besojnë as ata që e citojnë. /F.Stafa/