E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Sot për Shqipërinë filloi një erë e re


“Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, e votëbesuar si rezultat i reformave serioze të ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe Shqipëria në tërësi, gjatë këtyre dy viteve, u ratifikua nga 27 qeveritë dhe parlamentet e vendeve anëtare.”


Kryeministri Berisha përshëndeti në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, hyrjen sot në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian, duke e vlerësuar këtë si një kapitull të ri në marrëdhëniet me BE, por, njëkohësisht, edhe si përgjegjësi të reja për të gjithë institucionet shqiptare.


Fjala e plotw e shefit tw ekzekutivit


Sot e tutje, kjo ditë, do të jetë për shqiptarët dita e integrimit, sepse sot hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian. Sot, midis shqiptarëve dhe BE-së hapet një kapitull i ri, jashtëzakonisht i rëndësishëm, në procesin e integrimi të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.


Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, e votëbesuar si rezultat i reformave serioze të ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe Shqipëria në tërësi, gjatë këtyre dy viteve, u ratifikua nga 27 qeveritë dhe parlamentet e vendeve anëtare.


Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe BE-së hyjnë në një erë të re. Shqipëria dhe BE-ja, tani e tutje, do të bashkërendojnë bashkëpunimin e tyre mbi bazën e Këshillit të Stabilizim Asociimit, i cili mblidhet muajin maj që vjen. Ndërkohë, shqiptarët me këtë Këshill dhe status fitojnë të drejta në përputhje me standardet shumë më të gjerë në procesin e integrimit se deri tani dhe një ndër më të rëndësishmet është ajo e lëvizjes së lirë. Natyrisht, liberalizimi i vizave me Shqipërinë apo heqja e tyre nuk përcaktohet vetëm nga hyrja në fuqi e MSA-së, por përcaktohet gjithashtu, njëlloj edhe nga pajisja e qytetarëve shqiptarë me dokumente të reja identiteti. Ndaj, edhe një herë, në emër të qeverisë, u bëj një apel miqësor çdo shqiptari që të marrë letërnjoftimin e ri, si një dëshmi e vullnetit të tyre për të kontribuar si në procesin e votimit, për të votuar si çdo qytetar tjetër i vendeve më të zhvilluara të këtij kontinenti, por për të dëshmuar gjithashtu, se me aktin e tij, ai dëshiron të kontribuojë në lëvizjen e lirë, të kontribuojë në rritjen e sigurisë së vendit, dëshiron të kontribuojë në procesin e integrimit.


Hyrja në fuqi e MSA-së do të thotë hyrje në fuqi e përgjegjësive të reja për qeverinë, parlamentin dhe të gjitha institucionet e vendit. Unë kam besim se institucionet e vendit, sikundër ia dolën deri më sot që, me reformat e ndërmarra, të bindin dhe të meritojmë votëbesimin e 27 vendeve anëtare, me hyrjen në fuqi të kësaj Marrëveshjeje do të dëshmojnë seriozitetin më të madh në implementimin e përpiktë të të gjitha klauzolave të saj. Dua të theksoj edhe një herë se për vendin është e domosdoshme që të implementojmë të gjitha çështjet e ngritura në raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë. Çdo vonesë në implementimin e tyre, çdo shtyrje absolutisht veçse shtyn dhe vonon procesin e progresi të mëtejshëm të Shqipërisë drejt BE-së. Të gjitha ato janë objektiva që ne duhet t’i realizojmë sa më shpejt. Ndaj në mbledhjen tjetër ne do të bëjmë një analizë objektiv për objektiv të çdo ministrie, mbi bazën e dokumenteve që Ministria e Integrimit ka shpërndarë për çdo ministri, do t’i shqyrtojmë ato dhe do të raportohet për përmbushjen e tyre.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›