E Diel, 1 Nëntor 2026

SIDA, femrat po dominojnë burrat,10 raste të reja për 2009

Autori i Lajmit: red.
Sëmundja e HIV-AIDS-it, e cila numëron 312 raste të raportuara në vendin tonë, ka prekur edhe 10 persona të tjerë gjatë këtij fillimviti. Koordinatori i Programit Kombëtar HIV/AIDS në Institutin e Shëndetit Publik, Klodian Rrjepaj, tha se numri i rasteve me AIDS është i lartë dhe numri i vdekjeve shkon në 60 raste.
Fëmijët
Numri i fëmijëve të infektuar është 20, nga të cilët 15 janë prekur nëpërmjet transmetimit vertikal dhe 5 përmes gjakut. Ai tha se gjatë vitit 2008 janë raportuar 2 raste HIV pozitive në fëmijë (përfshihen në shifrën totale prej 20 fëmijësh). Ndërkohë që vetëm këtë vit janë raportuar 10 raste të reja me HIV/AIDS.
Statistika
Të dhënat e raportit të fundit të ISHP-së për HIV-AIDS-in evidentojnë “një tendencë në rritje të këtij infeksioni; deri në vitin 2000 shifra vjetore mesatare e rasteve me HIV është 6-7 raste; në periudhën 2000 – 2004 kjo shifër dyfishohet, 2004-2006 shifra mesatare vjetore shkon në 30 dhe në dy vitet e fundit kjo shifër është mbi 40 përkatësisht 44 në 2007 dhe 46 në 2008.
Gjinia
“Gjithashtu, kemi një tendencë feminizimi të rasteve që duket qartë në përqindjen e rritur të femrave të infektuara që shkon në 30% të totalit të rasteve”, tha Rrjepaj, duke shtuar se 70 % e rasteve të të prekurve me HIV/AIDS janë meshkuj. Nga totali i femrave vetëm 7% e tyre janë infektuar jashtë vendit, ndërsa pjesa tjetër e ka marrë virusin brenda vendit. “Në mënyrën e transmetimit të virusit mund të themi se dominon rruga seksuale(hetero+ homobiseksuale) rreth 90% e rasteve”, tregoi Rrjepaj, sipas të cilit, në 10 rastet e reja të raportuara gjatë vitit 2009 rruga e transmetimit është rruga seksuale.
Shpërndarja
Për sa i përket shpërndarjes gjeografike të rasteve, Rrjepaj tha se numri më i madh i tyre i përket Tiranës. Në gjuhën mjekësore HIV është shkurtesë, e cila rrjedh nga gjuha angleze Human Immunodeficiency Virus -virusi njerëzor, i cili dëmton sistemin e imunitetit. Ky virus shkakton sëmundjen AIDS. Kjo sëmundje është sindromi i fituar nga virusi, i cili dëmton sistemin e imunitetit.
SIDA/TBC
Personat e infektuar me HIV/SIDA kanë mundësi 10 herë me të mëdha të sëmuren me TB (tuberkuloz). Në shkallë botërore, 14 milionë persona kanë bashkinfeksion TB/HIV dhe 70 % e tyre jetojnë në Afrikë. Sipas një studimi të ISHP-së për vendin tonë, nga rreth 30 000 pacientë të shtruar në Spitalin Universitar të Sëmundjeve të Mushkërive Tiranë, janë përzgjedhur pacientë tek të cilët të dhënat klinike të krijojnë dyshime për mundësi HIV/SIDA duke u nisur nga disa kritere. Si për shembull, kur i sëmuri paraqet formë jotipike të sëmundjes pulmonare TB, nga ana klinike, Ro/genollogjike, bakteriollogjike; kur i sëmuri ka prekje të TB extrapulmonare sidomos linfonodula, pleurite Exudativ; i sëmuri ka qenë emigrant jashtë vendit; i sëmuri ka kryer marrëdhënie seksuale të pambrojtura dhe në rastet kur i sëmuri ka kryer veprime invazive mjekësore.
Rastet me TB-HIV
Gjatë kësaj periudhe janë depistuar 1797 të sëmurë të shtruar në spital nga mosha 17 deri 68 vjeç, nga të cilët 1457 meshkuj dhe 340 femra. Qëllimi i këtij studimi ka qenë evidentimi i bashkëshoqërimit të TB/HIV në grupe target të popullatës së sëmurë me sëmundje pulmonare specifike dhe tuberkulare të shtruar në Spitalin e Mushkërive (SUSM). Nisur nga grup-moshat dhe numri i rasteve ka rezultuar se mosha 25 – 29 vjeç ka të infektuar 2 raste; 30 – 34 vjeç me 3 raste; 40 – 40 vjeç 4 raste; 45-49 vjeç 2 raste dhe mosha + 50 vjeç vetëm me 1 rast.
Shtrirja gjeografike
Ndërsa për të sëmurët TB/HIV janë zbuluar 12 raste me TB/HIV ose (57%), prej 21 rasteve të infektuar me HIV të zbuluar gjithsej. Nga këta në qytet 7 persona ose 58% e tyre dhe 5 në fshat ose 42%. Për sa i përket gjinisë janë 9 meshkuj dhe 3 femra. Ndër këta 4 raste me banim në Tiranë dhe 2 me banim në Lezhë. Në rrethet Shkodër, Durrës, Bilisht, Mallakastër, F.Krujë, Kosovë nga 1 rast. Të infektuarit në emigracion numërojnë 3 raste në Greqi, 2 raste në Itali, 2 raste në ShBA, 1 rast në Moldavi. Ndër këta janë 9 meshkuj ku 2 raste janë infektuar si sex heterosexual; 1 rast si sex homosexual; 1 rast droge dhe 6 raste emigracion. Ndërsa femrat numëronin 3 raste gjithsej ku 2 raste janë infektuar nga bashkëshorti i vdekur nga SIDA dhe 1 rast si prostitutë. Depistimet në përgjithësi janë kryer në grup-moshat nga 17 në 68 vjeç dhe të sëmurët kryesisht janë të shpërndarë në grup-moshat 25–51 vjeç. Shpërndarja gjeografike tregon për prekje në të gjithë Shqipërinë, si dhe në Kosovë, pra nuk mund të mendohet për zona të pastra.
Raporti qytet-fshat
Prekja në qytet dhe në fshat që luhatet 15 me 6 raste (71.4% me 28.6%) tregon që edhe nga ana e vendbanimit mbizotëron qyteti. Nga ana e gjinisë të prekur mbizotëron në meshkujt 15 me 6 (71.4% me 28.6%) kjo ka të bëjë me jetën më të shpeshtë në emigracion të meshkujve dhe për mundësitë më të shumta të tyre për marrëdhënie seksuale jashtë martesës. Ndër rastet që janë paraqitur me vonesë janë 11 të tilla në stadin e sëmundjes SIDA, edhe të tjerët shumë shpejt arritën në këtë stad ndërsa për mjekimin për TB kanë vazhduar me cikle 9-12 mujore me skema të plota, ndërsa ka munguar pothuajse totalisht mjekimi për Sidën duke e çuar shëndetin drejt vdekjes. Në format e bashkëshoqërimit HIV/ Sëmundje Aspecifike Pulmonare, 9 raste kanë mbizotëruar.
Mjekët
Mjekët rekomandojnë që sa herë që zbulohet një rast i ri i infektuar nga HIV duhet të kërkojmë mundësinë e prezencës së tuberkulozit evolutiv. Duhet pyetur personi nëse paraqet shenja të kësaj sëmundjeje (kollë, hemoptizi, djersë sidomos natën, temperaturë, humbje në peshë), dhe të përcaktojë nëse në të kaluarën ka pasur probleme tuberkulare, nëse ka pasur kontakt me të sëmurë me TB.

Ky lajm është publikuar: 02/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›