E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha :“Sovrani do të japë verdiktin për akuzat e opozitës”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Seanca plenare e ditës së djeshme është përfshirë përsëri nga debate të nxehta mes mazhorancës dhe opozitës për çështjen “Fazliç”. Pas komenteve të disa prej deputetëve të opozitës për këtë çështje, në seancë ka mbërritur kryeministri Sali Berisha, i cili ka sulmuar opozitën duke e akuzuar atë si të lidhur nga zinxhirët e mafias. Berisha ka kundërshtuar akuzat e opozitës se i ka dhënë toka në Porto Romano mikut të tij, Damir Fazliç. Ai e cilësoi sulmin e opozitës ndaj tij për lidhjet me biznesmenin serbo-boshnjak, si një shpifje të re të opozitës. Madje, Berisha, për të frenuar akuzat e opozitës, i ftoi ata të propozonin një projektligj të veçantë për të shtetëzuar çdo centimetër tokë në Porto Romano. Kreu i Ekzekutivit tha se deputetët e opozitës po përdoren si “kone” dhe se është sovrani ai që do t u japë atyre atë çka meritojnë. Ai shtoi më tej se janë abuzive deklaratat e opozitës lidhur me vdekjen e biznesmenit Trebicka, si dhe theksoi se të gjitha akuzat u bënë thjesht për qëllime politike.
Deklarata
Berisha
“Të nderuar deputetë, vazhdon opozita e boshit, e mashtrimeve, e kapjes këmbë e krye nga klanet, të cilët kanë marrë goditje dhe janë të pashpresë. Por lidhur me të gjitha këto do të jetë sovrani ai që do të japë verdiktin”, - e nisi fjalën e tij në seancën plenare kreu i Qeverisë. Sipas tij, opozitës shqiptare nuk i ka mbetur moral as sa t u kërkojë të falur familjarëve të Trebickës, vdekjen e të cilit e përdori si kartë për të sulmuar Qeverinë. “Përdhosni të vdekurit, i përdorni të vdekurit për qëllime makabre dhe nuk kërkoni të falur. Për të gjitha këto do të flasë sovrani, i cili do të japë tagrin ligjor dhe moral që meriton”, - u shpreh ai. Berisha, duke e akuzuar më tej opozitën për lidhje me mafjen dhe me emra të tillë si Dondollaku apo Delijorgji, tha se tashmë ajo po përdor një sulm të ri, atë të blerjes së tokave nga Fazliçi. Duke kundërshtuar akuzat e opozitës se Fazliç ka blerë tokë në Porto Romano atje ku do të ndërtohen temocentrale, ai tha se të gjitha këto janë shpifje dhe i ftoi deputetët opozitarë të propozojnë një projektligj për shtetëzimin e tokës. “Sillni këtu projektligjin për shtetëzimin dhe ju jap fjalën se do të shtetëzoj çdo centimetër tokë të zënë. Unë jam kundër shtetëzimeve, por bëjeni, në ua mban. Mos u keqpërdorni si konet, sillni ligjin, në ua mban. Por nuk ua mban, se jeni ju të përzier në të”, - u tha Berisha opozitarëve, ndërsa shtoi se ju jeni hajdutët e tokave”. Ai tha më tej se është kundër çdo shtetëzimi, por është i gatshëm të firmosë një projektligj të tillë, nëse ai vjen nga opozita. “Nëse doni të dilni lakuriq para krimeve dhe të provoni se nuk jeni të kapur, sillni propozimin që shtetëzon çdo lloj toke, në cilindo vend dhe sipërfaqe që ndodhet në Porto Romano”, - tha Kryeministri. Sipas tij, lidhjet e deputetëve të opozitës me ish-bosë i shtyjnë ata të merren me shpifje dhe trillime. Duke përmendur akuzat e opozitës pas vdekjes së dëshmitarit kyç të tragjedisë së Gërdecit, Kosta Trebicka, Berisha tha: “Ju shkrepni kallashnikovë mbi kufomat e të aksidentuarve. Ju ekzekutoni të vdekurit”. Madje, ai shtoi se komentet e vazhdueshme të opozitës edhe për një mocion mosbesimi ndaj tij tregojnë lidhjet e tyre me krimin. “Jeni të kapur që në kokë dhe pastaj përdorni median. Pse nuk bëni mocion mosbesimi? Që në momentin qe ju vini prapë me mocion mosbesimi, kjo dëshmon se jeni të kastruar”, - tha Berisha.
Ky lajm është publikuar: 17/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›