E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adoleshenca, koha e një revolte që “përmbys” gjithçka

Autori i Lajmit: red.
Adoleshenti në familje

Sipas traditës, kërkohet që adoleshentët të sillen e të veprojnë sipas skemave të përcaktuara nga prindërit. Vetëm në këtë mënyrë, gjithnjë sipas tyre, të rinjtë, do të ruhen dhe do të rriten të shëndetshëm. Këto qëndrime nxiten e realizohen nga siguria që rrjedh prej përvojave të mëparshme, të cilat vlerësohen gjithnjë si të suksesshme, të provuara e si të vetmet rrugë që duhen shkelur për të realizuar idealet edukative. Secili prej nesh ka një botë të brendshme, që mund ta quajmë “fushë perceptive”, e përbërë nga emocione, ndjenja, motivime etj., të cilat na lejojnë të flasim për botën e brendshme, një fushë që shkon nga individualiteti,deri tek ndjenjat dhe përvojat e jetuara. Nuk mund të dimë kurrë se çfarë ndjejnë dhe
mendojnë adoleshentët me të cilët kërkojmë të vihemi në marrëdhënie, nëse nuk kuptojmë sa i rëndësishëm është fakti, që të dimë se me çfarë këndvështrimi e shohin ata botën, çfarë idesh dhe mendimesh kanë për ngjarje e dukuri që i rrethojnë. Ky element kërkon një vlerësim të posaçëm, sepse ka të bëjë drejtpërdrejt me fatin dhe rrugën që do të marrë e ardhmja e fëmijëve. Duhet të largojmë nga mendja faktin, se adoleshentët duhet të jetojnë e të zhvillohen në përshtatje të objektivave dhe qëllimeve tona, se ata domosdo duhet të marrin atë formë që dëshirojmë t u japim ne, të rriturit, pa vlerësuar e pa respektuar tiparet e veçoritë e tyre individuale, pa mbajtur parasysh ndryshimet e shpeshta e të shpejta që
ndodhin në psikologjinë njerëzore.
Oshilacionet emocionale, shpërthimi i moshës
Mbetet aktuale thënia e njohur e A. Frend, se: “Unë them që është normale për një adoleshent, që për një kohë të ketë sjellje jokoherente dhe të paparashikuara... Një i ri arrin të dojë dhe njëkohësisht të urrejë prindërit e tij, të revoltohet kundër tyre, të ndiejë turp kur është duke biseduar me nënën e tij në prani të të tjerëve, e papritmas të dëshirojë të bashkëbisedojë me gjithë zemër me të”. Prandaj mendoj se është e nevojshme, që çdo adoleshenti t i lihet koha dhe liria e domosdoshme për të vepruar e për ta gjetur vetë rrugën e tij. Por kjo s është e lehtë. Për ta realizuar këtë, prindërit kanë nevojë për ndihmë dhe këshilla, për vetëpërsosjeje. Secili prej nesh ka ndeshur e ka përjetuar situata që përshkruam më lart ose të ngjashme me to, por në pak raste, qëndrimi që ka mbajtur, mund të ketë qenë i njëjtë apo i përafërt. Prandaj lind edhe domosdoshmëria e zotërimit të disa mekanizmave universalë të edukimit për çdo prind, pavarësisht nga përvoja vetjake që në një moment të caktuar mund të zotërojë.
Çfarë presin prindërit nga fëmijët e tyre
Objektivat, qëllimet dhe kërkesat tona “çfarë presim nga fëmijët tanë”, bëjnë që të krijohet një “mur i lartë” ndërmjet nesh dhe adoleshentëve, mur të cilin edhe po e prekëm, kurrë nuk do të mund ta kapërcejmë, vështirë se shkëputemi pa dëmtime prej tij. Ndonjëherë, problemet nuk janë edhe aq të vështira. Mosmarrëveshjet lindin edhe nga gjëra fare të zakonshme, të thjeshta. P.sh., një prind kërkon ta bëjë fëmijën e tij biolog, por fëmijës mund t i pëlqejë dhe ka prirje për letërsi. Kështu lind konflikti ndërmjet kërkesës së prindërve, dëshirës së tyre dhe prirjeve të vetë subjektit, gjë e cila përgatit jo vetëm një përplasje interesash, por vë në pikëpyetje të ardhmen e adoleshentit. Për çdo të ri, përveç raportit që duhet
të vendosë me prindërit e tij, është e domosdoshme të gjejë mënyrën të ndërtojë edhe raporte me bashkëmoshatarët e vet, që janë në ndryshim të vazhdueshëm përsa i përket mënyrës së sjelljes, të veshjes etj. Me rëndësi është që t i lejojmë fëmijët të bëjnë gjithnjë zbulime rreth jetës së tyre dhe të përcaktojnë një rrugë të drejtë zhvillimi.
Rruga e jetës nuk duhet imponuar
Disa prindër kërkojnë t i detyrojnë fëmijët që të sillen në veprimtarinë e tyre si të ishin ata vetë. Një gjë e tillë nuk arrihet. Secili mund të bëjë çfarë dëshiron, madje edhe gabime, por ne duhet të jemi të gatshëm pranë tyre, të ndikojmë në rastet më të rënda për të ndalur më të keqen, të pariparueshmen. Kjo lloj pranie apo ky vëzhgim kërkohet të jetë i specializuar, sa më pak i ndjeshëm, por gjithnjë rezultativ në momentin e duhur. Nga ana e adoleshentëve, prindërit krahasohen me prindër të tjerë “më të mirë”, më të hapur, që japin më shumë liri për bashkëmoshatarët. Prandaj, prindërit duhet të përballen çdo ditë me çështje nga më të ndryshmet që ngrejnë bijtë e tyre, të cilat përmbajnë në vetvete një lojë të vazhdueshme të ideve e bindjeve filozofike. Në fund të fundit, do mbajtur parasysh, se qëllimi i prindërve është gjithnjë i mirë, t i ndihmojnë fëmijët, që të bëhen e të veprojnë të pavarur nga skemat e parafabrikuara. Kjo kërkon që të rriturit të zotërojnë forcën e mjaftueshme për të kuptuar e për të pranuar gabimet e tyre. E gjitha kjo bëhet me synimin, që adoleshenti të fitojë aftësi e besimin në vetvete, për të realizuar prirjet dhe talentin e tij.
Nevoja për baraspesha të tjera
E rëndësishme është që të zotërohen e të realizohen përgjegjësitë e secilit komponent të familjes dhe të njihet si i përjetojnë së brendshmi fëmijët problemet që kanë, pavarësisht nga mjedisi ku kanë lindur, pra konkretisht si ndjehet në familje, në bashkësi apo në shkollë. Vetëm pas një veprimtarie të tillë, mund të përcaktohet një strategji e përbashkët për të realizuar objektivat për të përballuar problemet dhe vështirësitë, që lindin në këtë proces të ndërlikuar. Qëllimi i mbështetjes së familjes është krijimi e
forcimi i një sistemi racional për të edukuar fëmijtë me cilësitë e virtytet më të mira, me besim në vetvete dhe tek njëri-tjetri. Në këtë drejtim, kërkohet që prindërit e fëmijët të rishikojnë vazhdimisht sjelljet dhe qendrimet e tyre. I rëndësishëm mbetet vlerësimi i vetvetes dhe i sistemit me të cilin veprohet në marrëdhëniet që vendosen.

Adoleshenca, fillimi i një aventure
Adoleshenca mund të merret si fillimi i një aventure ose i një lindjeje të re. Ajo shoqërohet me një numër të
pacaktuar nxitjesh të brendshme dhe të jashtme, të cilat herë shfaqen e herë jo. Shkallë-shkallë inteligjenca dhe qëndrueshmëria pësojnë ndryshime të mëdha, të cilat pasqyrohen në marrëdhëniet në familje, në shkollë dhe shoqëri. Nëse nuk i analizojmë drejt këto dukuri, do të krijojmë ide të gabuara. Për këtë arsye në disa raste na duket sikur e kemi këmbyer fëmijën, na krijohet ideja sikur nuk e njohim atë. Konfliktet, kriza, revolta dhe shpërthimet të ngjajnë me një thyrje a përmbysje të pazëvendësueshme, të cilat ndodhin në të vërtetë. Por ato sjellin një qëndrim të ri, një zhvillim më të lartë fizik e psikik, një forcë të re ende të
pazbuluar në universin e shpirtit, që ngjason me një vullkan, i cili shoqërohet me shpërthime, me interesa, nevoja dhe aspirata të reja. Kriza psikologjike e kësaj moshe merr një pamje interesante, duke u gërshetuar me reaksione, fiksasione, paaftësi, dyshime.

Mes të ardhmes dhe nostalgjisë për fëmininë
Adoleshenca është një periudhë, që mund të përjetohet edhe si dramë e shpërthimeve të mëdha, për shkak të reagimit ndaj mjedisit përreth, i cili i kundërpërgjigjet mënyrës së re të sjelljes së adoleshentit. Është koha e një revolte apo e një kryengritjeje të madhe, që të krijon idenë e gabuar, sikur po rrëzohet gjithçka e ndërtuar me sakrifica deri në këto momente. Kjo luftë e heshtur, në mjaft raste e pashpallur, kërkon vendosjen e marrëdhënieve të reja, pranimin e një marrëveshjeje të re dhe jo kurrësesi pajtimin formal apo tërheqjen pa kushte të ndonjërës palë, gjë e cila do të shënonte shkatërrimin e gjithë procesit të edukimit.
Paralelisht me pjekurinë seksuale në këtë periudhë shfaqen dukuri tranzitore edhe në planin psikologjik. Ndjenjat e reja që lindin, paraqiten me ngarkesë të ndryshme tek djemtë dhe vajzat, me orientim drejt funksioneve seksuale të burrit e gruas. Kemi një largim psikofiziologjik të dyja sekseve në moshën e adoleshencës me mospërputhje, hallakatje të vajzave dhe padurim sentimental të djemve. Siguria dhe
qetësia e mëparshme vihet në sprovë. Mjedisi familjar dhe shoqëror janë po ata që ishin, por brenda vetes gjërat kanë ndryshuar. Prandaj ndihet tronditja në trup dhe në shpirt. Kështu lindin shqetësimet për ta kapërcyer këtë situatë të papritur anormale, prandaj për këtë arsye në jo pak raste adoleshentëve u dalin përpara përfytyrimet e kohës së kaluar, kur ishin të lumtur dhe jo rrallë kërkojnë të strehoen sërish tek ajo.

Ky lajm është publikuar: 17/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›