E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot nis aplikimi për Master, kostoja 40 mijë lekë

Autori i Lajmit: red.
Të diplomuarit për mësuesi dhe gjuhë të huaj, të interesuar për master në këtë degë, mund të nisin aplikimet nga sot, në Universitetin "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan. Gjatë një konference për shtyp dje, rektori i këtij universiteti, Liman Varoshi, tha se "duke filluar nga dita e nesërme të gjithë të interesuarit mund të tërheqin formularët për t i plotësuar, ndërsa afati i fundit i dorëzimit të tyre është data 28 tetor. Ndjekja e këtij masteri do të kushtojë 40 mijë lekë". Ai informoi se numri i kuotave për masterin e nivelit të parë në nëntë degë të mësuesisë, prej të cilave katër janë në gjuhë të huaja, ende nuk është përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Rektori Varoshi tha ndër të tjera se "me anë të hapjes së studimeve për master të nivelit të parë ne jo vetëm do t i japim kuptim real traditës së përvijuar prej vitesh që nga Normalja e suksesshme e deri në ditët tona, por do të konfirmojmë një dëshirë të krejt intelektualëve elbasanas, që universiteti në raport me Normalen është në vazhdimësi vlerash dhe funksionesh". Ministria e Arsimit dhe e Shkencës miratoi këtë vit hapjen e masterit të nivelit të parë në Universitetin e Elbasanit, i cili konsiderohet si një vlerësim që i bëhet këtij qyteti arsimdashës.

Nisin pasuniversitaret
Shkollat e larta nisin për herë të parë aplikimet për masterat, sipas sistemit të Bolonjës 3+2. Ende nuk janë publikuar të gjitha kuotat e pranimit dhe tarifat, por bazuar në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, fakultetet kanë nisur regjistrimet. Nota mesatare do të ndikojë në përzgjedhje, megjithëse jo në të gjitha rastet. Sistemi i ri i Bolonjës, ku janë futur të gjitha universitetet shqiptare parashikon shkollim sipas kategorive 3 vjet diplomim, 2 vjet master dhe një doktorature.
Ky lajm është publikuar: 17/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›