E Shtunë, 31 Tetor 2026

Univeritetet, gati formulari A3 për kuotat shtesë

Autori i Lajmit: red.
Formulari A3, i cili do të plotësohet nga kandidatët për studentë, në kuadër të kuotave të parealizuara në universitete, pritet të jetë gati brenda dy ditëve. Lajmi u bë i ditur dje nga burime të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, sipas të cilave, në formular do të jenë të listuara rreth 193 degë, në dispozicion të 4000 kuotave vakante. Plotësimi i këtyre kuotave në institucionet publike të Arsimit të Lartë bëhet sipas listave emërore të renditura nga Agjencia Kombëtare e Pranimeve, mbështetur në pikët dhe vullnetin e shprehur nga aplikuesit me plotësimin e Formularit A3. Sipas tabelës së publikuar nga MASH, në Universitetin e Tiranës janë hapur plot 518 vende bosh, nga 264 që mbetën pas regjistrimit përfundimtar të fazës së dytë. Në Universitetin Bujqësor të Tiranës janë në dispozicion të maturantëve plot 457 kuota, ndërsa në atë Politeknik, vetëm 155 vende. Me pas, vjen Universiteti i Korçës, i cili do të këtë për maturantët plot 592 vende, pasuar nga Universiteti i Elbasanit me 437 vende në dispozicion së të rinjve. Universiteti i Gjirokastrës ka plot 567 kuota të parealizuara, ndërsa ai i Shkodrës, 612 të tilla. Më pas, vjen Universiteti i Vlorës me 271 vende bosh, pasuar nga Durrësi me 159 kuota. Akademia e Arteve ka hapur edhe 53 vende, ndërsa ajo e Sporteve vetëm 5 kuota. Për këto kuota, sipas MASH, këtë javë do të rihapet sërish gara për universitetet tona. Gjithashtu, kandidatët për studentë që janë shpallur tashmë fitues në një degë, mund të përmirësojnë preferencën e tyre, duke aplikuar sërish sipas sistemit meritë-preferencë. Mundësia e pranimit do t u ofrohet kandidatëve për studentë në të gjitha degët, ku ka kuota të lira, por dhe në dhjetëra degë të reja, të krijuara në bazë të vendimeve të fundit të qeverisë. MASH u ka rekomanduar kandidatëve për studentë, që do të aplikojnë për fazën e tretë të pranimeve në universitet, që të bëjnë me saktësi llogaritjen e mundësive për të konkurruar.

Ky lajm është publikuar: 17/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›