E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, Spiriç: Tiranë-Sarajevë, së shpejti pa viza

Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina, shumë shpejt pa viza. Kryeministri Berisha dhe Kryeministri i Bosnje-Hercegovinës, Nikola Spiriç, në konferencën për shtyp u shprehën dje se liberalizimi i vizave ka një vlerë të rëndësishme midis dy vendeve. Kryeministri shqiptar tha se “ministritë tona të jashtme dhe ministritë e brendshme do të angazhohen që të nënshkruajnë të gjitha marrëveshjet e nevojshme për ripranimin, në mënyrë që të heqim sa më shpejt vizat për qytetarët e dy vendeve tona. Ne besojmë se liberalizmi i vizave ka një rëndësi shumë të madhe në bashkëpunimin mes dy vendeve, pasi do të lehtësojë shumë bashkëpunimin ekonomik dhe sidomos bashkëpunimin në fushën e turizmit. Shqipëria ofron potenciale të mëdha turistike verore. Bosnja është një nga vende e turizmit dimëror më të zhvilluar të rajonit, natyrisht jo vetëm dimëror, por edhe të llojeve të tjera”. Ndërsa homologu i tij nga Sarajeva mendon se “kjo do të sjellë më shumë investitorë të Bosnjës në Shqipëri dhe anasjelltas. Gjithashtu, ne duhet të rrisim bashkëpunimin dhe në fushat e tjera, si në energji, dogana, kulturë, shkencë e sporte. Ne duhet të bëjmë marrëveshje, të cilat nuk do të jenë thjesht marrëveshje në dukje, por duhet të jenë të tilla, që në thelb do të krijojnë më shumë lehtësira për qytetarët e dy vendeve tona”. Të dy kryeministrat gjithashtu u shprehën se kanë rënë dakord që marrëdhëniet politike midis dy vendeve janë të shkëlqyera, por ka ende shumë punë për të bërë në të gjitha fushat. Gjithashtu, të dy kryeministrat firmosën një plan të përbashkët pune për intensifikimin e marrëdhënieve në ministritë e brendshme dhe të jashtme me ekstradimet dhe angazhimin e heqjeve të vizave midis dy vendeve. “Ne besojmë, - u shprehën kryeministrat, - se liberalizimi i vizave ka një vlerë të rëndësishme midis dy vendeve”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›