E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafaj kërkon kriteret e kandidatëve, Bode i lexon statutin

Para se të plotësojë formularin e tij personal rreth kritereve që plotëson për garën e kreut të ri të PD-së së Tiranës, kandidati Besnik Mustafaj kërkon shpjegime nga lidershipi i partisë për procedurat e konkurrimit. Ai ka gjetur mënyrën e komunikimit përmes postës elektronike me sekretarin e përgjithshëm, Ridvan Bode. Shkak janë bërë pikërisht kriteret për kandidatët që do të garojnë në pranverën e vitit që vjen. Z. Mustafaj mësohet t’i ketë kërkuar z. Bode listën e kritereve që një kandidat duhet të plotësojë për të hyrë në garën për kryetarin e PD-së së Tiranës. Nga ana tjetër, bëhet e ditur se sekretari i përgjithshëm demokrat, Ridvan Bode, i ka kthyer përgjigje po nëpërmjet postës elektronike, duke e njohur me listën prej 8 kriteresh të përcaktuara nga kryesia e PD-së pak javë më parë. Udhëzuesi për procedurat që do të ndiqen për zgjedhjet e reja në parti, u është shpërndarë anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD-së ,në të cilin përfshihen edhe kriteret për kandidim. Ndërkaq duke iu referuar kandidatëve për kreun e PD-së së Tiranës, nënkryetari i partisë Astrit Patozi ka saktësuar se gara nuk mund të fillojë pa përfunduar zgjedhjet në strukturat bazë të partisë. Para disa kohësh, Besnik Mustafaj shpalli i pari kandidaturën për kreun e ri të PD-së së Tiranës. Në gjykimin e tij, Tirana është motori de fakto dhe këtu janë përqendruar forcat më të mëdha intelektuale të vendit dhe me shumëfishimin e popullsisë së saj, Tirana është një Shqipëri. “Në këtë kuptim, Tirana do të jetë motori i vërtetë i fushatës. Në bazë të statutit, lejohet kandidimi im. I kam një detyrim PD-së në Tiranë për t’u angazhuar më shumë në këtë parti. Partia Demokratike më ka votuar që në vitin 1991 si deputet. Ky vendim është instaluar në kokën time. Kam shumë energji dhe vendosmëri”, - theksoi z. Mustafaj. Kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët që do të garojnë për kreun e ri të PD-së së kryeqytetit, janë bërë të njohura përmes një udhëzuesi i miratuar nga kryesia e qendrës vetëm pak javë më parë. Janë tetë kritere që duhet të plotësojë kandidati në të cilat përfshihen si kontributi politik në strukturat e partisë, ashtu dhe ana njerëzore e individit. Kërkohet të jetë me aftësi të veçanta intelektuale, profesionale e kulturore, si rregull të flasë një gjuhë të huaj me rëndësi ndërkombëtare. Një tjetër kriter është që të dallohet në opinionin publik për ndershmërinë e tij, për qëndrueshmëri morale e të karakterit dhe të rrezatojë reputacion pozitiv. Një tjetër kriter është ai përvojës politike si anëtar i PD-së apo të shquhet si funksionar në administratë, të ketë aftësi drejtuese dhe përvojë në veprimtaritë e tjera profesionale jopolitike. Të ketë aftësi të mira komunikuese me kolegët dhe publikun e gjerë. Gjithashtu, duhet të ketë dhënë kontribut të dukshëm në zgjedhjet e fundit lokale për kandidatët e PD-së. Një kriter i rëndësishëm është ai i rezultateve të larta në zgjedhjet e fundit, nëse ka qenë më përpara drejtues i degës. Me ndryshimet në statutin e PD-së, ku Kryesia miratoi shkrirjen e nëndegëve, tashmë kryetarët e degëve do të zgjidhen sipas variantit të vjetër të PD-së. Ky variant parashikon që seksionet e partisë dhe grup-seksionet të propozojnë emra kandidatësh për kryetarë të degëve. Emrat e kandidatëve merren në shqyrtim nga Kryesia qendrore e Partisë Demokratike. Kjo e fundit, pas diskutimeve dhe verifikimeve, u dërgon sërish grup-seksioneve, të cilat janë strukturat e partisë në bazë, emrat e dy ose tre kandidatëve. Më pas mblidhen kryesitë e grup-seksioneve, të cilat votojnë midis këtyre kandidaturave që janë propozuar nga Kryesia qendrore e partisë. Pikërisht kjo do të jetë procedura që do të ndiqet për të zgjedhur kryetarin e degës së Tiranës, ku pritet të ketë një “mori” kandidaturash për shkak të rëndësisë politike që ka ky post në kryeqytet. Një strukturë e re që i shtohet PD-së është dhe qarku. Pikërisht qarku do të drejtohet nga një grup individësh me një koordinator që është zgjedhur nga strukturat e PD-së.

Statuti i PD-së

Zgjedhja e kryetarit të degës:

Neni 27

Kryetari i degës zgjidhet nga mbledhja e përbashkët e kryesive të nëndegëve mes kandidaturave të propozuara nga Kryesia e PDSH-së. Kandidaturat e dala për kryetar të degës i nënshtrohen një diskutimi dhe vlerësimi nga kryesia qendrore e partisë, e cila formulon përfundimisht propozimet për kandidaturat.

Kryetari i degës përfaqëson anëtarësinë e partisë në territorin përkatës. Ai thërret dhe drejton mbledhjet e kryesisë, fikson rendin e ditës në bashkëpunim me sekretarin përkatës. Ai organizon funksionimin normal të kryesisë dhe përgjigjet për zbatimin e vendimeve dhe orientimeve të saj. Ai përgjigjet për mbarëvajtjen e funksionimit të partisë dhe shprehjen e lirë të çdo anëtari të kryesisë. Kryetari i degës është anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë.

Kriteret për kryetar të degëve të PD-së:

-Të jetë ligjërisht dhe faktikisht banor i degës përkatëse

-Të jetë me arsim të lartë të përfunduar (kriter kualifikues për kandidatët me arsim të papërfunduar dhe kriter vlerësues për arsimime cilësore dhe kualifikime pasuniversitare).

-Të jetë me aftësi të veçanta intelektuale, profesionale e kulturore, si rregull të flasë një gjuhë të huaj me rëndësi ndërkombëtare.

-Të dallohet në opinionin publik për ndershmërinë e tij, për qëndrueshmëri morale e të karakterit dhe të rrezatojë reputacion pozitiv.

-Të ketë përvojë politike si anëtar i PD-së apo të shquhet si funksionar në administratë, të ketë aftësi drejtuese dhe përvojë në veprimtaritë e tjera profesionale jopolitike.

-Të ketë aftësi të mira komunikuese me kolegët dhe publikun e gjerë

-Të ketë dhënë kontribut të dukshëm në zgjedhjet e fundit lokale për kandidatët e PD-së.

-Të ketë pasur rezultatet më të larta nga ato të zgjedhjeve të fundit, nëse ka qenë më përpara drejtues i degës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›