Edhe Edi Paloka në garën për Tiranën
Në rast të një mbështetjeje nga forumet e larta të PD-së, z. Paloka është shprehur i gatshëm të garojë përballë kujtdo për kreun e ri të PD-së së Tiranës. Duke vlerësuar rëndësinë e një posti të tillë, z. Paloka ka bërë të qartë se pasi të konsultohet me drejtuesit e PD-së, do të jetë i gatshëm të hyjë në garë. “Është një detyrim statusor që të propozojnë seksionet. Mund të dilja edhe unë ta shpallja kandidaturën, nuk më ndalonte askush, është e drejtë e gjithsecilit. Por kam pritur për të parë nëse realisht anëtarët e Partisë Demokratike më mendojnë si një mundësi për ta drejtuar degën e Tiranës”, - tha z. Paloka. Sipas tij, dega e PD-së së Tiranës është një degë përcaktuese për zgjedhjet, është një degë që nëse e merr përsipër, duhet të jesh i bindur që nuk do të dështosh. Është një degë që të detyron suksesin. “Unë jam gati që ta marr përsipër drejtimin e degës së Tiranës”, - u shpreh deputeti dhe anëtari i Kryesisë së PD-së, Edi Paloka.