Basha: Kosova të jetë pjesë e takimeve rajonale
Lulzim Basha, ministër i Punëve të Jashtme, takoi dje z. Hido Bishceviç, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), me qendër në Sarajevë. Gjatë takimit, u diskutua lidhur me aktivitetet e RÇ-së gjatë vitit 2008, sipas fushave prioritare të bashkëpunimit rajonal, si dhe u vu theksi tek objektivat e vitit 2009, si një vit shumë i rëndësishëm për mbarë rajonin e Evropës Juglindore. Ministri Basha e informoi bashkëbiseduesin mbi vullnetin e qartë të palës sonë për të qenë pjesëmarrëse aktive në proceset bashkëpunuese rajonale. Po ashtu, u diskutua dhe u ra dakot për një koordinonim më të frytshëm të punës, me synim rritjen e rolit të vendit tonë në këtë strukturë të rëndësishme rajonale. Ministri Basha kërkoi që Kosova të jetë pjesë e tryezave rajonale, ku diskutohen projekte konkrete për zhvillimin e rajonit. “Vlerësojmë, - shtoi ai, - se Kosova duhet të përfshihet më aktivisht në proceset integruese rajonale, sidomos në forume si RCC-ja, që ofrojnë një përqasje pragmatike dhe të orientuar drejt rezultateve në fusha prioritare të bashkëpunimit”. Ministri Basha theksoi rëndësinë që kanë për Shqipërinë projektet rajonale, sidomos ato për lëvizjen e lirë, energjinë, infrastrukturën e të gjitha llojeve etj. Me këtë rast, ai paraqiti një interes të palës shqiptare për ngritjen në Shqipëri të një qendre rajonale për trajtimin e ujit me teknologji me kosto të ulët, ku integrohen edhe energjia, mbetjet etj. Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), që ka filluar zyrtarisht nga puna më 27 shkurt 2008, duke zëvendësuar Paktin e Stabilitetit, është struktura kryesore që promovon e koordinon bashkëpunimin rajonal të vendeve të Evropës Juglindore dhe hapat e tyre drejt integrimit në strukturat evropiane e euroatlantike. Përveç vendeve të Evropës Juglindore, në të marrin pjesë shumica e vendeve të BE-së, SHBA-ja, institucionet kryesore financiare ndërkombëtare etj.