E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Spitali “Salus’, kontribut i madh në shëndetësi

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha e konsideroi sot çeljen e spitalit të ri "Salus", si realizimin e një ëndrre fisnike.

"Ky investim që inaugurojmë sot është një kontribut i madh në fushën e shëndetësisë. I katërti investim që bëhet në këtë fushë nga investues të huaj brenda një viti do ketë një ndikim shumë të fuqishëm në rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor, shërbimit më të rëndësishëm për njeriun",- theksoi Berisha, gjatë ceremonisë së përurimit të spitalit të ri.

Duke falenderuar Presidentin e rajonit italian Friuli-Venecia-Giulia, Renzo Tondo, për kontributin e tij dhe rajonit të tij në mbështetje të Shqipërisë dhe duke falenderuar investitorët e këtij spitali për vendimin fisnik për të realizuar në hyrje të Tiranës ngritjen e një spitali të tillë, Kryeministri u shpreh se "realizimi i çdo projekti përbën në vetvete shndërrimin në realitet të një ëndrre fisnike dite dhe jo nate, dëshmon një besim të madh tek vendi, komuniteti dhe kombi ku ju realizoni këtë ëndërr".

Duke iu drejtuar ambasadorit italian, Massimo Gaiani, Berisha u shpreh se pas takimit të parë zyrtar, nuk kishte rast më të bukur për të zhvilluar takimin e dytë se sa ky sot në një investim italian.

Kryeministri garantoi se "investitorët italianë në tërësi dhe investitorët e rajonit Friuli- Venecia-Giulia do të kenë mbështetjen më të fortë, më të fuqishme të qeverisë shqiptare dhe institucioneve shqiptare në të gjitha fushat".

Sipas Kryeministrit, Shqipëria ka bërë për përpjekje të mëdha për një kuadër investimesh sa më të përshtatshme. "Ajo ka vendosur sistemin me barrë fiskale ndër më të ultit në Evropë dhe në botë, ka njërën prej 10 administratave më të vogla në botë dhe njërën prej qeverive më dorëshkurtra në raport me biznesin në Evropë dhe në botë”.

Spitali më i ri në kryeqytet, "Salus", është një strukturë shëndetësore që ka si qëllim të sjellë në Shqiperi standardet europiane të kurimit, mbi të gjitha falë bashkëpunimit të mjekëve italianë, prej kohësh të angazhuar në ambientet e "Casa di cura Salus di Trieste".
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›