E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha Spranojme propozimin e PS-se per skafet do te rikthente trafikun ilegal

Turizmi dhe mjedisi ishin kryefjalë e mbledhjes së sotme të grupit parlamentar të partisë demokratike. Në fjalën e tij kryeministri Berisha u ndal në resurset që ofron vendi ynë për turizmin dhe se të dhënat paraprake tregojnë për një rritje të numrit të turistëve këtë vit, ndërsa theksoi qëndrimin e qeverisë së tij për një kthesë thelbësore ndaj mjedisit, duke iu referuar nismës së qeverisë, e cila ka shpallur datën 20 prill si datën e Shqipërisë së Pastër, për të cilin kërkoi edhe angazhimin e vendorëve. Ndërsa e quajti të paparanueshëm amendamentin e PS-së për moratoriumin e mjeteve motorike .

Ndërkaq mbledhja e grupit parlamentar të partisë demokratike nisi me një minutë heshtje në nder të ish-kryetarit të këshillit të Qarkut të Korçës, Gëzim Demçolli.

Turizmi
Duke folur për turizmin kryeministri u shpreh se të dhënat paraprake tregojnë për rritje të numrit të turistëve që do kalojnë pushimet në Shqipëri, të cilën e lidhi jo vetëm me bukuritë natyrore, por edhe me shërbimin e shkëlqyer, mikpritjen dhe me artikujt e botuar në mediat e huaja.
“Shqipëria gjithnjë e më shumë është në epiqendër të mediave të interesuara për turizëm. Turistët vijnë në brigjet shqiptare, ujërat e Jonit dhe rërën e Adriatikut. Ky vit ka një specifikë, sepse janë me dhjetëra shkrime për Beratin, Alpet e Shqipërisë janë cilësuar nga mediat botërore si Himalajat e Europës, Bjeshkët e Namuna me të gjithë relievin e tyre me akullnajat e zbuluara kohët e fundit dhe një interes i veçantë për malet”-deklaroi Berisha.

20 prilli, dita e Shqipërisë së pastër
Kryeministri Berisha bëri thirrje për një kthesë rrënjësore ndaj mjedisit në këtë ditë, ndërsa tha se qeveria do të bëjë gjithçka për suksesin e kësaj nisme.
“Asgjë nuk mund të nxijë më shumë një vend që ka marrë zhvillim të gjithanshëm se sa prania e plehrave”- shpreh kryeministri.
Ai kërkoi bashkëpunimin me vendorët për të pastruar çdo cep të vendit në këtë ditë, ndërsa u shpreh se qeveria do angazhojë të gjitha institucionet dhe mjetet, do hartojë planin e veprimit dhe ajo ditë të jetë një ditë vendimtare, kthesë e madhe e qëndrimit tonë ndaj mjedisit dhe se do të bëjë gjithçka për të ndëshkuar krimin ndaj mjedisit, pasi mjedisi ndikon fuqishëm në shëndetin tonë.

Hidhet poshtë amendamenti i PS-së për moratoriumin
Në mbledhjen e grupit të partisë demokratikeberisha e quajti të papranueshëm amendamentin i PS për moratoriumin e mjeteve motorike, pasi sipas tij vënia në lëvizje e industrisë së skafeve do të ishtë një rikthim i fuqishëm i flukseve të trafiqeve kriminale drejt bregut tjetër të Adriatikut.
“Goditje e pamerituar për Vlorën që do ta shpallnin qytetin më të bukur të Mesdheut. Vlora e skaforepublikës ka marrë fund. Më duhet të shpreh keqardhjen që kjo nismë nuk mund të pranohet.
Rëndom përdoret argumenti se po na dëmton turizimin. Në periudhën e ndalimit të skafeve turizmi u rrit me dhjetë-12 herë, ndaj mos përdorni argumenta që nuk qendrojnë.Ta fshijmë nga memoria problemin e skafizimit. Vlora po diskutohej në një juri për t’u shpallur gjiri më i bukur i Mesdheut dhe ne ta nxijmë me skafe tani? Jo mor zotëri”- u shpreh kryeministri
Kjo nismë nuk mund të miratohet sepse zotimi ynë është luftë me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar. Ligji do ndjekë procedurën e vet, por do mbetet nismë që nuk do të miratohet-përfundoi Berisha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›